Qyteti i Kurbinit ishte ndalesa e radhës e takimeve të kreut të PD Sali Berisha me demokratët.
Kryedemokrati e nisi fjalimin e tij me akuza për zv.kryeministren Belinda Balluku për të cilën tha se me paratë e vjedhura të shqiptarëve ka sot në pronësi 300 apartamente.
Balluku sipas Berishës nga një babysiter në Athinë, sot ka në pronësi edhe dy jahte me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Berisha shtoi se vjedhjet dhe pasuritë e zyrtarëve nuk kanë kufij.
'Një dosje u hetua për një zv.kryeministre dhe në shfletimet e para del se ajo dispononte 300 apartamente. As ju as unë nuk e merrnim me mend se mund të dispononte 300 apartamente. Me paratë tuaja, me taksat tuaja me parat e shkollave fëmijëve tuaj. Duke ndarë taksa me ndërtuesit e veprave publike kishte siguruar 300 apartamente. Këtu do jemi nuk është lista e plotë. Keni dëgjuar për diktatorë, hajdutë për bizhu, diamante. Por ndonjëri prej tyre i quajtur Gys Agasi, një kriminel kishte në vinotekën e tij shishe vere që nuk i ka perandori i Japonisë, 3 mln euro shishe vere.
Të gjithë me paratë tuaja, njeriu më i afërt i kryeminsitrit. Koordinatori i karteleve të drogës. E dënoja çdo natë në fushatë se i mblidgte Troplinët dhe Çelët në një lokal në Shkëmbin e Kavajës. S'kemi parë akoma se çfarë fshehin në kutitë e kasafortat e luksit dhe superluksit. Vjedhjet e tyre nuk kanë kufij. Dy jahte Belinda Balluku, ish-babysiter, mezi siguronte kafshatën e gojës në Athinë, kthehet punonjëse në bashki dhe tani me dy jahte me paratë tuaja', tha ai.
Berisha deklaroi se agjenci shtetërore janë përdorur për të ushtruar presion dhe dhunë ndaj biznesmenëve me qëllim tërheqjen e tyre nga tenderat publikë.
Ai pretendoi se persona janë marrë peng dhe janë dërguar në ambiente private të lidhura me individë të botës së krimit, duke e cilësuar këtë situatë si të paprecedentë.
'Jemi në një kohë kritike, por na ka gjetur më të gatshëm se kurrë. Ja këtu jua them unë atyre atje, sot jemi më të gatshëm se kurrë t’u japim atë që meritojnë. Po po. A mund t’i imagjinoni ju një agjenci shtetërore, e shtetit, nga rojat tek drejtori, ku merren peng biznesmen, punonjës, e pa dëgjuar kurrë. Merren peng, çohen në bodrumet e Suel Çelës, ju thyen kockat, qepin gojën, tërhiqen nga tenderi dhe natyrisht është kunati i kryeministrit. Kunati i kryeministrit, burri i motrës Linda Ramës. Ai që përfiton qindra milionë euro nga agjencia e shtetit.
Për njërin nga këto pengje u mor vesh sepse atij ja dha Zoti dhe i bëri një mesazh nënës së tij apo se kujt ja bëri, që po marrin peng. Dhe e bëmë zhurmë, absolutisht ju them një gjë këtu o miq. Mund të kem bërë një seri deklaratash se e ndiqja, po njeri që ta çelte gojën pasi u kthye në shtëpi për Danielin nuk kishte. Danieli rrinte i bërë copa në shtëpi, gojën e qepte, as media, as shtet, askush nuk fliste më për të. Kurse tjetri para Danielit, Gerondi që është regjistruar duke thënë se, tenderat këtu i përcakton kunati dhe kunata, e marrin peng, tërheq çdo kërkesë dhe ja mbath në Gjermani', tha ai.
Teksa u ndal tek zgjedhjet, Berisha vijoi me retorikën se me kryeministrin Edi Rama nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
‘Sepse po të marrësh Edi Ramën ta nxjerrësh në gjyqin e historisë së shqiptarëve, nuk do të gjendet një diktator, nuk do të gjendet një pushtues, nuk do të gjendet një kryeministër, më armik i egër i qenies kombëtare të shqiptarëve se ky. Në 10 vite ka larguar vetëm në hapësirën e Bashkimit Evropian 1 milionë e 100 mijë shqiptarë. Në 10 vite ka larguar 720 mijë të rinj shqiptarë. Në 10 vite ka bërë që Shqipëria, shqiptarët, një nga kombet e reja të Evropës, të kenë sot atë lindshmëri që kanë patur 100 vite më parë. Ka bërë sot që nga viti 2018 e në vazhdim vdekjet dominojnë lartësisht mbi lindjet.
Ka bërë sot që me këtë trend, ne në 50 vite këtu do të jemi fare të rrallë, fare të paktë. Faktikisht, ne jemi në udhëtimin e shuarjes tonë. Asnjë komb nuk e ka, asnjë udhëheqës, asnjë diktator, asnjë pushtues nuk ka bërë këtë shfarosje të shqiptarëve që ka bërë Edi Rama', tha ai.
Në këtë takim nuk munguan as kritikat nga demokratët për Berishën. Ata kërkuan që të riformatohet partia, pasi shumë figura në PD janë të konsumuara dhe u duhet hapur rruga të rinjve demokratë. Një kritikë Berisha e pati edhe për koalicionet. Sipas demokratëve PD nuk duhet që të bëjë koalicione me parti të tjera, pasi këto parti i marrin vota PD-së dhe më pas dalin kundër saj.
Gjatë foltores së PD në Kurbin, një demokrat tha se shumë figura në PD janë konsumuar. Ai tha se ata duhet që t'i hapin rrugë të rinjve demokratë.
'Shumë figura të PD-së që kanë qenë jashtëzakonisht politikanë të shquar, po koha ka bënë punën e vet dhe janë konsumuar dhe kam një mendim që duhet t’i hapin krahun të rinjve. Të konsumuarit, ndër vite kanë qenë shumë të suksesshëm. Dikush mund të thotë që është konsumuar dhe dr. Berisha, por ai është playmaker i PD-së. Kanë dështuar shumë udhëheqës botëror, ndërsa doktori i ka qëndruar kohës', tha ai.
Gjatë foltores së Partisë Demokratike, në Kurbin një demokrat ka kritikuar Sali Berishën për koalicionet. Sipas tij, këto parti i marrin vota PD-së dhe më pas dalin kundër saj.
‘Pse duhet të votojmë partinë e çamëve, paritë e vogla? Çfarë lidhje kam unë si demokratë me koalicionet, hiqni koalicionet, hiqni se na vjedhin votat, sa të marrin votat dhe të bëhen deputetë Mesila Doda na del kundra, pra na dalin kundra’, tha ai.
Berisha tha se koalicioneve janë të rëndësishme 'për të fituar përballë kësaj diktature'.
'Koalicionet janë të dobishme si një garanci për mospërqëndrimin e të gjitha pushteteve në një parti dhe në një njeri. Në kushtet e një diktaturë autoritare që nuk bënë zgjedhje por farsë elektorale, kur opozita s’ka rrugë tjetër përveç protestës dhe revoltës koalicionet janë të domosdoshme. Sa më i gjerë dhe i fuqishëm të jetë koalicioni aq më e madhe mundësia për të fituar përballë kësaj diktature’, tha ai.
Komente









