BERAT - Kryeministri Berisha ka vendosur të mbledhë çdo javë Kuvendin, për t’i dhënë mundësinë opozitës të votojë me çdo kusht, tri ligjet e integrimit, pavarësisht se është fushatë zgjedhjesh, siç e pohoi ai vetë. Këtë deklaratë, Kryeministri e ka bërë gjatë përurimit të rrugës Urë Vajgurore – Pashalli - Bistrovicë.

Në fjalën që Kryeministri mbajti në Urën Vajgurore, tha: "Ne e përshëndetëm faktin se pas 261 ditëve bllokim, opozita u kujtua për tri ligjet dhe dje ishte e hënë. Po në Kuvend ata bënë ritin e zakonshëm. Sa erdhën ligjet, ata dolën njeri pas tjetrit dhe boshatisën sallën. Ndaj, më duhet t'u them se edhe pse jemi në zgjedhje, do ta mbledhim çdo javë parlamentin. Po vëllezër, se është interesi juaj, sytë e shqiptarëve janë drejtuar mbi atë sallë ku presin të votojmë ligje".

Po sot, Kryeministri inaguroi dhe dy rrugë të tjera, Fier Shegan – Kozarë dhe Poshnjë - Berat. Ai tha sot edhe se "siç mund ta keni vënë re, punimet kanë filluar në të gjitha lotet e rrugës Berat - Lushnje. Ne po ndërtojmë në Berat mbi 120 km rrugë dhe këto vite kemi ndërtuar mbi 500 km rrugë, edhe rurale.

Ne dimë se ka edhe shumë rrugë të tjera, që presin për t’u ndërtuar dhe rindërtuar; ne dimë se ka fshatra që presin rrugën e asfaltuar, por unë jam këtu për të premtuar se në katër vitet që vijnë, do ndërtojmë çdo km rrugë të këtij rrethi por edhe mbarë Shqipërisë".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)