TIRANË- Për të disatën herë Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka dalë në mbrojtje të ish zv.kryeministrit Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për dosjen e inceneratorëve, por ndryshe nga herët e tjera Berisha këtë herë doli publikisht i shqetësuar për fatin e ish-ministrit. Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Ahmetaj dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë, duke thënë se kjo është një mënyrë që kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj t'i mbyllin gojën. 

“Breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt. Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën që të mos i bëjë publike. Kërcënimet me jetë ndaj familjes së Ahmetajt që vërshojnë nga qelitë e burgjeve të Shqipërisë dhe zyrat e krimit të institucioneve shtetërore”, tha Berisha. 

I shqetësuar, Berisha i kërkon edhe drejtësisë ta marrim urgjent në mbrojtje Ahmetajn dhe familjen e tij, teksa apelon që prokuroria ta pranojë si bashkëpunëtor të drejtësisë.

“Ju bëj thirrje të gjithë hetuesve, prokurorëve, policëve, punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit, që janë të interesuar në zbardhjen e të vërtetës rreth vjedhjes së shekullit, të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por edhe vetë Arben Ahmetaj. Të dërgojnë aty ku ndodhet ky i fundit hetues, duke e pranuar atë si bashkëpunëtor të drejtësisë", vijoi Berisha. 

Por, kjo deklaratë e Berishës ngre pyetjen se nga e di ish-kryeministri që Arben Ahmetaj u kërcënua? Mos ndoshta Berisha ka kontakte personale me Ahmetajn? Përse i kërkon Berisha SPAK që ta pranojë Ahmetajn si të ‘penduar’ të drejtësisë? Nga e di ai që Ahmetajt e ka një kërkesë të tillë? Të gjitha pikëpyetje që presin pa përgjigje nga Sali Berisha!

Ndërkohë, sa i takon çështjes së inceneratorëve, Berisha i ka kërkuar dorëheqjen kreut të ILD-së, Artur Metani.

"Sipas burimeve origjinale, po ushtrohet presion i madh ndaj ekipit të hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj të hetohet çdo kontakt i cilitdo punonjës me ekipin e hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të inspektorit të lartë të drejtësisë, Artur Metani, i cili është ligjërisht dhe penalisht një nga përgjegjësit më kryesorë të aferës së djegësave në Shqipëri", tha Berisha.