Kreu i PD-së Sali Berisha ishte në një takim me ekspertët e sektorit të energjisë, ku si zakonisht ka hedhur akuza ndaj qeverisë se blejnë çmimin më shtrenjtë dhe vjedhin energjinë elektrike ndërsa akuzon Ramën se e përdor krizën si mjet terrori. Sipas tij, qeveria flet për krizë energjetike por ka blerë energji me shifra të larta, me 250 euro megavat ndërsa në bursë ka qenë 82 euro. Më pas është ndalur që të japë disa premtime në rast se ia del që të marrë pushtetin.

“99 % e energjisë elektrike që prodhohet në Shqipëri është ende nga uji, vetëm 1% e totalit është nga burime të reja energjie. Dalja në treg të lirë e bizneseve të mëdha është e bazuar në keqpërdorim dhe vjedhje. Shqiptarët duhet ta dinë se kjo qeveri ka blerë energji me 220-250 euro megavat, ndërkohë që në bursë shitej me 80-82 euro.

Kryeministri e përdor furnizimin me energji si një mjet terrori, dhe e konsideron mundësinë e rritjes së çmimit për familjarët. Kostoja e prodhimit të energjisë në Shqipëri është shumë e ulët, ia shet qytetarëve 90 herë më shumë. Pse po ndalem unë këtu, jo se ndryshon kursi i kësaj qeverie, por po ndalem që t’iu them qytetarëve që potenciali i ndryshimit është shumë i madh. Ne së pari do të përgjysmojmë barrën fiskale të naftës, do të subvencionojmë tarifën e transportit publik”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Sali Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se janë të përfshirë në kontrabandën e naftës. Sipas tij, njihet zinxhiri pasi nuk k mund të ketë kontrabandë nafte pa një mbulesë të plotë të qeverisë, ndaj pretendon se Rama takohet me një pronar peshkarexhe vazhdimisht për të kryer trafikun e naftës, e cila prej nisjes së luftës në Ukrainë shitet me shifra më të larta se më parë. Aktualisht në vendin tonë tregtohet me 216 lekë/litër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:23
Berisha: Rama takohet periodikisht me një pronar peshkarexhe për kontrabandë nafte

Në takimin me ekspertët, Sali Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se janë të përfshirë në kontrabandën e naftës. Sipas tij, Rama takohet vazhdimisht me një pronar peshkarexhe për trafik nafte.

“Po ndalem këtu jo se mund të ndryshojë kursi i kësaj qeverie, por për tu thënë qytetarëve që potenciali i ndryshimeve drastike, të thella dhe të menjëhershme në këtë fushë është ekziston, është i plotë e i mundshëm. Këtë premtojmë ne, sepse jemi në një betejë me këtë qeveri. Mirë ju thonë qytetarët jeni në betejë, por çdo bëni kur të vini. Dje deklarova se do të përgjysmojmë barrën fiskale të naftës, do subvencionojmë 100 përqind biletat e udhëtimit inter-urbane dhe urbane. Nuk po shpikim e kanë bërë edhe të tjerë. A kemi mundësi ne ta bëjmë këtë? Plotësisht. Jemi vendi që prodhojmë 1 milion ton naftë.

Sot konsumi i naftës me 300 e ca mijë automjete më shumë se në vitin 2012, është më i paktë se sa ishte në vitin 2012. Nafta nuk është kokainë që futet në arka bananesh, është i njohur zinxhiri. Ka pronarë të peshkarexhave. Një prej tyre bën vetëm kontrabandë nafte, që i shkarkon lirshëm dhe që thuhet se takohet periodikisht me kryeministrin. Nuk mund të ketë kontrabandë nafte pa një mbulesë të plotë të qeverisë. Ky të duket ndonjëherë se ka mendësinë e Shqipërisë pa vetura”, u shpreh Berisha.