TIRANE - Zëri i qytetarëve ka një peshë të madhe në hartimin e programit të Partisë Demokratike. Sipas kreut të qeverisë këto bashkëbisedime kanë ndikuar në evidentimin e probleme dhe gjetjen e zgjidhjeve.

Berisha tha se fokusi i qeverisjes në mandatin e tretë është ulja e taksave, heqja e TVSH-së dhe rritja e punësimit.

“Në përpjekjen tonë ne synojmë të krjojmë kushte sa më të favorshme për iniciativën e lirë të qytetarit. Kam 20 vjet në politikë, por është hera e parë që realizoj një program elektoral para zgjedhjeve, falë bashkëbisedimeve të hapura me qytetarët. Kemi realizuar reforma të thella dhe ndryshime në sistemin fiskal, gjë që i jep nxitje biznesit”, theksoi Berisha, i cili zhvilloi një bashkëbisedim me sipërmarrës dhe punëtorët e rrobaqepësisë “Industria Ballkanike e Veshjeve” S.A. në Bilisht.

BERISHA: DO TREFISHOJME GRANTET PËR FERMERET

Rritja e investimeve në fushën e bujqësisë mbetet një prioritet për rritjen e prodhimit. Sipas kreut të qeverisë, fondet e Komisionit Europian në pjesën më të madhe janë për bujqësinë, dhe për këtë grantet për fermerët do të trefishohen. Vlera e tyre parashikohet të arrijë në 165 milionë dollarë.

“Grantet për fermerët do të trefishohen. Për t’i ardhur në ndihmë fermerëve ne hoqëm TVSH-në për çdo lloj makinerie, materiale, findanë, fara dhe gjithçka tjetër. Fermerët do t'i blejnë me TVSH, sipas çmimit të tregut, por ne do t’ia rimbursojmë TVSH-në në bazë të faturës”, u shpreh kryeministri.

Berisha tha se bujqësia është sektori ku mund të realizohet një rritje e prodhimit deri në 10 herë, dhe kjo është e favorshme pasi pengon rritjen e madhe të çmimeve.

“Ne do bëjmë gjithcka për të rritur prodhimin bujqësor. Rritja e prodhimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbajtjen e çmimeve. Çmimet janë rritur, por do ishin rritur edhe më tepër nëse nuk do ishte rritur prodhimi vendas”.

Sipas Berishës një tjetër projekt i rëndësishëm për fermerët shqiptarë është i vaditjes, i cili kërkon investime të mëdha, por ka një ndikim të madh në rritjen e prodhimit dhe të cilësisë së tyre.

BERISHA: DUHEN RINDERTUAR EDHE QINDRA UJESJELLESA

Investimet e realizuara deri më tani në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve arrijnë vlerën e 550 milionë dollarëve, por nevojiten ende ndërhyrje në këtë rrjet. Për vitet që vijnë parashikohet që të vijohet me ndërtimin dhe rindërtimin e qindra ujësjellësave për të mundësuar një mbulim të gjithë vendit me rrjet.

Gjatë takimit me fermerët dhe sipërmarrësit e Devollit, Berisha tha se në 4 vitet që vijnë do të nevojiten rreth “600 milionë dollar për të bërë Shqipërinë një vend me infrastrukturë ujore moderne”.

“Sot një seri qytetesh marrin ujë 24 orë, janë ndërtuar mbi 430 sisteme kanalizimesh, por janë edhe qindra të tjerë për t’u rindërtuar”.


Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)