KAVAJE- Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një takimme fshatarët e komunës Gosë të Kavajës. Ai ka dëgjuar shumë shqetësime në lidhje me korrupsionin, mungesën e investimeve, rrugëve apo ujësjellësave, por ka marrë edhe falenderime po për rrugët dhe grantet në bujqësi.

Pas bashkëbisedimit me banorët e fshatit Gosë të Kavajës, Berisha në fund të takimit, pasi u ngrit në këmbë, Berisha iu tha fshatarëve: "Do t’u them një sekret të jetës sime: Gjithmonë kam admiruar ato që s’i bëja dot vetë. Kur shoh punët tuaja të mrekullueshme në fshat, në çdo rast kam vetëm admirimin më të madh për ato punë të mrekullueshme që bëni. Punë e ndershme, me djersën e ballit, që luftoni për ta bërë jetën më të mirë".

FSHATARËT DENONCOJNË KORRUPSIONIN

Fshatarët këta të fundit kanë ngritur një sërë problematikash dhe kanë denoncuar raste të ndryshme korruptive që kanë hasur gjatë kontakteve që ata kanë pasur me administratën për zgjidhjen e probleme të tyre. Në përgjigje, kreu i qeverisë ka premtuar tolerancë zero dhe luftë ndaj informalitetit gjatë bashkëbisedimit me banorët e fshatit Gosë të Kavajës. Berisha tha se raste denoncimi ka pasur nga vetë qytetarët dhe sipërmarrësit, por sipas tij çdokush duhet të kontribuojë në luftën ndaj këtyre fenomeneve.
 
“Tolerancë zero ndaj korrupsionit. Ka pasur raste që janë denoncuar direkt tek unë. Por ne kemi nevojë për ndihmën e çdo qytetari për të zbuluar rastin. Po kështu do bëjmë gjithçka për të luftuar informalitetin. Kemi forcuar rregullat. Në këtë drejtim jemi të inkurajuar nga vetë ndihma, që na japin bizneset. Dikush na njofton ‘Unë jam i regjistruar thotë një sipërmarrës, ndërsa 3 të tjerë nuk janë’. Dhe kjo na bën të shkojmë aty për verifikim dhe të luftojmë informalitetin. Por pa dyshim kjo përpjekje duhet thelluar më tek. Por në këtë drejtim ka të bëjë shumë edhe kuafilikimi, trajnimi dhe përgatitja e punonjësve të administratës. Dhe për këtë po punojmë”, theksoi Berisha.

TAPITË DO T'I MERRNI BRENDA VITIT

Shqetësimit për tapitë Berisha iu përgjigj: "Tapitë brenda këtij viti do dorëzohen. Kemi bërë vendimet përkatëse. Ua kemi dhënë komptencat komunave. Do çojmë hipotekat brenda komunës, që të mos endeni poshtë e përpjetë", u premtoi fshatarëve Berisha.

FSHATARËT KËRKOJNË RRUGË, UJË, MBËSHTETJE

Një nga fermerët u përgjigj se “vetëm ai që nuk ka dashur të mbjellë se kush ka dashur ka mbjellë prej kujdesit tuaj, zoti kryeministër”. Ai i ka thënë Berishës: “Meritoni mandat të tretë”.  Një tjetër fshatar u ankua se “meqë komuna jonë ka dalë e majtë këto vitet e fundit, nuk ka investime dhe një urë që kemi ka mbetur përgjysmë, edhe pse fshatarët kanë dhënë 10% për të”.  Berisha ka premtuar se Zhabjakut, 10% që fshatarët kanë dhënë, do kthehet në ndërtimin e plotë të rrugës.
 
Një tjetër fshatar u shpreh se komuna e Gosës është demokrate, kryetarin e komunës e ka  demokrat të flaktë, punëtor, që mundohet t’i mbarojë punë të gjithëve. Boshtova nga një fshat internimi në fshat turstik, me drita, ujë, rrugë. Na kanë mbetur 800 metra rrugë për të dalë në breg. Kryetari i komunës e ka çuar projektin”. Berisha premtoi se “rruga do bëhet, kemi ndërtuar tërë ato kilometra, nuk janë problem 800 m”.

Një fshatar iu ankua kryeministrit se në Lus të Madh nuk ka investime. “Të garantoj, që do të çojë një specialist tek ti. Disa investime i kemi bërë në Lus, si ujësjellësi”, i tha Berisha. “Jo”, iu përgjigj fshatari. “S'kemi ujësjellës. Ke bërë shumë në fshatra të tjerë”, tha ai.  
 
Një tjetër fermer që kishte ngritur ferma në Gos dhe Helmas me lopë dhe dele dhe zotëronte 170 ha tokë, 80 ha me misër, 60 ha jonxhë, të tjerat elb dhe grurë, pasi e falenderoi Berishën për subvencionimet kërkoi të mbrohen prodhimet tona. “Nuk flas vetëm për vete, por për gjithë Shqipërinë”, tha ai.

Berisha u përgjigj se “do vazhdojmë mbështetje me grante si për gjedhin dhe për të imtat, nëse zona nuk është e përfshirë në të imta, meqë i kemi dhënë më përparësi Jugut, por mund ta shtrjmë në zona të tjera.
 
Berisha iu tha fermerëve: "Tani që morët veten nuk mund të luhet me ju. Tani ne do mendojmë si t’ju asistojmë ju më shumë. Kaq është filozofia". Kreu i qeverisë premtoi subvencionimin e fermerëve për naftën, makineritë bujqësore dhe farërave.

Redaksia Online
(e.s/mag/shqiptarja.com)