TIRANE - Kryeministri Berisha ka qenë një ndër kardiologët më të mirë në vendin tonë, para viteve 90-të, por pas viteve 90-të ai e la bisturinë dhe stetoskopin për t’iu kushtuar politikës. Ai është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tiranës në vitin 1967.

Më pas është specializuar për kardiologji dhe emëruar si asistent/profesor mjekësie në të njëjtin universitet dhe mjek kardiolog në QSUT. Më pas u emërua profesor kardiologjie në universitetin e Tiranës. Në vitin 1978 ai fitoi një bursë nëntë mujore nga UNESCO për studime të avancuara dhe trainime në Paris.

Në vitin 1989 iu dha titulli profesor në Universitetin e Tiranës. Por pas viteve 1990-të, ai iu përkushtua krejtësisht politikës dhe në spital ka shkuar vetëm në raste përurimesh, tragjedish të mëdha apo kur ka pasur nevoja personale shëndetësore. Megjithatë kolegët me të cilët ai ka punuar për rreth 22 vite me radhë, ruajnë një nderim të madh për mjekun Berisha.