Tirane-  Nga dritarja e apartamentit të tij ku ndodhet në 'arrest shtëpie' kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi sot Monika Kryemadhin, se i ka dorëzuar Edi Ramës 460 mijë euro.

Berisha pati një thirrje për deputeten e Partisë së Lirisë, që të sqarojë këtë shumë parash.

Sot personi të cilin e kemi quajtur gjithnjë ‘ladro utile’, hajdut i dobishëm, Lefter Kokës i erdhën dy pare mend. Iu rikthye edhe guximi. Sot, në sallën e gjyqit, ai deklaroi se nuk jam unë autori i djegësve, se ‘peshku i madh’ është në telefonin e zonjës Kryemadhi. Miq, Lefter Koka deklaroi me përgjegjësi para gjyqit se ‘peshku i madh’ është vetëm një dhe e ka emrin Edi Rama

i bëj thirrje zonjës Kryemadhi, e cila deklaroi se Edi Rama ka urdhëruar Dumanin të fshijë të gjthë komunikimet e saj me Edi Ramën, t’ju bëjë të ditur shqiptarëve, të informojë shqiptarët për ‘peshkun e madh’, të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro.  Të informojë shqiptarët gjithçka di për këtë kryehajdut të të gjitha kohërave. Unë e kuptoj se çdo deklaratë që bëni, e bllokon mercenar Altin Dumani, që është shndërruar në galloshen e Edi Ramës. Por, çdo politikan dhe çdo qytetar ka detyrim madhor t’u rrëfejë të vërtetën qytetarëve të tyre.

Dhe kur prokuroria është shndërruar në organ kriminal, është shndërruar në organizatë kriminale, atëherë është detyrë që ajo të zëvendësohet me prokurorinë publike, me denoncimin publik, me gjyqin publik ndaj shqiptarëve' tha Berisha.

Më tej Berisha i bën thirrje dhe Kokës që të tregojë

Unë prapë i bëj thirrje Lefter Kokës: Lefter, katër vjet më parë, jo më kot je ftuar nga opozita që të bësh të pandehurin e drejtësisë. Të takon t’i bësh publike, të ngrihesh në lartësinë e guximit njerëzor dhe t’ua përplasësh në fytyrë këtyre hajdutëve që të keqpërdorën, që të kërcënuan, që të mashtruan. E di ti vetë, i di vetë të gjitha këto, mos më bëj t’i them haptas.

Në seancën e sotme në Apelin e GJKKO-së, Lefter Koka tha se ai nuk ishte peshku i madh dhe nëse drejtësia do të zbulojë korrupsionin e vërtetë, mjafton të hapte telefonin e Kryemadhit.