Berisha akuzon Spahiun:
Na prishi me Greqinë

Berisha akuzon Spahiun:<br />Na prishi me Greqinë
TIRANE- Partia Demokratike do të kërkojë ndjekje penale për ish-nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu me argumentin se ka cenuar marrëdhëniet me vendet fqinje për shkak të lëvizjes Kuq e Zi. Ky raport, akuzoi direkt ish-nënkryetarin e KLD-së, Spahiun se ka shpërdoruar detyrën dhe ka devijuar nga institucioni kushtetues. Në raport thuhet se Spahiu ka trajtuar me negativitet censusin dhe nëpërmjet kësaj ka tentuar të cenojë marrëdhëniet me fqinjët. Në këtë përfundim ka arritur komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e tij, i cili miratoi raportin përfundimtar të hetimit, ku kërkohet gjithashtu edhe shkarkimi i Spahiut nga KLD. Shkarkimi është një kërkesë nul për shkak se nënkryetari i KLD-së ka dhënë dorëheqjen, e cila është pranuar tashmë me shumicë votash nga ana e KLD-së, por gjithsesi demokratët do të vazhdojnë me planin e tyre. Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se komisioni evidentoi shkelje të shpërdorimit të detyrës që lidhen me mbledhjet dhe vendimet e KLD-së, si edhe shkelje financiare që lidhen me udhëtimet jashtë Shqipërisë. "Kreshnik Spahiu, me dashje të drejtpërdrejtë, ka devijuar nga funksioni kushtetues i nënkryetarit të KLD-së, njëherazi anëtar i saj, dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari të qartë politike. Ka abuzuar në mënyrë flagrante dhe ka shpërdoruar kompetencat e menaxhimit administrativ dhe financiar të institucionit", deklaroi Alibeaj. "Është larguar në mënyrë afatgjatë në funksion të axhendës politike, pa njoftim të organeve kushtetuese, me të cilat lidhet detyra e tij kushtetuese. Ky komision ka detyrimin ligjor të formulojë dhe të përcjellë rekomandimet përkatëse. T'i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që t'i dërgojë raportin përfundimtar prokurorit të përgjithshëm, që të vlerësojë gjetjet e këtij raporti për ushtrimin e ndjekjes penale", theksoi ai. Hapi tjetër, saktësoi Alibeaj, do të jetë dërgimi i raportit përfundimtar KLSH-së, me qëllim që të vlerësojë gjetjet e raportit për të mundësuar kthimin e shumave financiare të përvetësuara pa të drejtë nga zoti Kreshnik Spahiu.
Më poshtë janë disa nga gjetjet e këtij raporti

GJETJET E KOMISIONIT HETIMOR
1. Mbi devijimin nga funksioni kushtetues dhe zëvendësimin me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën
Jane dokumentuar rreth 30 aktivitete të Aleancës Kuq e Zi për periudhën mars 2011-janar 2012. Në këto aktivitete zoti Spahiu shfaqet me cilësinë e folësit dhe organizatorit të Aleancës Kuq e Zi. Ai, në emër të kësaj organizate, është shprehur për çeeshtjen e censusin duke e kundërshtuar, për krijimin e degës së Aleancës Kuq e Zi, për krijimin e platformës së bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, për çështjen etnike, për shqiptarizimin e emrave, për festa kombëtare, për trajtimin e barabartë të shqiptarëve me maqedonasit, për themelimin e forumit rinor të Aleancës Kuq e Zi, për përgatitjen e festimeve të Aleancës Kuq e Zi për pavarësinë, për detyrimet kushtetuese të shtetit, për vendimet antikombëtare të politikës shqiptare, për hapjen e konsullatës shqiptare në Manastir, për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Aleancës Kuq e Zi, për aksionin e ri politik kundër sulltanëve të rinj dhe kufizimin e mandateve, për programin politik të Aleancës Kuq e Zi me rastin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, për rinovimin e klasës politike nëpërmjet aksionit të kontratës kuq e zi në çdo shtëpi, etj.
Funksionari kushtetues Kreshnik Spahiu, duke iu referuar statusit të anëtarit zëvendëskryetar të KLD-së u ka dërguar letra të karakterit diplomatik përfaqësuesve të lartë shtetërore të shtetit të Kosovës (ministrit të Brendshëm), madje edhe gjithë popullit kosovar, përfaqësuesve të lartë shtetërore të shtetit të Serbisë (Presidentit dhe zëvendëskryeministrit) dhe përfaqësuesve të lartë shtetërore të shtetit të Greqisë.
Z. Kreshnik Spahiu ka realizuar një numër të konsiderueshëm aktivitetesh jashtë territorit shqiptar (Maqedoni, Kosovë, Itali, Mbretëri e Bashkuar, SHBA etj).
Në këto aktivitete zoti Kreshnik Spahiu paraqitet me cilësinë e organizatorit, drejtuesit apo kryetarit të organizatës "Aleanca Kuq e Zi". Në të gjitha këto lajme, tregohet në mënyrë të dukshme edhe cilësia e z. Spahiu prej funksionari kushtetues, nëpërmjet etiketimeve "Zëvendëskryetari i KLD-së" apo "Numri dy i KLD-së"
A. Ndër çështjet kryesore, që janë trajtuar në daljet dhe organizimet publike, e që i kanë dhënë ngjyrim të plote politik veprimtarisë se z. Spahiu, është ajo e CENSUS-it. Ky proces, u anatemua që në fillimet e veta prej zëvendëskryetarit të KLD-së. Me të padrejtë, e duke shtrembëruar, atë çfarë ligji parashikonte në të vërtetë, ai u mundua që ta paraqiste atë si një proces, i cili kishte të bënte thjesht dhe vetëm me regjistrimin e popullsisë.
Ajo çfarë zëvendëskryetari i KLD-së tejkaloi përgjatë trajtimit në publik me qëllim anatemimin e procesit të CENSUS-it ishte se ai përdori mjete aspak demokratike, për të arritur një qëllim kaq të shenjtë të demokracisë.
Së pari, në keqbesim të plotë u përdor qoftë petku i tij si zyrtar i lartë shtetëror për të injektuar në publik një përmbajtje të rreme të ligjit. Pra thjesht, z. Spahiu ka mashtruar publikun.
Se dyti, ai ka shpërdoruar postin e tij si zyrtar i lartë shtetëror. Ky funksionar kushtetues ka shpërdoruar postin zyrtar dhe është sjellë tej ndalimeve kushtetuese dhe ligjore.
Se treti, ky zyrtar shtetëror, i pozicionuar në pushtetin gjyqësor, që ka si devizë të sjelljes së tij, më shumë se kushdo tjetër, zbatimin e ligjit dhe jo komentimin e tij, në mosrespektim të plotë jo vetëm të detyrimeve ligjore, por edhe të urdhërimeve të moralit shtetëror, publikisht ka sulmuar një ligj - ligjin për CENSUS-in - pra me fjalë të tjera, punën, veprimtarinë dhe mbi të gjitha vullnetin e Kuvendit, si organ përfaqësues i qytetarëve.
B. Nën të njëjtën frymë dhe në paralelizëm të plotë, u trajtua në dalje mediatike, e bashkëshoqëruar me organizime njerëzish në ambiente publike, është edhe "çështja e ndryshimit të kombësisë". Zyrtari kushtetues Spahiu, në keqbesim të plotë ndaj publikut dhe në shpërdorim flagrant të hierarkisë që posti i jepte ndaj segmenteve të caktuara të gjyqësorit, e ka trajtuar politikisht këtë çështje. Me doza të forta populizmi dhe hipokrizie, si dhe përpjekje të rrezikshme për të acaruar marrëdhëniet ndërshtetërore me fqinjët, duke ndjellë një frymë tërësisht të ndryshme nga ajo e bashkëjetesës dhe respektit reciprok, ai instrumentalizoi dhe adoptoi, si pjesë të levizjes së vet politike edhe veprimet gjyqësore. Në fakt, e gjithë kjo lëvizje pati si bazë të saj, premisa deri edhe fyese për inteligjencën dhe karakterin e shqiptarëve. Ishin pikërisht "pamundësia karakteriale" apo "paaftësia intelektuale" e shqiptarëve për t'ju bëre ballë "tundimeve" banale dhe ordinere, të ndërrimit të "kombësisë". E analizuar nën këtë prizëm del fare qartë, keqbesimi që një zyrtar i tillë ka mbajtur ndaj një kombi të tërë dhe shpërdorimi i ndjenjave të tyre mbi identitetin kombëtar. Duket qartë që gjithçka që është luajtur me ndjenjat e shoqërisë sonë, duke angazhuar dhe instrumentalizuar edhe sistemin gjyqësor, është bërë për qëllime pragmatiste politike, të shtyra nga një motivim egoist individual.
C. Në jo pak raste dhe nën formën e zakonshme të mbajtjes së tubimeve në vende publike, z. Spahiu ka artikuluar edhe çështje lidhur me nocionin e Shqipërisë Etnike. Kjo temë tërheq sigurisht, interesin dhe vëmendjen e kujtdo, madje në mënyrë idealiste edhe lartëson figurën e atyre që artikulojnë të tilla ide. Por nuk mund të lihet pa u përmendur se tashmë shteti shqiptar, sikundër edhe i gjithë rajoni e më gjerë, është i përfshirë në një filozofi dhe ideologji shtetformuese tërësisht të ndryshme nga ajo që predikon zëvendëskryetari i KLD-së. Ideologjia dhe filozofia e sotme është që përkujdesi, mirëqënia, liritë dhe të drejtat e njeriut, pra edhe e shqiptarëve, plotësohen, realizohen, përmbushen, prosperohen, më shpejt, më shumë, më qëndrueshëm në një hapësirë territoriale, politike, ekonomike e sociale, që nuk njeh kufijtë, apo më saktë që nuk njeh ndarje dhe diskriminime. Pa dallim rrace, gjuhe, etnie, prejardhje sociale etj. Është kjo tashmë e zyrtarizuar si një politikë shtetërore e Shqipërisë. Angazhimi konkret me lëvizje dhe tubime, nën petkun e nacionalizmit histerik, përkundrejt kësaj politike shtetërore të integrimit në "Europën e Madhe" - politikë e gjithëpranuar e Shqipërisë tashmë - ka veçse qëllime primitive për t'u shndërruar artificialisht në aktor apo faktor në ambientin politik.
D. Në këtë vazhdë janë edhe të ashtuquajturat "letra publike" të drejtuara nga zyrtari kushtetues z. Spahiu, drejt personaliteteve të larta të shteteve fqinje. Duke abuzuar me asociacionin iluziv të paralelizmit midis zyrtarëve të lartë të huaj, letërmarrës, pretendohet të ndërtohet artificialisht edhe "madhështia" zyrtare dhe publike e figurës së letërdërguesit.
E. Për të përmbushur edhe mozaikun e sjelljes politike të këtij zyrtari, janë edhe anatemimet apo kundërshtimet ndaj "sulltanëve" të politikës së brendshme. Përdorimi i frymës radikalo-ekstremiste, deri edhe revolucionare, është instrument që ka treguar të jetë i aftë të tërheqë vëmendjen e shoqërisë. Por në mungesë të plotë të konstruktivizmit në arsyetim, ky është shtrati më i sigurt për instalimin e një fryme të helmuar midis shtresave në një shoqëri. Injektimi i tensioneve të brendshme, frymës se antitetizmit, të totalitarizmit, të përmbysjes me mjete dhune, është qëndrimi i gabuar, i aftë të trondisë - nëse ushqehet - edhe vetë bazën e sistemit demokratik, pikërisht besimin e shoqërisë në funksionimin e mekanizmit të përfaqësimit nëpërmjet votës. Ka vetëm një arsye se përse mund të anatemohet një sistem i tillë: pafuqia intelektuale dhe shterpësia ideore për t'u përshtatur me këtë sistem vlerash dhe mjetesh. Prej zyrtarit Spahiu është kërkuar të fitohen kredo politike, duke e treguar veten si mbartës i një fryme të re reformuese. Por shtrembërimi i krijuar prej aktivitetit në fjalë është se nëpërmjet tij nuk propogandohen reformime ideore, por zëvendësim artificial individësh, logjikë kjo që i përshtatet sistemeve totalitare të dhunshme.
Në këto rrethana, Komisioni Hetimor nxjerr përfundimin se zoti Kreshnik Spahiu, me dashje të drejtpërdrejtë, ka devijuar nga funksioni kushtetues i zëvendëskryetarit të KLD-së, njëherazi anëtar i saj dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike.
Nga analiza e këtyre fakteve, Komisioni Hetimor nxjerr përfundimin se zoti Kreshnik Spahiu, ka abuzuar në mënyrë flagrante dhe ka shpërdoruar kompetencat e menaxhimit administrativ dhe financiar të institucionit.
3. Mbi largimin me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur në funksion të axhendës politike pa leje të organeve eprore sipas ligjit.
Sipas të dhënave, konstatohet se zoti Kreshnik Spahiu, për vitin 2011 ka dalë dhe ka qëndruar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për një periudhë në total prej 26 ditësh kalendarike me total dalje 8 herë. Në këtë përllogaritje nuk është përfshirë leja e zakonshme e tij prej 1 muaji. Z. Spahiu vetëm në dy raste ka njoftuar Kryetarin e KLD-së për largimet e tij jashtë territorit të Republikës.
Nga dokumentacioni i shqyrtuar, rezulton se pothuajse në çdo rast të largimit jashtë shtetit, z. Spahiu nuk ka zbatuar praktikën e njoftimit të organit epror. Në vitin 2011, ai ka njoftuar vetëm 2 herë Presidentin e Republikës për lëvizjet jashtë shtetit, duke kërkuar madje edhe leje prej tij. Në të gjitha rastet e tjera nuk ka asnjë akt njoftimi të tillë, edhe pse këto largime janë kryer nga z. Spahiu përgjatë kohës normale të punës.
Koha e përdorur për zhvillimin dhe pjesëmarrjen në këto aktivitete ka zvogëluar ndjeshëm kohën të cilën ky funksionar duhet t'ia dedikonte ushtrimit të detyrës kushtetuese të tij. Është e padyshimtë lidhja organike e këtij argumenti me faktin e rënies së intensitetit dhe të cilësisë së ushtrimit të detyrës së zëvendëskryetarit të KLD-së, sic u konkludua nga Komisioni Hetimor në faktet e përshkruara të drejtimit të dytë hetimor të këtij raporti.
Nga analiza e këtyre fakteve, Komisioni Hetimor nxjerr përfundimin se z. Kreshnik Spahiu është larguar me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur në funksion të axhendës politike pa njoftim të organeve kushtetuese me të cilat lidhet ushtrimi i detyrës së tij kushtetuese.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë