Qëndrimi
Ish-kryeministri Berisha theksoi dje se krahasimi i tragjedisë së Gërdecit me ngjarjen e ndodhur në Divjakë pak ditë më parë nuk janë të njëjta. Sipas tij, në Gërdec ndodhi një aksident dhe të gjithë përgjegjësit u vunë përpara drejtësisë. Por kur jemi rreth 6 vjet nga tragjedia e ndodhur në vitin 2008 ku vdiqën 26 persona, nuk ka asnjë person prapa hekurave pasi që të gjithë janë liruar pasi kanë kryer dënimin e tyre. “Është krejtësisht tjetër si situatë. Po krahason të pakrahasueshmen. Ai ishte një aksident shumë tragjik, i cili u trajtua në mënyrën më serioze, në të gjitha aspektet. Ishte aksidenti i një kompani private me një konkluzion të padiskutueshme me MEICO-n dhe u nxorën të gjitha përgjegjësitë.
Më thuaj çfarë përgjegjësie po nxjerr ky përveç faktit se trafikanti i tyre Saimir i thotë Saimirit të ministrisë thuaj që na grishi Berisha duke thënë se në Divjakë zbarkohet. Tallen me vendin këta? Përsa i takon dorëheqjes së Edi Ramës unë dua ti informoj shqiptarët, se Edi Rama kurrë nuk dorëhiqet. Harrojeni se do të dorëhiqet. Psikika e tij është e tillë që atë nuk e lejon të dorëhiqet, por duhet dorëhequr, duhet hequr. Demokracia katë gjitha mjetet e veta, duhet shpëtuar vendi prej tij”,-tha Berisha.
Protesta
Ashtu siç bëri përpara 20 shkurtit, ditë në të cilën PD doli në protestë, Berisha mblodhi sërish në zyrën e tij gazetarët për të dhënë deklaratat e radhës kundër qeverisë. Duke shfrytëzuar situatën, Berisha theksoi se populli duhet të ngrihet në këmbë për të rrëzuar qeverinë pasi sipas tij, akuzat e bëra nga opozita lidhur me trafikun e drogës janë mëse të vërteta. Krahas kësaj, lidhur me llojin e protestës, Berisha tha se do të jetë demokratike dhe paqësore dhe i kërkoi policisë së shtetit që të mos provokojë turmë. Lidhur me protestën e PD-së foli dje edhe Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi dje pas deklaratës së kryeministrit të vendit Edi Rama duke pohuar se Rama duhet të jap dorëheqjen ose në të kundërt do të përballet me reagimin qytetar. “Dorëhiqu dhe hap rrugën për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica. Përndryshe do të përballesh me të gjithë qytetarët e këtij vendi. Por këtë fundit, të narkotrafikut me lejen dhe mbrojtjen tënde nuk e gëlltit askush. Këtë çorbë që vetë ke gatuar do ta hash vetë”,- tha Basha.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)