Berisha: Feti Vogli në altarin e lirisë

Berisha: Feti Vogli në altarin e lirisë
TIRANË – Kryeministri Berisha i shprehu ngushëllimet më të thella familjes së Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës, në Kandahar.
“Ai sot ju mungon juve, vëllezërve të armëve, me të cilët luftoi në Kandahar, Forcave tona të Armatosura dhe kombit që e nisën në këtë mision të rëndësishëm paqeje. Vepra dhe kujtimi tij do të nderohet gjithmonë. Shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij”, shprehet Berisha në mesazhin e tij.

Kryeministri Berisha, gjithashtu, ishte në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u informua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, mbi ngjarjen dhe rrethanat, në të cilat Kapiten Vogli ra në krye të detyrës dhe nëntetar Aleksandër Peçi u plagos rëndë, si dhe reagimin e menjëhershëm e të vendosur të njësisë luftarake të përbashkët shqiptaro-amerikane ndaj sulmit të pabesë.

Sipas deklaratës së zyrës së shtypit të kryeministrisë, kreu i qeverisë i telefonoi Komandantit të Njësisë, Kolonel Behar Mara, ku i shprehu atij dhe të gjithë efektivit ngushëllimet për rënien si burrat në krye të detyrës të Kapiten Voglit, në përmbushje të një misioni fisnik, në kuadrin e Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Afganistan. Kryeministri u shprehu ngushëllimet të gjithë ushtarakëve tanë në Kandahar, si dhe mbështetjen e plotë të tij, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, në këto çaste shumë të dhimbshme për familjen Vogli, për shokët e armëve të Kapiten Voglit dhe shqiptarët në tërësi.

TEKEFONATA ME ISAF
Zyra e shtypit bën të ditur se, komandanti i ISAF, Gjenerali John Allen i telefonoi Kryeministrit Berisha dhe i shprehu ngushëllimet për Kapiten Voglin që ra burrërisht në krye të detyrës, si dhe vlerësimet më të mëdha për ushtarakët shqiptarë, virtytet dhe aftësinë e tyre, në përmbushjen e detyrave në zona të ndryshme të Afganistanit. Komandant Allen i kërkoi Kryeministrit t’i përcjellë ngushëllimet e tij familjes së Kapiten Voglit.

Gjeneral Allen e siguroi Kryeministrin se do të bëhet gjithçka që autorët e këtij akti të marrin ndëshkimin e merituar ligjor.

Kryeministri Berisha, nga ana e tij, e falenderoi Gjeneral Allen për telefonatën dhe ngushëllimet dhe e siguroi atë se Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe qeveria shqiptare kanë besim të madh se trupat e ISAF, nën komandën e Gjeneralit Allen, do të përmbushin me sukses të gjitha detyrimet e misionit të tyre historik dhe se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë mision.

Kryeministri Berisha i uron shërim Nëntetarit Aleksandër Peçi, i cili u plagos në krye të detyrës dhe që aktualisht ndodhet në gjendje kritike.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vepronin si grup i strukturuar kriminal/ SPAK çon për gjykim 4 personat që trafikonin emigrantë nga vendet e treta

Vepronin si grup i strukturuar kriminal/ SPAK çon për gjykim 4 personat që trafikonin emigrantë nga vendet e treta