BERAT – Kreu i Qeverisë ka deklaruar sot se është vendosur të hapet një tunel në malet që ndajnë Beratin me Tepelenën e kështu, Berati do të ketë komunikim nga të gjitha anët. Kryeministri Berisha u shpreh gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Lushnje-Berat, e projektuar me gjerësi asfalti 8.2 metra dhe gjerësi totale 9.5 metra. Ai u ndal në pjesën e parë të saj, segmentin Berat-Poshnje, që nis nga rreth-rrotullimi në dalje të Lushnjes deri tek kthesa e fshatit Kosovë, Lushnjem.

Punimet janë duke vazhduar edhe në lotin e dytë të rrugës Lushnje-Berat, nga kthesa e fshatit Kosovë, Lushnje deri në dalje të fshatit Poshnje, ndërsa loti i tretë fillon nga dalja e fshatit Poshnje deri tek dogana e qytetit të Beratit.
 
Kryeministri u shpreh se krahas rrugës Lushnje Berat, një vepër prioritare është edhe Boshti i Jugut, duke bërë në këtë mënyrë që Berati të lidhet me infrastrukturë moderne nga të gjitha anët e tij.
 
“Ne kemi marrë vendimin përfundimtar që malet që ndajnë Tepelenën me Beratin”, - tha ai, -“t’i hapim, do të bëjmë tunel, pasi ato nuk mund të pengojnë. Berati do të ketë komunikim nga të gjitha anët. Në radhë të parë, këtë e meritojnë qytetarët, por edhe Berati, ky qytet 2500 vjeçar që ka ardhur kaq madhështor, nuk mund të jetë kurrë “xhep.  Ata para nesh ruajtën kodikët, ruajtën Beratin, ne tani i japim Beratit infrastrukturën e këtij shekulli.” Kryeministri Berisha tha se një tjetër drejtim i rëndësishëm, ku janë përqendruar investimet në infrastrukturën rrugore, është edhe lidhja e Beratit me bregdetin.
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)