TIRANË - Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha uron Vitin e Ri nëpërmjet rrjetit social Facebook. Me një gotë në dorë para pemës festive në foto, Berisha si gjithmonë nuk ka lënë pa shkruar mjaft kritika për qeverinë. Berisha e ka quajtur vitin që lamë pas jo sukses, "dhe kjo jo sepse u ndryshuan mazhorancat, por sepse ata që morën besimin, shndërruan premtimet e tyre të ëmbla në mashtrime tejet të hidhura".

Berisha ka shtuar se "ata po zhysin familjet shqiptare në varfëri, papunësi, bllokuan përsëri statusin e vendit kandidat dhe në tre muaj dëmtuan thellë marrëdhëniet tona me miqtë tanë më kryesorë; SHBA dhe vendet kryesore të BE. Pra ne nisim Vitin e Ri jo ashtu siç e dëshirojmë".

Por sipas Berishës "ne jemi njerëz të fortë; ne kemi provuar se dimë të mbrojmë fort vlerat që kemi krijuar dhe parimet që besojmë; ne dime të kthejmë humbjet dhe vështirësitë në sfida për t'i fituar".

URIMI ME KRITIKË I BERISHËS

Gëzuar Vitin e Ri 2014!!!

Të dashur miq, pak orë na ndajnë nga çasti i ndërrimit të viteve. Me këtë rast unë nga zemra dua t'ju uroj ju, të gjithe shqiptarëve dhe miqve të tyre kudo që festojnë sonte, nje Vit të Ri më të mirë, me mbarësi, shëndet, plot gëzime dhe suksese!

Përpjekja jonë vitin që lamë pas nuk mund të themi se ishte një sukses, dhe kjo jo sepse u ndryshuan mazhorancat, por sepse ata që morën besimin, shndërruan premtimet e tyre të ëmbla në mashtrime tejet të hidhura. Ata po zhysin familjet shqiptare në varfëri, papunësi, bllokuan përsëri statusin e vendit kandidat dhe në tre muaj dëmtuan thellë marrëdhëniet tona me miqtë tanë më kryesorë; SHBA dhe vendet kryesore të BE. Pra ne nisim Vitin e Ri jo ashtu siç e dëshirojmë. Por ne jemi njerëz të fortë. Ne kemi provuar se dimë të mbrojmë fort vlerat që kemi krijuar dhe parimet që besojmë. Ne dime të kthejmë humbjet dhe vështirësitë në sfida për t'i fituar.

Ndaj dhe uroj që të bashkohemi ne të gjithë së bashku për të shndërruar Vitin 2014 në një vit të mirë, vit të mbarë, në vitin që meritojmë. Edhe një herë Gëzuar!! sb

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)