Edhe pas fitores së ekipit kuqezi në ndeshjen kundër Çekisë, Sali Berisha, sheh politikë. Thotë se tifozët në stadium ndëshkuan kryeministrin Edi Rama.

“Rrinte si në gjemba. Si tiran, pa duartrokitur njëherë ekipin. Përçarësi i kombit...edhe ditën e ndeshjes.. shfrytëzoi parlamentin për një fjalim kundër udhëheqjes politike të Kosovës, si vëllai i Vuçiçit.”- tha ai.

I rikthyer në realitetin përçarës brenda vetëm së djathtës dhe i mbetur pa grup parlamentar zyrtar, Berisha nuk kaloi pa koment njoftimin e fundit që u lexua në Kuvend, për të njohur përfaqësuesit e Bashës në Komisionin Zgjedhor, dhe jo të tijat.

‘Opozita, në ditët në vazhdim, do të shqyrtojë situatën shumë kritike të krijuar nga votimi i djeshëm në parlament dhe do të dalë me konkluzionet e saj.’- tha ai. 

Betejën për logon thotë se do ta vazhdojë, madje edhe në gjykatat ndërkombëtare, ndonëse përballë ka një numër të lartë deputetësh që i kërkojnë të heqë dorë nga vula e PD dhe të krijojë parti të re. 

“Ne do bëjmë një luftë deri në fund me Edi Ramën, i cili pa diskutim kërkon të mbajë peng logon tonë me Lul Pengun dhe Alibashën. Por Gjykata e Lartë, e kontrolluar nga Sadushi i partisë, e mban aty vetëm e vetëm për të penguar dërgimin tonë në Strasburg.”

Për votëbesimin e tij, pas humbjes së thellë më 14 maj, më në fund ka një datë. Sali Berisha do të shkojë në nëntor në votëbesimin e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit.