TIRANË - Kryeministri Berisha priti sot në takim kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, zotin Ramush Haradinaj.

Kryeministri Berisha, siç bën të ditur faqja zyrtare online e Kryeministrisë,  theksoi gjatë takimit "se të gjitha arritjet e mëdha të Shqipërisë në kuadrin e integrimeve euro - atlantike lidhen vetëm me Partinë Demokratike, duke theksuar se një asimetri e tillë tregon mungesën e vullnetit të Partisë Socialiste, e reflektuar kjo në sjelljen destruktive të opozitës gjatë 4 viteve të shkuara, kur ajo bllokoi integrimin europian të Shqipërisë".

Kryeministri nënvizoi se "alternanca është ligjësi themelore e demokracisë, por ai theksoi se Partia Socialiste erdhi në pushtet përmes premtimesh të parealizueshme, prej të cilave që tani PS po tërhiqet".

Në takim u bisedua në lidhje me zhvillimet politike në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të Kosovës. Vend të veçantë zuri procesi i zbatimit të marrëveshjeve midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, ku u theksua rëndësia themelore e zbatimit të tyre për konsolidimin jo vetëm të Kosovës, por dhe të paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kuadër, zoti Haradinaj theksoi se ky proces do të vazhdojë të ecë përpara.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit trajtuan tema të interesit të bashkëpunimit reciprok në fushën e ekonomisë, energjetikës, infrastrukturës etj. Në këtë aspekt, Haradinaj tregoi interes të posaçëm në lidhje me projektin TAP dhe mundësitë e Kosovës për të përfituar nga ky projekt energjetik madhor trans-europian. Kryeministri u shpreh se "projekti TAP ka një rëndësi strategjike për sigurinë energjitike jo vetëm të Europës, por edhe të rajonit dhe siguroi se Kosova do të përfitojë në këtë kuadër".

berisha-haradinaj
(Në foto: Nga takimi Berisha-Haradinaj). 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)