"Mbrëmë Koço Kokëdhima sulmoi të gjithë socialistët gjenuinë e të ndershëm që punuan për vite me radhë por asnjëherë nuk u korruptuan dhe nuk përfituan kurrë fonde publike apo ndere nga ish kryetari i bashkisë së Tiranës për 11 vjet dhe fatkeqësisht sot kreu i PS, Edi Rama. Mbrëmë Koço Kokëdhima e nisi sulmin e tij me liderin historik të PS Fatos Nano për të kaluar tek një nga figurat kryesore të PS Arben Malaj, për të arritur tek unë e madje për të shkuar shumë larg kur sulmoi gazetarë ithtarë të pastër të së majtës si Mustafa Nano. Mbrëmë shqiptarët e veçanërisht të majtët panë me zë dhe me figurë urrejtjen patologjike të liderit shpirtëror të Edi Ramës për PS, dhe njëkohësisht dashurinë e tij për OMGJ-të apo OMGJ-të mavi brenda kësaj partie, më konkretisht dashurinë e madhe për modelin Koco-Edi."- tha Islami në një deklaratë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit.
Ish-deputeti socialist akuzoi Ramën se i ka dhënë Kokëdhimës 19 milionë dollarë tendera gjatë kohës që Rama ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Nuk është rastësi që Koço Kokëdhima mbron Edi Ramën dhe dje Edi Rama nga autobusi elektoral e quan Koçon vlerë të shtuar në PS, sepse ndryshe nga socialistët e ndershëm që punuan me devotshmëri dhe asnjëherë nuk u korruptuan dhe nuk përfituan kurrë fonde nga bashkia e Tiranës, gjatë gjithë qeverisjes së Edi Ramës Koço Kokëdhima ka marrë jo pak por 19 milionë dollarë ose 19 miliardë lekë tendera.”- tha Islami më tej
BERISHA: SHQIPTARËT NUK E KAPËRDIJNË MODELIN RAMA-KOKËDHIMA
Vetëm 30 minuta para deklaratës për shtyp të Islamit kryeministri Berisha nga Mati ku ishte për të inauguruar rikonstruksionin e një rruge tha se shqiptarët nuk mund të pranojnë modelin Rama-Kokëdhima.
“Modeli i tij është modeli për të cilin qytetarët e Tiranës i thanë rotacion. Ai kujton se do kthehet nga dritarja kur Tirana e përcolli nga dera. A ju kujtohen ju çatitë që binin mbi kokat e nxënësve në shkollat e Tiranës, ato ishin tendera të fituara nga Kokëdhima, në Himarë, pallatet që i kanë zënë frymën qytetit janë nga Koço Kokëdhima, reklamat e Tiranës, reklama që i ndau me z Kokëdhima. Z Rama po të them, qytetari i Tiranës e njohu modelin Rama-Kokëdhima, por ku e di ti që do e kapërdijnë qytetarët e Shqipërisë këtë model. Modelin Rama-Kokëdhima, Tirana e flaku në Lanë. Je më i pashpresë së kurrë”. - tha Berisha.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)