TIRANE - Ndryshe nga sa kishte premtuar në mes të Prillit se vetë kryeministri Sali Berisha do të ishte në Kavajë për të prezantuar dy kandidatët për deputetë të këtij qarku, Gentian Deliallisi dhe Shpëtim Hoxha, nuk ndodhi kështu. Berisha preferoi të shkojë në Berat, dhe në zonën e tij elektorale, në qytetin e Kavajës nuk u duk. Në fakt, në vend të tij, për të prezantuar dy kandidatët ishte kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Eshtë hera e parë në 23 vite që Sali Berisha nuk shkon vetë në Kavajë të prezantojë kandidatët dhe të çelë fushatën elektorale. Të gjitha këto vite, kur ka pasur fushatë, ai ka qenë prezent atje madje, edhe deputet i zgjedhur në këtë zonë. Tashmë është i pari i listës së Tiranës, por ka zgjedhur që në Kavajë të dërgojë Lulzim Bashën, dhe jo ndonjë funksionar tjetër të lartë të Partisë Demokratike.

Madje, takimi i pasdites së djeshme për prezantimin e dy kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për Kavajën, nuk u zhvillua në sheshin kryesor në qendër të qytetit, por në mjediset e kinemasë, në një sallë të mbyllur, ndërkohë që jashtë sallës, ishin vendosur altoporlantë për tu dëgjuar nga populli. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi. “Mua nuk më duket aspak habi që Berisha nuk vjen në Kavajë të prezantojë kandidatët për deputetë.

Nuk ka për të ardhur se nuk ka çfarë të thotë përballë popullit të Kavajës. Kavajasit vetë po e shohin nga dita në ditë se ç’po ndodh në qytet, dhe për më tepër, e kanë parë se në 23 vite, edhe pse e kanë pasur deputet vetë kryeministrin Sali Berisha. Ka tetë vjet tashmë që drejton qeverinë dhe investime për qytetin e Kavajës nuk ka dhënë. Brenda dy viteve me fondet e bashkisë kemi bërë 33 rrugë të reja.

Habitem pse vjen dhe Lulzim Basha të bëjë prezantimin e kandidatëve të qytetit të Kavajës. Mirë është që të ketë marrë eksperiencë nga rrugët e trotuaret e shtruara, të ketë parë bashkinë e re, sepse e ka pasur direkt përballë kinemasë kur hyri për takim, të ketë parë projektin e xhamisë, dhe shumë punë të tjera të qytetit, që të mund t’i aplikojë në Tiranë, aty ku nuk po mundet që të mbyllë një rrugë të vetme.

Ndërkohë që sot qyteti i Kavajës ka ndryshuar, pavarësisht se qeveria në çdo moment ka dashur të bllokojë punën. Qytetarët e Kavajës e dinë shumë mirë se çdo të zgjedhin dhe si do të reagojnë me votë në 23 qershor” tha kreu i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, i cili në këto zgjedhje mbështet kandidatin e Partisë Socialiste Parid Cara, që renditet i 10-ti në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut të Tiranës.

Por kjo mungesë e Berishës në prezantimin e kandidatëve për deputetë në Kavajë dhe dërgimi në vendin e tij të kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha është komentuar në ambientet e selisë blu si një hapje rruge nga Berisha për pasuesin e tij në krye të PD.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)