TIRANË- Për një integrim më të mirë të gruas në biznes kryeministri Berisha premton se do të promovojë dhe zgjerojë më tepër hapësirat e grave në fushën e biznesit dhe të sipërmarrjes së lirë.

I pranishëm në konferencën “Gratë në sipërmarrje” kryeministri tha se qeveria e tij do të punojë për të zvogëluar edhe më tepër diferencën e pagës mes një gruaje e një burri.
“Në 2005-ën diferenca në paga ishte 36 %. Unë ju konfirmoj se në 2012 kjo diferencë është 17 %, ndaj garanroj se do ta shkurtojmë më tepër këtë diferencë”.

“I kam kërkuar ministrisë së Bujqësisë dhe ministrisë së Ekonomisë që me ato fonde modese që ne adresojmë të kenë synim mbështetjen tuaj, për ngritjen e sipërmarrjes së lirë nga vajzat dhe gratë. Garantoj se do të bëjmë që linjat e kreditit për biznesit të ecin drejt jush me përparësi”, u shpreh kryeministri, duke e vlerësuar këtë konferencë rajonale si mjaft të dobishme për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të lidhur partneritetet mes bizneseve.

Berisha tha se krizat më të mëdha nuk janë krijuar nga gratë menaxhere, por nga burrat në poste drejtuese.
“Krizat e mëdha nuk i krijuan gratë menaxhere, por papërgjeshmërite e burrave menaxherë. E vërtetë është se Barack Obama në një vendim historik i zëvëndësoi drejtuesit në postet kryesore të mbikqyrjes financiare me gra”,-tha ai.

Sipas tij, në Shqipëri ka shembuj të suksesit të grave të cilat sot janë shëndërruar në model për vajzat e gratë e tjera në Shqipëri.
Në takimin me gratë sipërmarrëse mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto.

(su.fu/Shqiptarja.com)