TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha, përmes një postimi në faqen e tij në “facebook” ka akuzuar Drejtoreshën e Përgjithshme të Albkontroll, Belina Ballukun për djegien e zyrës juridike të këtij institucioni. Sipas Berishës veprimi i drejtoreshës së Albkontroll është bërë i gjithi me porosi të Edi Ramës, vetëm 15 minuta pas kapjes së avionit në Divjakë. Berisha shprehet se porosinë e eprorëve të saj Rama dhe Balluku, e ka zbatuar drejtoresha juridike e Albkontrollit Ana Shkëmbi.

“Të dhëna të reja për narkotrafikun e Ramës! Të dashur miq, burime direkt nga Albkontrolli njoftojnë se urdhërin për djegien e zyrës juridike të Albkontrollit, dhe së bashku me të të dosjes të narko-avionit që u nis nga Rinasi, e ka dhënë drejtoresha e përgjithshme e Albkontrollit Belinda Balluku me porosi direkte të Ediskobar Ramës (kështu e kanë pagëzuar tani të rinjtë në rrjetet sociale)”.

Duke e etiketuar “Ediskobar” kryeministrin Rama, ish-kryeministri sqaron se urdhri për zhdukjen e provave është dhënë pas 15 minutash pasi narko-avionit iu thye rrota në plazhin e Divjakës dhe narko-Mitsubishit iu thye disku. “Pas një ngurimi për të djegur zyrën, urdhërin e Belindës e ka ekzekutuar vetë drejtoresha juridike e Albkontrollit Ana Shkëmbi, e emëruar aty direkt nga Edvin Kristaq Rama”, shkruan Berisha. Sipas ish-kryeministrit pasi është bërë djegia e dosjeve, punonjësit kanë thirrur njësi antizjarri për shuarjen e tij dhe janë bërë përpjekjet që ky akt kriminal të mbahet i fshehtë dhe i panjohur për publikun.

“Mësohet se, po në funksion të narkotrafikut, me porosi direkte të zotit Rama, është vendosur që t’i merret konçesionarit të aeroportit salloni i VIP-ave dhe të vihet direkt në varësi të Belindës. Droga me paratë e saj t’i verbon sytë e mendjes. Shqipëria nuk meriton kurrë të kthehet në Kolumbinë e Europës. Protesta është detyrim për të gjithë qytetarët pa dallime partiake që e duan këtë vend”, shkruan ish-kryeministri. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)