TIRANE - Kryeministri Berisha nisi mbledhjen e qeverisë duke iu drejtuar emigrantëve se është kreu i opozitës i cili nuk do që ata të votojnë nga vendet e tyre, ndërsa qeveria është gati të sigurojë projektin online. Madje kryeministri tha se Rama i trembet edhe votimit të 16 vjeçarëve.

“Mos votimi i tyre është fobi që ka kryetari i opozitës. Qeveria është gati për votimin online ose në çdo formë tjetër që të pranojë opozita me qëllim që ky detyrim të cilin e përmbushin të gjitha vendet evropiane të përmbushet edhe nga Shqipëria. Por mjerisht nuk pranohet nga opozita si kur nuk u pranua votimi i 16 vjeçarëve që kanë filluar të votojnë në kombe me moshë mesatare shumë më e madhe se e jona.”- tha kryeministri.

Nga ana tjetër kreyeministri vuri theksin edhe në rendësinë e votës së emigrantëve, të cilët kanë një peshë të konsiderueshme në të ardhurat dhe remitancat që hyjnë në vendin tonë.

RAMA KA FRIKE NGA LIKET NE FACEBOOK-on TIM

"16-vjeçarët në vendin tonë kanë të drejtën për të punuar dhe për t’u trajtuar me sigurime shoqërore e shëndetësore sipas ligjit, por nuk kanë të drejtën e votës"-.u shpreh më tej kryeministri duke theksuar se e drejta e votës së të rinjve, është një e drejtë legjitime dhe e patjetërsueshme. Sipas Berishës, vendet e tjera me moshë mesatare më te lartë e kanë aprovuar një ligj të tillë, dhe Shqipëria duhet të ndjekë këtë praktikë

“Nëse do ishte një komb që i takonte t’i hapte dyert e votimit 16-vjeçareve, ky komb do ishte Shqipëria. Por kjo nuk ndodhi dhe kjo është e dhimbshme, pasi pasioni i tyre për teknologjinë e lartë, dhe Liket në Facebook tim janë bërë një lloj gogoli, që e tremb opozitën nga vota e 16-vjeçareve. Gjë e cila mund të jetë shumë kundërproduktive për opozitën, pasi duke i penguar ata nuk mund të pengosh prirjet e tyre.”

BERISHA: MBËSHTETJE DHE SUBVENCIONIM PËR FERMERËT
Qeveria shumë shpejt do të përcaktojë kriteret që duhet të përmbushin fermerët shqiptarë për të përfituar nga Fondi i Zhvillimit Bujqësor. Kryeministri tha se qeveria duhet të ofrojë mbështetje të fuqishme për fermerët, në mënyrë që të mundësohet rritje e prodhimit të tyre.

“Ne kemi biseduar drejtpërsëdrejti me fermerët dhe ata e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për subvencionimin direkt të tyre, për të rimbursuar TVSH-në, akticën e naftës dhe të prodhimeve të tyre. Këto vendime i ndihmojnë ata direkt, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke rritur nga ana tjetër produktivitetin.”- tha Berisha.

Vendosja e sektorit bujqësor, si një ndër prioritet kryesore të qeverisjes, synon të mundësojë një zhvillim konkret të zonave rurale. Ndërkohë që një rëndësi e veçantë i është kushtuar krijimit të Fondit Kombëtar të Pyllëzimit, i cili do të përdoret për drurët frutorë.

EMIGRANTËT, AFAT KOHOR SHTESË PËR DEKLARIMIN E PASURIVE
Të gjithë emgrantët që tashmë do të kthehen në vendin tonë për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 23 Qershorit, apo edhe për pushimet verore, do të kenë një afat shtesë kohor për të realizuar deklarimin e pasurive. Sipas kryeministrit ky është një vendim që jo vetëm u vjen në ndihmë emigrantëve për të plotësuar detyrimet e tyre brenda periudhave kur kthehen në shtetin amë, por edhe ndihmon në përmbylljen me sukses të procesit.
“Emigrantët dhe qytetarët shqiptarë do të kenë edhe një tjetër afat kohor për deklarimin e pasurive të tyre. Kjo është një periudhë e favorshme e ardhjes së tyre qoftë për turizëm dhe për të votuar, ndaj mund të kalojnë edhe për të përfunduar këtë procedurë.”

SHQIPËRI-AZERBAJXHAN, MARRËVESHJE PËR EKONOMINË DHE TEKNOLOGJINË
Pas marrëveshjes për ndërtimin e projetit të gazsjellësit transadriatik, vendi ynë ka nënshkruar sërish një pakt bashkëpunimi me Azerbajxhanin për ekonominë dhe teknologjinë. Marrëveshja e re synon të krijojë mundësi për shkëmbimin e e eksperiencave dhe rritjes së investimeve të huaja në vend, sa i takon zhvillimit ekonomik dhe teknologjik. “Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit për bashkëpunimin ekonomik dhe teknologjik, është një hap i rëndësishëm. Së shpejti, projekte të tjera të rëndësishmë do t’i bashkohen projektit TAP. Edhe kjo është padyshim, një marrëveshje historike për bashkëpunimin ekonomik dhe teknologjik.”

VDEKSHMËRIA FOSHNJORE DHE AMESORE DUHET TË ULËT NË NIVELE NJËSHIFRORE

Duke marrë shkas nga vizita e tij në qytetin e Korçës, kreu i qeverisë i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë vendosjen e objektivave për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Bërisha tha se vdekshmëria foshnjore dhe amesore duhet të ulët në nivele njëshifrore.

"Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të ecur drejt mortalitetit infantil më të ulët. Kemi arritur të kemi një mortalitet infantil në 1 shifror. Përsëri mendoj se ministria e Shëndetësisë duhet të studiojë eksperiencën e Korçës, dhe faktorët që i çojnë ata në një sukses të tillë. Unë jam i vetëdijshëm që anomali të ndryshme kanë peshën e tyre, por zbritja në atë nivel duhet të jetë një prioritet madhor.”

Redaksia online

(es/sg/shqiptarja.com)