TIRANE - Kreu i PD të Kavëjës Ramazan Okshtuni në lidhje me mungesën e Berishës në prezantimin e dy kandidatëve për deputetë në këtë rrethe është shprehur se ajo ka ardhur për shkak të axhendës së ngjeshur. “Arsyeja që doktor Berisha nuk ishte në prezantimin e kandidatëve për deputetë në Kavajë ka qënë axhenda shumë e ngjeshur e tij me takime dhe prezantime në të gjitha qarqet.

Ne kemi program shumë të ngjeshur, dhe nuk mund të presin shumë ditë. Por ajo që mund të them është që mitingun e madh do ta zhvillojmë shumë shpejt do të jetë prezent dhe kryetari Sali Berisha”, ka qënë deklarata e Okshtunit. Në lidhje me prezencën e kreut të bashkisë së Tiranës në këtë takim e jo të ndonjë zyrtari tjetër, kreu i PD Kavajë e ka arsyetuar me faktin se “Basha është anëtar kryesie, kryetari më i suksesshëm i bashkisë së Tiranës”.

Sipas tij takimi në Kavajë ishte jashtë parashikimit, megjithëse ishin shumë njerëz mbrëmë. “Ne jemi me doktorin, mitingun e madh do ta bëjë doktori së shpejti. Deputeti i parë është vetëm Sali Berisha. Ai është jo vetëm deputet, por lideri i gjithë Shqipërisë.

Mitingu i madh do të bëhet në shesh. Salla ishte tejmbushur, dhe gjysma e ndiqte jashtë sepse ishte me monitor”, nënvizon Okshtuni. Sipas tij, militantët kërkuan një përfaqësues nga Tirana, meqë Basha është një kryetar i suksesshëm i bashkisë së kryeqytetit erdhi. “Por ne mirëpresim çdo autoritet të PD. Kjo ishte për t’i dhënë një start fushatës elektorale, për të filluar me kapacitet të plotë”, tha ai.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)