Veç kësaj, Berisha në editorialin e tij e fut në grupin e “puçistëve” për protestat e 21 janarit të vitit 2011 edhe komisionerin Fyle duke e bërë atë kolaborist për protestat e dhunshme në Tiranë. Ish-kryeministri e emërin komisionarin si një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil, por i papërmbajtur, dhe majtist i thekur. “Në vjeshtën e vitit 2010, u organizua një takim midis palëve, ku merrnin pjesë Oerd Bylykbashi dhe përfaqësuesi i PS, Arben Ahmetaj. Pas përfundimit pa sukses të takimit pesë orësh, në të cilin PS refuzoi të gjitha propozimet, zv/shefja e kabinetit të Fyles, së bashku me një tjetër, ftuan në zyrën e tyre Oerdin me pretekstin për të bërë një përmbledhje të bisedimeve të paradites.
Por, në fakt Oerdit, në zyrat e Fyles, i kishin përgatitur një kurth të denjë vetëm për zyrat e shërbimeve të vjetra. Fyle shfrytëzoi këtë takim për të formuluar dhe dërguar një qarkore qeverive të vendeve anëtare të BE. Në këtë qarkore dizinformoi këto qeveri, duke shkruajtur se përfaqësuesit e qeverisë shqiptare refuzuan propozimet konstruktive të opozitës për zgjidhjen e ngërçit politik. Kështu, sipas z. Fyle, qeveria ishte përgjegjëse për dështimin e dialogut, ndërkohë që e kundërta ishte e vërtetë. Ky ishte një mashtrim. Dialogu qeveri-opozitë në çdo takim ishte zhvilluar me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të të dy grupeve më të mëdha parlamentare të PE.
Mirëpo zoti Fyle dhe Rama, qëllimin e realizuan dhe, me miratimin ose jo të Komisionerit të Zgjerimit, Edi Rama përdori këtë raport, krahas videos për Ilir Metën, për të organizuar puçin e 21 janarit. Më sipër theksova se, Komisioneri Fyle është i papërmbajtur në serbofilinë e tij. Në bindjen time më të thellë, pavarësisht se ka patur apo jo një marrëveshje midis Stefan Fyles dhe Edi Ramës në çështjen e tre ligjeve, caktimi i këtij kushti, më pëlqen apo jo, nuk ka pse të mos konsiderohet i drejtë.
Kjo sepse, tre ligjet nuk lëndonin interesat e qytetarëve shqiptarë, në të kundërtën ato vetëm sa përmirësonin standardet e ligjeve ekzistuese dhe për votimin e tyre ishte rënë dakord që në janar të vitit 2012. Tre ligjet pra ishin de facto të miratuara dhe të akuzosh tjetrin pse i vuri si kusht, ndërkohë që i yti i bllokon ato, është e papranueshme”,- shkruan Berisha në editorialin e tij.
Por editoriali i botuar nga Berisha ka sjell edhe një përplasje ndërmjet faqes zyrtare së PD-së në “facebook” dhe organit zyrtarë të PD-së, Rilindja Demokratike. Konkretisht faqja e Partisë Demokratike në “facebook” nuk e botoi editorialin e Berishës duke krijuar një përplasje në idetë që ka dhënë ish-kryeministri në të.
Ndërsa faqja e gazetës “Rilindja Demokratike” që është edhe organi zyrtarë i PD-së e ka botuar këtë editorial, madje duke e publikuar si mjaft të bukur. Kësisoj ndërmjet PD-së vetë ka një përplasje për këto akuza që ka bërë Berisha pasi Basha në sjelljen e tij kërkon që të shfaqa një udhëheqje pa konflikte ndërsa Berisha vazhdimisht ka hedhur akuza ndaj çdo personi që e ka akuzuar atë, siç ishte në rastin e fundit, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle.
Krahas kësaj, kjo luftë ndërmjet Berishës dhe Fyles ka nisur kohë më parë. Konkretisht në datën 27 janar të vitit 2014 Berisha shkroi në një editorial tjetër po në “facebook” se komisioneri i BE-së, Stefan Fyle po si ferbofil, pra njeri që përkrah interesat serbe dhe jo shqiptare. Në këtë editorial Berisha argumentoi faktin e hedhjes së idesë për krijimin e Konfederatës Ballkanike ku edhe këtu Berisha theksoi se kjo nismë është përkrahur nga Fyle përshkak se ai mbështet interesat serbe.
Shkrimi u publikua sot (04.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)