MAQEDONI - Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka bërë publik reagimin e tij lidhur me deklaratat e kryeministrave Berisha e Thaçi për bashkim kombëtar. Për presidentin maqedonas deklaratat e shefit të qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës janë absurde dhe ofenduese, ndërsa i cilësoi për përdorim politik-ditor.

Në fjalën e tij drejtuar fqinjëve, Ivanov thekson se pavarësisht thirrjeve për bashkim kombëtar, Maqedonia nuk ra në asnjë provokim dhe se deklarata të tilla nuk ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike.

“Edhe gjatë këtij viti ndaj Republikës së Maqedonisë u dërguan deklarata absurde dhe ofenduese nga disa politikanë “kujdestar” nga fqinjësia, për marrëdhëniet tona ndër fqinjësore dhe ndëretnike, ne nuk ramë në asnjë provokim. Populli ynë ndër shekuj ka përjetuar dhe mbijetuar shumë. Ka fituar shumë guxim, gjallëri dhe forcë. Ato deklarata për përdorim politik-ditor, as që kanë mundur, e as që do të mund t’i prishin në të ardhmen marrëdhëniet shekullore ndërfqinjësore të popujve në këtë rajon”, -tha Gjorge Ivanov.

IVANOV: JO NDRYSHIMIT TE KUFIJVE, POR HEQJES SE TYRE
Ideve, siç i cilësoi presidenti “radikale” për shtete të maëdha, ai iu përgjigj me një shprehje të Kalegrit sipas të cilit nuk kanë rëndësi ndryshimet në kufij, por e rëndësishme është heqja e kufijve.

“Në hapësirat tona, jo vetëm në Republikën e Maqedonisë, ka ende individë të cilët mendojnë për ide radikale dhe mite për shtete të mëdha. Këtyre ideve dua t’ju përgjigjem me thënien e njërit prej baballarëve të Evropës, të madhit Kalegri, i cili para 90 vitesh tha se “ekziston vetëm një mundësi radikale për zgjidhje të drejtë dhe afatgjate për çështjen e kufijve të Ballkanit dhe kjo është; jo ndryshim, por heqja e atyre kufijve”, tha presidenti maqedonas.

IVANOV: MARREVESHJA E OHRIT MBRON ETNITE
Sipas Ivanov, nëse respektohet Marrëveshja e Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni nuk kanë pse të vihen në pikëpyetje, pasi sipas tij marrëveshja paraqet “model të integrimit dhe jo të asimilimit.”

“Me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit arritëm nivel më të lartë të mirëkuptimit, respektit dhe tolerancës. Ndërtuam edhe model i cili synon integrimin dhe jo asimilimin. Nevojitet përmbajtje e përpiktë rreth parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe vijim i procesit politik, pikërisht në këtë kornizë. Fatkeqësisht këtë vit kishim disa ngjarjeve të patolerueshme që i shqetësuan qytetarët dhe nuk i shkojnë asaj që kemi bërë deri tani në këtë vend. Ishim dëshmitarë të shumë incidenteve, tensioneve dhe rasteve të tjera tragjike. Ju drejtohem të gjithë atyre që nxisin dhe kryejnë vepra të tilla, të mendojnë seriozisht për pasojat dhe të jenë të ndërgjegjshëm se drejtësia do t’i arrijë ato. Askush nuk do të mbetet i padënuar”, tha Ivanov.

IVANOV: REZULTATI I KE, FAJ I FQINJEVE
Lidhur me rezultatin e Këshillit të Ministrave për Datën e Negociatave, Ivanov fajësoi fqinjët të cilët nuk kapërcejnë dot të kaluarën. Megjithatë, Ivanov theksoi se Maqedonia do të vazhdojë të mbetet besnike ndaj përcaktimit të euro-integrimit.

“Si duket, sjelljet e lashta ballkanike, interesat ballkanike, aspiratat dhe ndarjet akoma ekzistojnë dhe imponohen në rezultatet e Samiteve të BE-së. ...Më vjen keq që nuk arriti të jepej porosia e vërtetë. Porosia ime drejtuar atyre që ndikojnë në konkluzione të tilla të Këshillit, është se gabojnë! Porosia ime ndaj atyre që nuk menduan si fqinjët tanë, dhe që ishin të shumtë, ju faleminderit për guximin, lidershipin dhe vizionin. Këtë nuk do ua harrojmë asnjëherë”, u shpreh presidenti.

Në fjalimin e tij, presidenti bëri thirrje që qytetarët të bashkohen rreth prioriteteve kryesore të Maqedonisë, në zgjidhjen e situatës së krijuar rreth miratimit të buxhetit ndërsa zgjedhjet e ardhshme lokale të realizohen në një nivel të lartë demokratik.

INCIDENTI ME MAKINEN E GRUEVSKIT, IVANOV ANULOI VIZITEN NE TIRANE
Presidenti maqedonas anuloi vizitën e tij drejt Shqipërisë me ftesë të kryeministrit Berisha për festën e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Një ditë para kremtimit të kësaj festë (27 nëntor) presidenca maqedonase, pa dhënë sqarime, anuloi vizitën e Ivanov në Tiranë, për shkak se pak ditë më parë, më 23 nëntor, aktivisti i Partisë Civile Taulant Capa qëlloi me vezë makinën e kryeministrit maqedonas Gruevski, gjatë kohës që ky i fundit ishte në një vizitë zyrtare në Tiranë. Incidentet u pasuan edhe me djegien e flamurit maqedonas nga disa të rinj në kryeqytet.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)