TIRANE- Vetëm 10 minuta janë dashur për të rrënuar njëherësh protestën e qytetarëve dhe shoqërisë civile kundër ardhjes së armëve kimike siriane në Shqipëri dhe përpjekjen e ish-kryeministrit Berisha e kreut aktual të PD Basha për të bërë kauzë të tyre protestën e qytetarëve. Protestuesit reale panë me sytë e tyre se mbi 70% e pjesmarrësve ishin anëtarë të Forumit Rinor të PD, OJQ që kishin marrë lekë nga ish-qeveria Berisha dhe pjesa tjetër të pakënaqur me qeverisjen e PS. Pjesa reale e shoqërisë civile s’kishte lëvizur në numra duke mbetur solide.

Ndërsa Berisha e Basha kanë parë dhe njëherë se janë të padëshiruar nga qytetarët shqiptarë që përmes votës kundër e kanë larguar PD nga qeverisja, duke treguar se është ende herët për të menduar ardhjen në pushtet. Kështu, ish kreu i qeverisë Berisha e kryetari i PD Basha janë përzënë nga protuestuesit e vendosur para kryeministrisë. Ata bënë thirrje për të mos politizuar kauzën dhe u kërkuan që të largohen sa më parë, që të mos tentonin të përfitonin nga kauza e tyre. Pas deklaratave të Bashës “jemi këtu për t’i thënë jo armëve kimike, jo transparencës” e të Berishës “ftoj të ngrihen të gjithë të rinjtë në protestë të fuqishme kundër armëve kimike në Shqipëri”, u dëgjua zëri kontetues i protestuesve që kanë bërë thirrje për dhjetë minuta që të largohen menjëherë nga protesta përballë kryeministrisë, që ka sjellë moment të keq për Berishën i cili nuk është ndjerë mirë.

Pasi ishte përgatitur skenari që bashkë me ardhjen e tij të deklarohej dhe tërheqja e qeverisë nga bisedimet me SHBA për armët kimike, në mënyrë që kjo tërheqje t’i atribuohej opozitës. “Largohu. Mos politizoni protestën. Ne kemi ardhur kundër armëve kimike. Ikni politikanë. Jeni pazarxhinj. Ne jemi këtu e ata duhet të debatojnë në Kuvend. Ne s’jemi këtu për politikë, por për qytetarët”, thirrën me megafon drejtuesit e protestës. Prezenca në shesh zgjati 10 minuta dhe Berisha e Basha u larguan nga protesta. Berisha shoqërohej nga mbesa Desara e dhëndri Jamarber Malltezi. “Berisha s’duhej të vinte. Kishte të rinj që i kanë gjuajtur me domate, politika po të donte do kishte vepruar më parë dhe jo pas pilafit. Pjesëmarrësit kanë vendosur të qëndrojnë këtu, e ne i bëjmë thirrje të gjithëve që parimisht bashkohen me kauzën tonë. Berisha e Basha erdhën për të bërë sfilatën, erdhën si larva”, thanë me mikrofon protestuesit. Që kanë qënë shumë të vendosur në mospolitizimin protestes kundër armëve kimike.

Basha: T’u thuhet “Jo” armëve kimike
Kryetari i PD tha se opozita mbështet protestën qytetare e tashmë ka nisur e do vazhdojë me hapa institucionalë për të kundërshtuar ardhjen e armëve kimike në Shqipëri. “Të mos merren vendime që rrezikojnë shëndetin publik dhe sigurinë e tyre. T’i thuhet jo ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Protesta jonë, protestë të qytetarëve shqiptarë, do vazhdojmë t’i mbështesim”, tha Basha.
 
Milo: Jo pagesë për haraçin e Assadit
“Protesta qytetarë duhet të vazhdojë edhe për çështje të tjera që i shqetëson shqiptarë. Dhe nëse Shqipëria do ti thotë jo armëve kimike siriane, kundër mijëra “Po” që ka thënë Shqipëria për SHBA bën që miqësia të mos cënohet. Ne si çdo komb duhet të vëmë para fatet tona, sigurinë tonë para se të rregullojmë fatin e dikujt tjetër. Ne nuk kemi pse të paguajmë haraçin e Asadit e të Sirisë”.

Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)