TIRANË - Kryeministri Sali Berisha i ka drejtuar një mesazh drejtuar të gjithë anëtarësisë të PD, fillimisht për t'i përshëndetur "për qëndrimin e qytetëruar, pritjen dinjitoze që po dëshmoni në takimet me kandidatët tanë në garë për kryetarë të Partisë Demokratike".

E më pas për të theksuar se "sot i tërë pushteti i PD qëndron tërësisht në votën tuaj" dhe se "në këtë garë të gjithë anëtarët e PD pavarësisht me ose pa funksione partiake ose shtetërore janë më të barabartë se kurrë".

Ai ka bërë thirrje miqësore që "në interesin më të mirë tuajin dhe të PD të përdorni votën tuaj jashtë çdo ndikimi për të zgjedhur në krye të PD kandidatin që ju besoni dhe vlerësoni se do të na udhëheq më me siguri drejt fitores tonë të ardhme".

MESAZHI I PLOTË NË FACEBOOK I BERISHËS, DREJTUAR DEMOKRATËVE:

"Të dashur miq!

Me këtë mesazh dua t'ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh krenarinë time me ju anetarët dhe anëtarët e PD për qëndrimin e qytetëruar, pritjen dinjitoze që po dëshmoni në takimet me kandidatët tanë në garë për kryetarë të Partisë Demokratike. Me këto qëndrime ju po ndërtoni një vlerë të re, një mekanizëm të ri të demokracisë sonë, atë të zgjedhjes direkte të liderit të PD. Kjo ka rëndësi kombëtare. Sot i tërë pushteti i PD qëndron tërësisht në votën tuaj. Në këtë garë të gjithë anëtarët e PD pavarësisht me ose pa funksione partiake ose shtetërore jemi më të barabartë se kurrë në pushtetin tonë për zgjedhjen e liderit të ri të partisë sonë. Çdonjëri nga ne ka një dhe vetëm një votë. Me besim të plotë në mençurinë, vullnetin, ndershmërinë tuaj ju ftoj miqësisht në interesin më të mirë tuajin dhe të PD të përdorni votën tuaj jashtë çdo ndikimi për të zgjedhur në krye të PD kandidatin që ju besoni dhe vlerësoni se do të na udhëheq më me siguri drejt fitores tonë të ardhme. Zoti ju bëkoftë ju dhe Partinë Demokratike! Sb".

berisha fb

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)