Sali Berisha akuzoi Belinda Ballukun si hajduten më të madhe në histori duke shtuar se ditën kur do të shqyrtohet çështja e imunitetit të saj në parlament, qytetarët do t’i japin përgjigjen e merituar për vjedhjet dhe tradhtinë kombëtare qeverisë. Kreu i PD gjithashtu ka paralajmëruar kryengritjen e radhës më datë 12 mars, ditën kur në Kuvend do të votohet pro ose kundër kërkesës së SPAK, për heqjen e imunitetit të deputetit Belinda Ballukut dhe hapjen rrugë për arrestimin e saj.

“Ky komb hajdute si Lubi Balluku nuk ka pasur në tërë historinë e tij. Pas ndërhyrjeve të fundit të fuqishme të komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur në Shqipëri rendin kushtetues, shtetin ligjor, ndarjen e pushteteve, funksionimin e sistemit të drejtësisë si kushtet e të gjitha kushteve për ecjen e mëtejshme drejt BE, të gjitha këto ranë në vesh të shurdhër. Të gjitha këto, Edi Rama i shumëzon me interesin e tij personal dhe të pushtetit të tij. Data 12 është kryengritja e radhës. Ftoj qytetarët shqiptarë në të katër anët e Shqipërisë të bashkohemi kundër kreut të kësaj organizate kriminale për t’i dhënë përgjigjen e merituar për vjedhjet e tij dhe për tradhtinë e lartë kombëtare që i bën idealeve evropiane të popullit shqiptar. Ëndrrës evropiane të shqiptarëve për të zënë vendin e tyre të merituar në BE”, tha Berisha.

Gazment Bardhi në konferencën për shtyp ku bëri me dije qëndrimin e PD pro kërkesës së SPAK, deklaroi për zhvillimin e një proteste e kaosi nëse Kuvendi do të refuzonte heqjen e imunitetit për Ballukun. Bardhi tha se në ato kushte, Kuvendi do të cilësohet si një bukner i të korruptuarve dhe që do duhet të shembet.