Berisha citon Nanon: Rama
vidhte ikona dhe i shiste në Paris

TIRANE - Kryeministri Berisha i kërkoi liderit socialist Rama që të kërkojë falje në emër të partisë së tij për vjedhjen e ikonave dhe pikturave nga kishat shqiptare gjatë komunizmit. Gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë për vitin 2012, duke cituar ish-liderin historik të së majtës, Fatos Nanon, Berisha aludoi se edhe vetë Rama ka qenë pjesë e kësaj grabitjeje.

“Genocidi kulturor që kreu klika hoxhiste në Shqipëri, duke dhunuar vlera shekullore kulturore institucioneve të kultit. Stalini, krimineli më i madh i kohërave nuk shkoi në atë shkallë që shkoi Enver Hoxha, rafshoi kisha, xhami, teqe shekullore. Rama të kërkoj të falur publikisht për këtë genocid të partisë të tij. Nano e akuzoi në katarsis që në Paris shiste ikona të vjedhura. Ia ka thënë këtë për propagandë apo në bazë të fakteve nuk e di, por ikonat i morën piktorët e skulptorët. Nano duhet të sqarojë. Bëj thirrje të dënojë dhe të kthehen të gjitha ikonat e marra nga institucionet e kultit. Janë zhdukur mbi 250 ikona dhe piktura sepse u morën nga këta njerëz”, deklaroi Berisha.

RAMA I PASHPRESE NE 23 QERSHOR, PS QEVERISET NGA 99-SHA
Duke folur për marrjen e vendit të statusit kandidat, Berisha akuzoi edhe një herë kreun e PS-së Rama se ishte ai që mbajti peng vendin për 3 vjet dhe ndërtoi murin e bllokimit. Kryeministri deklaroi se Rama është i pashpresë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe se Partia Socialiste ka fatin e keq të qeveriset nga bllokmenët e rinj dhe 99-sha.

“Kjo qeveri me reformat e saj meritoj plotësisht statusin e vendit kandidat, përveç 3 ligjeve qe qeveria i ka depozituar në parlament, por zoti Rama që parandjen një disfatë të pashpresë në zgjedhjet e 23 qershorit mendon se duke e lënë vendin pa status do të ndihet më mirë. Të keqen e vet do ta lëshojë në të keqen e vendit. 23 qershori do të shembë murin e bllokim të zotit Rama dhe shqiptarët do të ecin të sigurt drejt procesit të integrimit. E mbajti peng 3 vjet, do ta ketë barrë në qafë për gjithë jetën këtë që i bëri vendit. Nuk ka zgjidhje përveç zgjedhjeve të përgjithshme. Rrëzimi i murit të bllokimit me votën e qytetarëve shqiptarë. Shpresën dhe besimin se socialistët do të kenë zërin e tyre në mbrojtjen e interesit kombëtar e shoqëror, mbase në fakt kanë fatin e keq se qeverisen jo nga socialistë por nga neobllokmenët dhe 99-sha”, deklaroi Berisha.

KOKEN E ALI PASHES NE MUZE, TRUPIN DO E LEME NE JANINE

Berisha njoftoi ministrat për shtyrjen deri në prill të Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e pavarësisë, ndërsa kërkoi nga ministri i Arsimit që Televizioni Publik Shqiptar të transmetojë në satelit leksione të gjuhës shqipe dhe të tjera për historinë kombëtare. Berisha iu rikthye edhe kokës së Ali Pashës duke pohuar se e çuan në Stamboll vetëm sepse ishte kokë shqiptari ndaj dhe duhet rikthyer në atdhe, por edhe ndërtimin e Muzeut të Spaçit dhe kthimi i eshtrave të Sami dhe Mit’hat Frashërit.

“U mblodh pardje Komiteti Ndërshtetëror i festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipëri. Komiteti konstatoi se më gjithë punën e madhe që është bërë në të gjitha aspektet kanë mbetur përndjekje dhe disa probleme madhore. Ndërtimi i Muzeut të Spaçit, kampi i përqendrimit më të tmerrshëm. Obelisku në nderim të martirëve të fjalës së lirë, të besimit të lirë, të lirive dhe të drejtave individuale që gëzojmë sot por që mijëra shqiptar e paguan me lirinë e tyre në regjimin diktatorial. Janë dhe një seri detyrash të tjera. Rikthimin e eshtrave të Sami Frashërit, Mit’hat Frashërit, kokën e Ali Pashës se gjithë shtypi me këtë ishte marrë. Ta varrosim në muze, meriton një nderim pas kaq dekadash. Një burrë që krijoi një oborr të ndritur. Trupin jo, trupin e lamë në Janinë se atje e kishte kështjellën. Të ndërtojmë kishën e Vaut të Dejës. Të jepet gjuha shqipe në televizionin shtetëror me satelit, edhe mësimi i historisë kombëtare. Këto dy lëndë duhet të unifikohen me autoritet e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, në mënyrë që shqiptarët kudo që janë të ndjekin mësimin rrjedhshëm të gjuhës amtare dhe të historisë së tyre kombëtare. Është e domosdoshme t’ia zgjasim edhe 3 muaj të tjera, gjer në prill se pastaj fillon fushata zgjedhore dhe nuk është mirë që në fushatë të bëhet propagandë me historinë. Nuk kemi ndërmend ta përdorim. Fushata zgjedhore duhet të jetë me problematika të shqiptarëve” tha Berisha.

BERISHA LAVDE QEVERISE
Kryeministri ka bërë një bilanc të punës dhe arritjeve të qeverisë, ku ka përmendur reformat që nuk e lanë ekonominë shqiptare të binte në recesion, por edhe rritjen e pensioneve dhe hapjen e tunelit të Kërrabës.

“Ne vimë në këtë mbledhje si që qeveri që i është përmbajtur programit të saj. Ndoshta edhe më mirë se dhjetëra e dhjetëra qeveri të tjera. Një qeveri e cila në kushtet e një krizë të paprecedentë në Europë dhe botë ia doli në saj të reformave të saj që ekonomia shqiptare të mos njohë recesionin dhe në vitin më të vështirë. Të një qeverie e cila përfundoj një vepër tjetër madhore, pas Rrugës së Kombit, tunelin e Qafë Kërrabës, ëndërr shekullore e shqiptarëve dhe qindra kilometra autostrada e rrugë kombëtare, mijëra kilometra rrugë dytësore në mbarë vendin. Një qeveri me ambicie të mëdha ndryshoi në mënyrë rrënjësore sistemin arsimor të vendit, këtë vit u inauguruan një sërë shkollash . Një qeveri ndër më të paktat rriti rrogat dhe pensionet 2 herë më shumë sesa indeksi i çmimeve. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në rrafshin kombëtar për njohjen e Republikës së Kosovës, ka qenë dhe mbetet një faktor paqeje në Ballkan. Në të gjitha fushat ka pasur progres. U shpallën rezultatet e censusit, treguan se është një Shqipëri krejt tjetër. Është shumë më e avancuar. Një bilanc përfundimtar do ta bëjmë ditët e para të vitit që vjen. qeveria bëri më të mirën që kremtimi i 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipëri të ishte në lartësinë dhe dinjitetin e merituar. Në këtë kontekst për të gjitha këto shpreh mirënjohje të thellë ju zoti ministra, bashkëpunëtorëve të tuaj, gjithë punonjësve të administratës që bën të mundur që ky vit në kushtet e krizës të jetë në vit i suksesshëm për të gjithë shqiptarët”, tha Berisha.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë