Berisha çon sms, Rama
përgjigjet: Ik në shtëpi

Berisha çon sms, Rama<br />përgjigjet: Ik në shtëpi
TIRANE - Dje me mijëra e mijëra abonentë nuk janë habitur aspak ndërsa kanë marrë një sms personal nga kryeministri Sali Berisha.

Në të thuhej “Së bashku arritëm shumë. Gjetëm një vend jashtë NATO-s, me rradhë për viza, me rroga e pensione mjerane e me mungesa në drita, ujë, rrugë, shkolla e investime. Sot vendi ka ndryshuar shumë, por kemi ende shumë për të bërë. Mirëpres sugjerimet tuaja për mandatin e ri tek 0672099410. Miqësisht, Sali Berisha”.

Mesazhi i kryeministrit qarkulloi në gjithë telefonat e qytetarëve shqiptarë gjatë mesditës. Ironikisht, edhe Edi Rama, lideri i opozitës, thotë nga Devolli, ku ishte për takimet e tij elektorale, se e kishte marrë një mesazh të tillë.
Dhe nuk ngurron të kthejë përgjigje në tëitter. “Më erdhi një sms nga Saliu! Do sugjerime nga njerëzit. Unë i sugjerova të shkojë të punojë gjysh full time tani, se dhe rrugët u lodhën me të”.

Kjo nuk është hera e parë që në fushatën elektorale, liderët e partive politike shfrytëzojnë telefonat e qytetarëve për të dhënë mesazhet e tyre elektorale. Katër vite më parë, mesazhe të tilla duket se ishin edhe me mesazhe në kolonë zanore. Telefonat e shtëpive të qytetarëve pothuajse në gjithë vendin binin dhe pas receptorit të telefononit dëgjohej një zë: “Përshëndetje, unë jam Edi Rama. Ju mora për...”. Ose “Përshëndetje, jam Sali Berisha, po ju telefonoj...”.

OPERATORËT CELULARË

Ndryshe nga katër vite më parë, PD dhe kryeministri Sali Berisha për të dërguar këtë vit mesazhin promocional e ka pasur më të vështirë. Kompanitë celulare që operojnë në Shqipëri, vodafone, amc dhe eagle, nuk kanë pranuar të japin të dhënat dhe numrat e klientëve të tyre, pasi ligjerisht nuk e kanë këtë të drejtë. Edhe pse është mesazh promocional, ai është një mesazh politik.

Burime të IT të këtyre kompanive deklaruan për shqiptarja.com se këtë radhë, duket se PD e ka gjetur me kompanitë e reja call center, që janë hapur në Shqipëri.

“Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një call center. Bëhet fjalë për marrjen e të gjitha call center-ave në Shqipëri, për ti vënë në funksionim të këtyre mesazheve, sepse mesazhi u ka vajtur gati të gjithëve. Teknikisht, këto kompani, nuk kanë të drejtë të mbledhin database, por ato janë të afta të marrin numrat sipas serive që kanë. 80 përqind e këtyre kompanive funksionojnë me kapacitet të plotë. Janë me seri numrash dhe mund të hapin kodin. Ligjërisht nuk lejohet marrja e të dhënave. Por mund të jetë mesazh promocional dhe duhet ndarë a lejohet apo jo të bëhet një operacion i tillë”, thotë një agjent informativ në një prej kompanive të telefonive celulare në vend.

Mesditën e djeshme edhe rrjeti social facebook u përfshi nga debate të shumta për mesazhet që kishin ardhur nga kryeministri në emër të pjesës më të madhe të përdoruesve të këtij rrjeti. Në mënyrë ironike kishte nga ata që janë tallur dhe kanë kërkuar mendime edhe në rrjetin social se çfarë mendimesh dhe sugjerimesh ti shkruan kryeministrit në komentet e tyre.

Njëri prej tyre në rrjetin social facebook shkruan përgjigjen për kryeministrin: Zoti kryeministër, amanet Greta Koçin. Bëje ministre Integrimi në vend të Majlindës. Ndërsa gjigandin, filozofin Nard Ndoka bëje ministër të Jashtëm sepse të huajt nuk dinë shqip. Nejse, ajo që po kuptoj është se edhe kompanitë celulare janë ndarë. Kështu, mesazhet e Kreshnik Spahiut mua më vijnë te numri vodafone, mesazhet e Sali Berishës më vijnë te numri eagle. Tek numri AMC s'më ka ardhur gjë ende, por kam shpresa deri në 23 qershor”, thuhet në një prej komenteve në rrjetet sociale.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN