Tiranë - Kryeministri Sali Berisha e ka lidhur golin e tretë të Bajernit të Mynihut të shënuar ndaj Barcelonës me mandatin e tretë të Partisë Demokratike në 23 qershor.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Berisha vendosi një status në rrjetin tij social në Facebook duke e cilësuar si një “shenjë” golin e tretë për një mandat të ardhshëm.

“Miq, goli i tretë mandati i tretë. Fitore”, shkruante Berisha në facebook.

Përpara se të fillonte ndeshja, kreu i qeverisë kishte shkruajtur në facebook statusin se po e ndiqte “live” ndeshjen në Ipad-in e tij. Berisha e publikoi këtë status rrugës kur po kthehej nga Korça në një bashkëbisedim me qytetar për prezantimin e programit të Partisë Demokratike.

“Të dashur miq, rrugës nga Korça në Tirane, në iPad nëpërmjet Tv Alb po ndjek ndeshjen e ndeshjeve Barcelona - Bayern.

Ndeshja e parë në jetën time që e ndjek duke udhetuar. Unë vendosa të kaloj nga entuziazmi korçar i fitores së zgjedhjeve të ardhshme, në entuziazmin e njërës prej ndeshjeve më të forta të viteve të fundit, në të cilën unë do të jem si gjithnjë me fituesin”, shkruante Berisha.

Nuk është hera e parë që kryeministri i vendit “shfrytëzon” sportin për të dhënë mesazhe të drejtpërdrejta politike.

(v.gj/shqiptarja.com)