Berisha i përgjigjet Ramës: Më mirë gjysh
se “gjysmë burrë” siç e pohon ti veten

Berisha i përgjigjet Ramës: Më mirë gjysh<br />se “gjysmë burrë” siç e pohon ti veten
TIRANE- Mesazhi i kryeministrit Berisha, që dje morën me mijëra e mijëra abonentë, ku kërkohej sugjerime nga qytetarët, mori edhe përgjigjen e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama. Në faqen e tij në rrjetin social “Twitter” kreu i PS, i sugjeroi kryeministrit “të shkojë të punojë gjysh full-time tani, se dhe rrugët u lodhën me të”.
 
Pas kësaj, ka ardhur edhe reagimi i kreut të PD-së, Sali Berisha, përmes zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi, e cila thotë fjalët e kryeministrit: “Më duhet t’i them Edvinit se i ka bërë një akuzë të rëndë vetes së tij! Kjo sepse një njeri normal që vlerëson familjen dhe vlerat e saj nuk mund të jetë kurrsesi bir, vëlla, bashkëshort, baba apo gjysh part-time pra në gjuhën Shqipe me “gjysmë kohe apo përgjysmë. Ky modeli i fundit vlen vetëm për shumë pak njerëz që nuk kanë lidhje me vlerat familjare por ndjehet ‘çerek apo gjysmë kohe të lidhura me to’”.
 
Ndërkaq në reagimin e Berishës thuhet se “Për sa më përket mua, gjithnjë besoj se kam lindur i bekuar! Falë Zotit dhe prindërve të mi kam gëzuar një fëmijëri “kohë plotë” dhe jo në bunker, një rini “kohë plotë” me vite të sunduara nga përkushtimi, pasioni dhe studimi që më frymëzojnë deri sot dhe jo një rini “pa rini”, të skllavëruar nga Blloku Hoxhist dhe kompleksi i “Edipit” i formës së pashërueshme!”
 
Më tej, kryeministri e quan të dështuar profesionalisht kreu e PS-së, “Kam patur vërtet fat në Jetë! U bëra një mjek kardiolog i dhembshëm dhe i apasionuar dhe jo një “dështak në profesion”. Unë ndjehem i lumtur si një burrë “kohë plotë” gjatë jetës sime dhe “jo çerek apo gjysmë burrë siç jeni faktuar dhe keni pohuar ju veten tuaj”.
 
Në fjalët e Berishës që përcolli zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsia thuhej se “Vetëm një imagjinatë e çoroditur ose një mëndje nga autobusi yt mavi dhe arkivi kompleks që të ndjek, mund të më përfytyrojë mua gjysh me kohë të pjesshme, të engjëjve të familjes sonë, pasi, me ata dhe për ta, së bashku me Lilin jemi gjyshër me kohë të stërplotë! Ndërsa tani mbesat dhe nipërit e mi janë gjashtë “gurra të pashtershme frymëzimi” që më shumëfishojnë forcat, energjitë për të punuar me pasionin dhe përkushtimin më të madh, që ata dhe bashkëmoshatarët e tyre para se gjithash edhe prindërit, vëllezërit e motrat e tyre më të rritur, të kenë të Ardhmen që meritojnë!”

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN