TIRANE - Banda e tritolit është banda e qeverisë, shkruan në Facebook, ish-kryeministri Sali Berisha në profilin e tij në Facebook. “Ra kjo bandë tritoli dhe na bashkoi!”, shkruan Berisha, i cili thotë se, Ndriçim Gjokona, ish-komisioner i PS, nga frika se do të eleminohej ka shkuar dhe ka denoncuar në polici.
 
“Të dashur miq, Vlora dhe Fieri gumezhijnë këto ditë në çdo kafene, restorant, kazino, biliardo, në çdo tryeze dhe sofër se banda e tritolit është banda e qeverisë dhe këtë nuk e luan as topi dhe kjo jo vetëm se banda erdhi së bashku me tritolin e qeverisë por sepse faktet flasin sa vijon:
 
-Ndriçim Gjokona, ish-komisioner i PS, në zgjedhjet e fundit tradhëtoi për të shpëtuar kokën, por me qëllim që të eleminohej sipas ligjit të mafies atij nuk iu pranua dëshmia dhe nuk iu dha mbrojtje nga Policia e Partisë për 7 ditë me rradhë. Pra u la i lirë në mëshirë të fatit, më falni në mëshirë të vrasesit!
 
-Porositësi Mitro ishte kumbara i Bashkisë
-Porositësi Karçini ishte kumbara i qeverisë
-Porositësit e tjerë i shpëtoi duke i njoftuar Policia e Partisë
-Avokati i Karçinit u caktua nga kryekreu prokurori i Partisë që të informoj Partinë por dhe të mbrojë klientin e tij.
 
-Të gjithe ndërmjetesit midis Julianit dhe porositësve të vrasjeve u njoftuan sapo u belbëzuan në hetime emrat e tyre. Mëhillajt morën arratinë. Mitrua, që kishte kryer detyrë partie, nuk besoi në fillim dhe vonoi arratinë ndaj dhe padashje u ndalua në Rinas.
 
Besnik Dervishi i qeverisë akuzoi për tritolin në të ndenjurat e tij Gjikën e Bashkisë. Gjika me gjuhë të koduar nga vet kryekreu iu pergjigj me thirrje kërcënuese ne konferencë shtypi: "z. Dervishi mos devijo hetimet (se ato i di shefi) përndryshe, - i shkruajti në sms, - do tregoj të vertetën, madje dhe personin që telefonoi Gardën për kallëpin e tritolit në të ndenjurat e tua". Dhe Dervishi e qepi!
 
Miq, Vlora dhe Fieri gumëzhijnë jo vetëm se banda e tritolit është banda e Partisë por në këto qytete i madh e i vogël betohen se Juliani, Gjokona, Mëhillajt, Mitro, Karkini, janë thjesht skalioni i dytë dhe i tretë i bandës së Tritolit dhe se boset, ata më të rëndësishmit e saj, nuk janë kapur dhe nuk kapen. Ata informohen dhe mbrohen nonstop nga Policia e Partisë, madje darkojnë e bëjnë orgjira me qeverinë dhe qeveritaret e tyre”, shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në Facebook.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)