I pyetur nga "A1Report!" se a është i gatshëm t'i votojë tri ligjet e integrimit ashtu siç u propozua sot nga Meta, Kryeministri tha: “Nuk kam dëgjuar gjë, por ligjet i votoj në çdo orë të ditës e natës; në çdo moment japim votën tone për to ashtu siç janë. PD-ja, përsa u përket ligjeve, ka qënë, është e do jetë e gatshme çdo ditë për t’i votuar ashtu si dhe çdo marrëveshje e ligj për integrimin europian.
Berisha edhe njëherë tjetër vuri në dukje se “tri ligjet i ka bllokuar z.Edi Rama. I ka bllokuar në një akt të paprecedent. Si ju vjen ju kur dëgjoni kryeministrin Daçiç t’u thotë qytetarëve se marrëveshjen me Kosovën e firmosën për t’i hapur rrugën integrimit, kursë kryetari i opozitës këtu bllokon integrimin, bllokon tre ligje dhe kur të tjerët i thonë se ke bllokuar integrimin e Shqipërisë për interesa politike, deklaron thjesht se s’kam thënë kurrë?!
Në Bruksel u firmos një marrëveshje, të cilën të dy palët e firmosën duke vendosur interesat europiane të parat dhe kjo është një arritje e madhe e ndërmjetësuar nga baronesha Ashton, kurse këta zotërinj e themeluan partinë e tyre, meqënëse nuk shkonin në atë rrugë ku ishte Shtëpia e Partisë, shkuan përsëri me një Dushan dhe një Bllazho, rithemeluan partinë. Më thuaj, çfarë kuptimi kishte? Nuk gjenin dot kumbar tjetër ata të dy për këtë akt?!
Ishte karshillëk që u bëhej shqiptarëve, karshillëk i hapur për qëndrimin e tyre antieuropian. Nuk kam parë kështu. Ndaj, në “In ekstremis” ne vendosëm të shkojmë në referendum dhe dua t’ju them se gjëja më e papëlqyer për mua ishte referendumi. A i harroj unë gabimet e mia? Jo! Megjithatë do shkoj.
Berisha ritheksoi se: "Ne jemi të gatshëm të votojmë çdo ligj që i shërben integrimit të vendit në BE. Ky është qëndrimi ynë. Ai megjithatë vuri në dukje faktin se Shqipëria e humbi këtë pranverë sërish, shansin e statusit kandidat dhe kjo për shkak të kryetarit të opozitës. "10 ditë më parë më duket se e dëgjova z.Rama të fliste sërish për problemet e Fierit, se ata janë unikë për të krijuar pseudongjarje.
Historiku i tri ligjeve është bërë i njohur tashmë në gjithë botën nga të gjithë ata që kanë interes miqësor për këtë vend. Që nga fillimi i vitit 2012 e deri më sot ato ligje kanë pritur; në tetor të vitit 2012, Këshilli i Europës i vuri kusht me qëllim që të bëjë propozimin përfundimtar për statusin kandidat. Këshilli shkroi në raport se Shqipëria ka bërë të gjitha përparimet e sukseshme në reforma dhe priti rreth 6 javë, deri më 20 nëntor, votimin e këtyre ligjeve në Parlament.
Kjo ishte një kundërvënie flagrante e paprecedentë, sepse z..Rama refuzoi në mënyrë kategorike votimin e këtyre ligjeve dhe nxori si pretekst, Fierin. Nxori Fierin. Pasi iu tha publikisht dhe privatisiht se ky pretekst nuk qëndron, pasi iu tha se kjo çështje është pa materie, ai përsëri deklaroi se unë nuk do t’i votoj këto tri ligje. Këshilli i Europës tregoi durim të madh. Pasi kaloi afati I 20 nëntorit, e për rrjedhojë nuk bëri dot rekomandimin, edhe Këshilli edhe Komisioni e lanë hapur plotësisht mundësinë e shqyrtimit të dosjes së Shqipërisë në mbledhjen e marsit.
Z.Rama, për qëllime kryekëput personale, i bllokoi ato dhe na çoi të shpallnim se këto ligje do t’i votonim me Referendum, të gatshëm plotësisht nëse kreu i PS-së do të binte dakord. Marsi erdhi dhe Shqipëria e humbi çdo shans për të marrë këtë pranverë statusin kandidat,një pasaportë të shkëlqyer që I përgjigjej përpjekjeve të saj, për të marrë 100-ndra milionë euro nga vendet e BE-së, për të hapur dhjetra mijëra vende pune të reja. Shqiptarët humbën, emigrantët shqiptarë humbën mundësinë që qeveria e tyre të bënte negociatat më serioze. Ne përditë kemi marrë kërkesa nga emigrantët se çfarë bëhet me pensionet tona.
Ndaj, përsa i përket tri ligjeve, PD-ja është e gatshme t’i votojë që nesër ato; t’i votojë çdo ditë. 10 ditë më parë më duket se e dëgjova z.Rama të fliste për problemet e Fierit se janë unikë për të krijuar pseudongjarje, por ne jemi të gatshëm të votojmë çdo ligj që i shërben integrimit të vendit në BE. Ky është qëndrimi ynë", - përfundoi Kryeministri.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)