Berisha: Endrrat e rilindasve i
bëmë realitet, Topalli: Rama gazto

Berisha: Endrrat e rilindasve i<br />bëmë realitet, Topalli: Rama gazto
SHKODER - Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Parlamentit ishin sot paradite në qarkun e Shkodrës për të inauguar rrugën Shkodër- Hani i Hotit si dhe për të zhvilluar një takim elektoral me banorët e Vaut të Dejës.

Nënkryetarja e PD-së akuzoi Edi Ramën se mohon çdo të mirë të arritur në këto vite. Duke e quajtur gaztor të rilindjes, Topalli tha se Rama bllokoi statusin dhe kërkon rrënimin e shqiptarëve për hir të karriges së tij, por më 23 qershor populli do i japë përgjigje. Nga ana e tij kryeministri premtoi sërish heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se qeveria e tij i bëri realitet ëndrrën e rilindsve. Ai akuzoi Ramën se me heqjen eTVSH-së për 5 produktet bazë kërkon të rrënojë fermerët.

TOPALLI NE VAU I DEJES: RAMA GAZTORI I RILINDJES
 “Gaztori Rilindas që bllokoi marrjen e statusit, pas 230 ditësh me urdhër të Ilir Metës i votoi dhe tha se ishin si qindra mijëra të tjerë, por nëse ishin kështu pse s’i votove dhe e le Shqipërinë pa status dhe le vendin pa përfituar projekte?!  Pse mor gaztor i Rilindjes u mohove të drejtën studentëve, dhe qytetarëve për tu punësuar në vendet e BE, sepse shqetësimi i tij është karrigia. Ky gaztor i Rilindjes do vijë këtu e do ju thotë se i interesojnë të zgjidhë hallet tuaja por kur nisëm ndërtimin e 1300 shkollave gaztroi votoi kundër. Ai votoi kundër rrugës Laç- Vau Dejës, Lezhë por ai dështoi se rruga u ndërtua."- tha Topalli.

TOPALLI: TAKSA PROGRESIVE FATKEQESI
“Unë jam e bindur se ju do refuzoni taksën fakteqe të gaztorit. Kjo taksë do ishte fatkeqësi. Në programin e tij nuk do gjeni asnjë shifër se sa do taksojë fasonët dhe firmat e ndërtimit ai nuk i thotë se taksa e tij e lartë do ti taksojë dy herë më shumë se ajo e ulëta e jonë prej 10 %. Ky është rrënim e shkatërrim i vendit. Ky mashtrues e shkatërrimtar meriton refuzimin.”- tha Topalli duke cituar vargjet e Fishtës se  “Populli i fal atë që e mundon, ndoshta por jo atë që gënjen e rren.”
“Më 23 qershor do i faktojmë se çfarë do të thotë t’i besosh tek e vërteta. E mund të kemi gabuar, dhe burokracia ka munduar ndokënd por kurrë nuk ju kemi mashtruar”

BERISHA: NGA JU PRESIM MANDATIN E 8-TE
Kryetari i PD-së njëkohësisht kryeministër premtoi se 4 vitet që vijnë, në Vaun e Dejës, do të 4 fishojë investimet dhe prandaj kërkon mandatin e 8-të.

“Shqipëria pret nga ju mandatin e 8, sepse ju këto vite firmosët anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Europën. Këto vite do të ndërtojmë çdo rrugë në gjithë bashkinë e Vaut të Dejës, do të ndërtojmë Shkollën e Mesme dhe çdo shkollë tjetër në këtë Bashki. Do të ndërtojmë së bashku Fishtën e shekujve për t’a rikthyer edhe një herë shtëpinë e Zotit, ashtu siç ishte”.

 Berisha premtoi se në 4 vitet që vijnë 3-fishimin e granteve për projektet e fermerëve të Vaut të Dejës.

PLATFORMA PER HEQJEN E TVSH PER 5 USHQIMET KOB PER FERMERET
Duke sulmuar kreun e PS për premtimin për të hequr TVSH-në për 5 ushqimet bazë Berisha tha: “Platforma që paraqet shoku i autobusit për fermerët shqiptarë, është një kob i vërtetë për fermat e tyre. Ai premton që lumenjtë e djersës që keni derdhur, fermat t’jua falimentojë duke hequr taksën për miellin, vezën, qumështin, bukën, grurin. Kjo do të thotë se vezët në Shqipëri nuk kanë pse të shiten, sepse do të vijnë gjemitë me vezë nga pularitë gjigante të Europës, që i prodhojnë me kosto shumë më të ulët dhe mund t’i shesin me po ato çmime; premtimi se do heqë TVSH-në për miellin, do thotë se prodhuesit e mëdhenj të grurit nga Ukraina, Rusia, Kanadaja do të sjellin në Shqipëri, me çmime që do të bllokojë çdo shitje të grurit të arave tuaja”.

MALESI E MADHE, BERISH PREMTON HEQJEN E VIZAVE ME SHBA
Kryeministri Berisha premtoi sërish heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Katër vitet ardhshme, qëllimi ynë më madhor është së pari, të marrim statusin e vendit kandidat, të hapim negociatat me Bashkimin Europian, të liberalizojmë vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Katër vitet që vijnë, me heqjen e taksave për çdo makineri, material dhe çdo gjë tjetër që bizneseve të të gjitha llojeve u nevojitet për prodhim, ne jemi të sigurt se bizneset në Shqipëri do të zgjerohen së paku me 40 përqind. Ne jemi të sigurt se katër vitet që vijnë, investimet e huaja në Shqipëri do të rriten së paku me 40 përqind, do të rriten nga 4.2 miliardë në 6 miliardë dollarë."- tha Berisha.

TOPALLI : RAMA QESHARAK
“Ne bëjmë rrugë, ju punoni, ne ulim taksat dhe ju fitoni, ne mbajmë premtime e ne fitojmë të gjithë. Vetëm një nuk fiton kurrë, Edvin Rama. Sillet rrugëve e shan e mallkon. Më qesharak, burri 50 vjeç nuk ka se si të bëhet. Më vjen keq që e dëgjoj të mohojë çdo gjë të mirë që kemi arritur këto vite.
Por shumicën e rasteve më bën qesh. Ai thotë se s’keni nevojë për rrugë, por rilindje. NATO është natë, thotë ai. Mohon çdo gjë të mirë. Gaztori mund t’ju thotë se nuk ju duhen as lekë se për këtë do të mendojë Rilindja. Ajo do të mendojë për ju, aq sa mendoi Edi Rama 11 vjet për Tiranën.  Për 11 vjet rresht, gaztori që sot premton ulje taksash, e renditi Tiranën si qytetin me taksat më të larta në Shqipëri”,-u shpreh Topalli, duke theksuar më pas se Rama ka dështuar në çdo strategji dhe u bëri thirrje banorëve të Shkodrës që të votojnë për Shqipërinë e zhvilluar, siç e cilësoi ajo.

BERISHA: NDERTIMI I RRUGES SHKODER-HANI I HOTIT, ZHVILLIM PER VENDIN
 
Gjatë takimit elektoral, pas inaugurimit të rrugës Shkodër-Hani i Hotit, Kryeministri Sali Berisha tha se kjo rrugë është e rëndësishme për zhvillimin e zonës dhe të vendit. Sipas tij “rruga është brënda paramentrave të duhur dhe sipas standardeve europiane.
 
“Me ndërtimin e kësaj rruge, qytetari shqiptar dhe miqtë e Shqipërisë nga Hani i Hotit deri në Gjirokastër udhëtojnë në rrugë të reja të ndërtuara gjatë këtyre viteve. Sot çdo qytetar që hyn në Shqipëri nga territori i Morinës së Kukësit, apo Vermoshit, udhëton deri në Konispol me rrugë tërësisht të reja. Kjo është arritja jonë e madhe. Ia dolëm të bëjmë reale ëndrrat shekullore të rilindasve tanë.  Duke përmendur investimet e bëra në rrugë, shkolla dhe ujësjellësa, kreu i qeverisë tha se në 4 vitet që vijnë synohet një rritje e investimeve të huaja në vend. Berisha tha se mbështetja e fermerëve dhe fuqizimi i sektorit të bujqësisë do të rrisë edhe numrin e të punësuarve.

Lajmi u perditesua
Redaksia Online
(e.s/b.y/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Presidenti Begaj mirëpret fëmijët shqiptaro- amerikanë: Ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat

Dita e Pavarësisë, Presidenti Begaj mirëpret fëmijët shqiptaro- amerikanë: Ruajnë dashurinë për vendin dhe traditat