TIRANE- Kryeministri Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, znj Jozefina Topalli ndodhen në Strasburg, për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë, që zhvillohet nga Këshilli i Evropës. Ky Forum, i cili zhvillohet në periudhën 5-11 tetor, do të trajtojë një seri temash mbi demokracinë dhe të ardhmen e saj si “Modelet e vjetra dhe realitetet e reja”, “Të rinjtë dhe demokracia”’, “Demokracia gjithëpërfshirëse”, “Vlerat Universale, Sfidat Globale dhe Realitetet Rajonale”.

Në këtë Forum marrin pjesë personalitete të shquara të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile, drejtësisë etj nga Evropa dhe mbarë bota si Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së Jean-Claude Mignon, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjørn Jagland, President i Parlamentit Evropian Martin Schultz, Ministri i Financave të Gjermanisë Wolfgang Achauble, etj.

Kryeministri Berisha, në emër të Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës do t’i drejtohet Forumit me një fjalë, në sesionin e ditës së hënë me temë “A kanë nevojë tregjet për demokracinë dhe anasjelltas”.

Kryeministri, në fjalën e tij, do të fokusohet në ndryshimet madhore të vendit, konsolidimin e demokracisë dhe tregun e lirë dhe zhvillimin ekonomik, të cilat kanë në bazë të tyre lirinë.

(sg/shqiptarja.com)