TIRANE- Në një bashkëbisedim me banorët e njësisë numër 1 në kryeqytet, kreu i qeverisë ka premtuar 3-fishimin e buxhetit për Tiranën krahasuar me kohën kur ishte PS. Berisha tha se për këtë njësi janë në plan për rindërtim edhe 25 rrugë. 

Duke ironizuar me deklaratat e kreut të PS-së për moshën e tij, Berisha tha se “Rama thotë ma lësho ti se je lodhur dhe të vij unë i çlodhur. Është aq vulgar, aq naiv sa nuk ka ku të shkojë. Ka humbur çdo betejë me mua dhe tani ka dalë me tezën ma lësho ti vendin se nuk e marr dot. Dhe unë kam tezën time, ne do vazhdojmë të lodhemi çdo ditë sepse njeriu që ka ndërmend të punojë do lodhet. Ti rri në kuti, rri në autobus dhe vazhdo”.

Kreu i PD e cilësoi situatën aktuale parazgjedhore si normale, duke theksuar se çdo rast dhune me motive politike është i dënueshëm.
 
Kjo është një fushatë e qytetëruar që po zhvillohet. Gjej rastin të dënoj çdo rast dhune. Në fushatë nuk ka arsye që të ketë dhunë për shkaqe politike, edhe pse kjo ndodh. Por këto zgjedhje do të zhvillohen në normalitet. Dhe ne për këtë do punojmë, për marrjen e statusit kandidat për në BE. Janë 26 kapituj sipas fushave që duhet të kapen një nga një, dhe ne do punojmë në mënyrë rigoroze për të përmbushur çdo lloj kriteri”, tha Berisha.

Lidhur me problematikën e mbivendosjes së pronave, kryeministri tha se me finalizimin e hartës dixhitale të tokës brenda vitit 2013, kjo çështje do të marrë zgjidhje.
 
“Me hartën dixhitale të tokës do të marrë zgjidhje problemi i mbivendosjes së pronarëve të tokës. Brenda vitit 2013 në finalizojmë bashkë me projektin e BB finalizimin e regjistrimit dixhital të tokës. Që i jep fund çdo lloj mbivendosje dhe dëshmon pozicionimin e saktë të çdo parcele,e do jetë transparent për çdo qytetarë dhe do të mund të kontrollohet nga çdo qytetar”, tha Berisha.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)