TIRANE - Mbrëmjen e djeshme u organizua festa e fundvitit e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare.

Duke folur përpara grave dhe vajzave të Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare, Kryeministri Berisha u ka kërkuar që të vazhdojnë të mbështesin dhe të punojnë për PD, pasi tashmë vendi ka hyrë në një fushatë elektorale. Kryeministri deklaron se PD në këto zgjedhje shkon si një forcë politike me arritje, të cilat kurrë ndonjëherë nuk do ishin imagjinuar më parë. Berisha ka kërkuar nga gratë dhe vajzat që të punohet fort me çdo vote duke trokitur në çdo shtëpi, portë dhe zemër të çdo zgjedhësi, për të shënuar në zgjedhjet e ardhshme fitoren e sigurtë.

"Ishte rastësi dje kur përfaqësues i opozitës mu drejtuan dhe tha; ku janë ato rrugë? Pasi fillova ti numëroj rrugët dhe rrugicat, uli kokën dhe nuk e desh më veten. Dhe i thashë vetëm një pjesë ne fakt. Ne kemi bërë investimet më të fuqishme në të katër anët e vendit, investime të cilat janë transformuese, për Shqipërinë. Natyrisht ne nuk kërkojmë votën kurrë për ato që kemi bërë, por ato që kemi bërë janë hipoteka e besimit ndaj nesh. Ne kërkojmë votën për një projekt të ri, projekt në të cilin ne shndërrojmë Shqipërinë përfundimisht në vend të zhvilluar, projekt në të cilin ne zotohemi se do të bëjmë gjithçka, që Shqipëria në të gjitha aspekt te renditet ne grupin e vendeve te zhvilluara. Ajo sot renditet në disa nga grupet me sensitive në grupin e vendeve të zhvilluara, por ajo me mandatin që vjen do të vendoset përfundimisht në grupin e tyre. Mund t’ju kujtoj vetëm dy projekte madhore, TAP –in dhe Kaskadën e Devollit, mjaftojnë ato të dyja për të lartësuar Shqipërinë në nivele të larta të zhvillimit. Por këto janë veçse dy nga qindra e qindra projekte, të cilat do të realizohen në mbarë vendin. Ndaj dhe unë kërkoj që të fillojmë menjëherë punën dhe puna jonë është një punë e adresuar kryekëput tek votuesit"- tha Berisha.

Pasi ka vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre për fitoren e PD gjatë këtyre 22 viteve, Berisha deklaroi se beteja më e vështirë e PD-së ka qenë për Tiranën, pasi ish-kryetari Rama kishte një ushtri të paguar dhe Tirana ishte shndërruar në një mburojë të krimit të organizuar të kupolës së PS. Kryeministri ka theksuar se ishte një fitore historike e PD shembja e murit të bashkisë së Tiranës.

“Ne patëm një beteje të vështirë, beteja më e vështirë e Partisë Demokratike ka qenë beteja për Tiranën, sepse ish-kryetari i bashkisë kishte një ushtri të paguar prej 5200 vetësh, të cilët i kishte shndërruar në ushtarë që zbatonin vetëm urdhra partiakë. Por ne ia dolëm dhe e them me bindje se ishte një fitore historike e Partisë Demokratike shembja e murit të bashkisë së Tiranës. Arsyeja ishte se Tirana ishte shndërruar në një mburojë të krimit të organizuar ekonomik të kupolës së Partisë Socialiste. Ia dolëm, sepse rendëm pas çdo vote. Shumë nga ju keni qenë në zona të caktuara. Rendja pas çdo vote, takimi dere më derë me zgjedhësit është rruga me e sigurtë e një fitoreje të thellë, shumë më të madhe se dy fitoret e fundit”, tha Berisha.

Të pranishme ishin dhe bashkëshorja e Kryeministrit, Liri Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryetarja e LDGSH Albana Vokshi, si dhe drejtuese dhe anëtare të tjera të LDGSH.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)