Pas akuzave të ripërsëritura të Sali Berishës se ambasadorja amerikane Yuri Kim, po ndërhyn në proceset zgjedhore, ka ardhur edhe përgjigja e kryediplomates amerikane në vendin tonë, e cila i është përgjigjur qartë ish-kryeministrit, tashmë të shpallur ‘non grata’ nga SHBA.

'Nëse ndërhyrja në procesin gjyqësor, nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin, atëherë ‘PO’,' shkruan ambasadorja, 'SHBA do të vijojë që të bëjë pikërisht këtë gjë'. Sipas Yuri Kim, SHBA do të vazhdojë të mbështesë reformën në drejtësi, sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtarë të SHBA-së.

‘Nëse “ndërhyrja në procesin gjyqësor” nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, duke e bërë të qartë SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë – sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së”.- shkruan Kim.

Në një deklaratë për mediat, Berisha ripërsëriti sot akuzën ndaj ambasadore amerikane, Yuri Kim se po ndërhyn në gjykatë lidhur me çështjen gjyqësore në të cilën është Partia Demokratike. Berisha këtë herë e tha me emër duke iu referuar ambasadores si guvernatore. Por ish-kryeministri nuk e la me aq. Ai e ka risulmuar ambasadoren duke shkruar se me deklaratën e saj të fundit ka pranuar hapur, faktin se ajo po ndërhynë në sistemin e drejtësisë Shqiptare. Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Berisha i ka bërë thirrje DASH të ndalojë menjëherë Yuri Kim.
Pikërisht këtë thirrje, ka ironizuar deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi si tepër “interesante”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:36
Bardhi ironizon thirrjen e Berishës ndaj DASH: Interesante shumë, lajm nga ‘opozita e vërtetë’

Deputeti i PD, Gazment Bardhi ka ironizuar deklaratën e fundit të Sali Berishës, ku i ka bërë thirrje DASH të marrë masa ndaj ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, pasi sipas tij po ndërhynë në procesin gjyqësor të PD.

Ironi ka bërë edhe me faktin se ky lajm vjen “nga opozita e vërtetë”, një gjë me të cilën cilëson Berisha ‘Rithemelimin”

“Lajme nga “opozita” e vërtetë/Interesante shume: I bëj thirrje Departamentit të Shtetit…..”, shkruan Bardhi.

Ora 18:19
Berisha sulmon sërish Kim: Pranoi se ndërhyri te gjyqësori! I bejë thirrje DASH ta ndalojë menjëherë

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ndalet së përsërituri akuzën ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim se ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të ankesës së paraqitur nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e Statuti të Kuvendit të 11 dhjetorit.

Berisha shprehet se me Kim me deklaratën e saj të fundit ka pranuar ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, ndërsa shtoi se ka pasur ndihmë edhe nga qeveritarë të rëndësishëm të Partisë Socialiste.

Berisha i shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka kërkuar pikërisht këtij të fundit të mos lejojë ambasadoren të ndërhyjë në çështje të drejtësisë në Shqipëri.

“Gjatë këtyre ditëve, në konferencat e mia për shtyp, sot paradite dhe të premten e shkuar, kam njoftuar mediat dhe publikun se Znj Kim, ambasadore e SHBA në Tiranë ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të ankesës se paraqitur kundër vendimit të gjykatës së Tiranës për regjistrimin e Statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, ankim i cili është në kundërshtim flagrant me kodin e procedurës civile dhe praktikën e gjykatave deri më sot.

Për ndërhyrjen e saj për këtë çështje ajo ka kërkuar ndihmën e qeveritarëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Sot fill pas denoncimit tim të kësaj ndërhyrje, ambasadorja Kim pranoi përmes një twitter se ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë.

Duke e konsideruar këtë ndërhyrje një akt të rëndë dhe të papranueshëm shtoj se gjykatat prezumohen të jenë të pavarura dhe çdo ndërhyrje pavarësisht makijazhit përbenë cenim të hapur të kësaj pavarësie dhe dhunon ligjet e  kushtetutën e vendit dhe parimet ndërkombëtare të drejtësisë së pavarur.

Kur presioni dhe ndërhyrja vijnë nga diplomate të huaj, përveçse shkelin e sovranitetin dhe ligjet e vendit ata shkelmojnë gjithashtu dhe konventat ndërkombëtare që ndalojnë rreptësishtë kthimin e diplomateve në aktorë politikë.

I bej thirrje Departamentit të Shtetit të mos lejojë ndërhyrjet e palejueshme të ambasadores Kim në proceset gjyqësore dhe pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri.”, tha ai.