Berisha ikën me akuza Ramës
"bekon" Bjeshkët e Namuna

Berisha ikën me akuza Ramës<br />
TIRANË - Mbledhje e 425-të e qeverisë, e fundit për qeverisjen 8 vjeçare është shfrytëzuar nga kryeministri në ikje, Sali Berisha për të paraqitur arritjet por dhe për të sulmuar Edi Ramën dhe kabinetin e tij ministror, e cila pritet të dekretohet javën e ardhshme.
  
 “Mbledhje nuk do të ketë më. Kjo është e fundit. Në momentin që do gjykoj më të afërt do i paraqes Presidentit dorëheqjen e këtij kabineti dhe do të qëndroj prapë si qeveri në detyrë gjer në momentin që qeveria tjetër në përputhje me Kushtetutën të betohet tek presidenti”- tha Berisha në fund të mbledhjes duke informuar dhe miratimin e vendimit për dorëheqjen e zv/ministrave por dhe vendimin për t'i ndryshuar emrin Bjeshkëve të Namura në Bjeshkë të Bekuara. 

Berisha paragjykon qeverinë e re duke thënë se me premtimet alla-Papandreu, dhe ministra me dosje korruptive, shanset për të dështuar janë “95%“ pasi mohojnë çdo gjë.”  Fjala e plote e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave

CFARE U THA NE MBLEDHJEN DY ORESHE

BERISHA BEN BILANCIN E 8 VITEVE QEVERISJE

Në fillim të mbledhjes kryeministri në ikje bëri dhe një bilanc të 8 viteve qeverisje.
“Kjo është mbledhja e 425-të në 8 vite në të cilat janë miratuar 7255 ligje dhe vendime. Nga këto 5916 vendime, 1292 ligje, 47 akte normative kanë përbërë infrastrukturën ligjore të të gjitha reformave në të gjitha fushat", u shpreh Berisha.

BERISHA: SOCIALISTET FORCE BLLOKUESE PER INTEGRIMIN E SHQIPERISE
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha sulmoi Partinë Socialiste si një "forcë politike që kur ishte në pushtet e ngriu procesin e integrimit, ndërsa kur erdhi në opozitë e bllokoi."

“Shqiptarët, jo se janë pa të meta, por komb më të mirë nuk ka. Por na rastisi fatkeqësia në derë. Kemi një forcë politike që kur ishte në pushtet e ngriu procesin e integrimit, ndërsa kur erdhi në opozitë e bllokoi", - tha Berisha.

“Kur ne paraqisnim kërkesën e presidencës çeke, dhe ai e miratonte Rama e denonconte si një akt elektoral. Kur KE dhe PE votuan për të hapur për shqiptarët perspektivën e heqjes së vizave, Rama nguli çadrat para ndërtesës dhe i hoqi kur i thanë miqtë e tij se vizat nuk i bllokon dot. Kur procesi i zbatimit të marrjes së vizave po avanconte me një grup albanofobësh shpërndante trillime nga më të ulëtat për vendin e vet, paraqisnin Shqipërinë si çerdhe ekstremizmi, dhe organizonte protesta në mbarëvendin nën moton “hap kutitë të çlirosh vizat. Kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat u zhvesh më keq se në plazhet e botës, nuk dha votën në parlament për 3 ligjet dhe shtyu statusin në dy vite”

“Ju keni votuar e keni marrë vendimin tuaj. Me këtë fjalë nuk kam asnjë qëllim tjetër përveçse personi që votuat dhe përpak do ulet në këto karrige të mos përdorë interesat e tij meskine të pushtetit të tij për të bllokuar një proces që është jetik. Ne mbështesim integrimin dhe ju garantoj se ne do të jemi promotor të pareshtur të këtij procesi... Njeriu që do ulet në karrigen e kryeministrit organizoi miting të nesërmen e ftesës që morëm në Bukuresht. ”- tha Berisha.

BERISHA: RAMA MR.20%, PERZGJODHI MINISTRAT SIPAS KRITERIT TE DOSJEVE TE KORRUPSIONIT
Berisha akuzoi Ramën se nuk ka një plaftormë për të luftuar korrupsionin pasi ka përzgjedhur ministrat sipas kriterit të dosjeve të korrupsionit.
 
“Shtroj një pyetje: A mund t’i thonë vetes, njëri-tjetrit apo fëmijëve qoftë dhe vetëm dy fraza të vetme, apo një nocion të vetëm që kanë dëgjuar nga Edi Rama se si do të luftojë ai korrupsionin? Zero, asnjë njeri, asnjë gazetar, publicist nuk mund të artikulojë qoftë dhe një formulim të vetëm të zotimit të tij për të luftuar korrupsionin. Kjo jo se nuk dihet që do të ketë një plaftormë të kristaltë. Ai ulet në këtë karrige pasi është akuzuar në mënyrën më të përsëritur si Mr 20 %, ka përzgjedhur me kriterin e dosjeve të korrupsionit pjesën dërrmuese të kabinetit të tij. Ndaj dhe nuk formulon dot para shqiptarëve qoftë dhe dy vendime që do të marrë për të luftuar korrupsionin”, tha Berisha

BERISHA: NE SIGURUAM DRITA PA NDERPRERJE, QEVERIA E RE I LUTET ZOTIT
Berisha tha se në “8 vite qeverisje energjia nuk është ndërprerë qoftë dhe një orë për mungesë të saj”.
“Maxhoranca që vjen, vjen me moton “t’i lutemi zotit të na bjerë shi. Dhe ne i jemi lutur Zotit, por ne jemi dhe do të jemi garant për energji pa ndërprerje”, tha Berisha.

QEVERIA E RE TE MOS PARAGJYKOJE KONCENSIONET
Lidhur me koncensionet, Berisha vlerësoi rolin e qeverisë së tij ndërsa tha se “Këta që vijnë kanë dëshmuar alegji dhe papërgjegjshmëri sa i takon ndërtimit të HEC-ve”.

“Ftoj qeverinë e re të shqyrtojë me lupë çdo koncension. Dënoj çdo vendim paragjykyes ndaj koncesioneve”, tha Berisha.

REZERVA PER MINISTREN E RE TË ARSIMIT
Duke vlerësuar arritjet e arsimit gjatë qeverisjes së tij, Berisha shprehu rezerva për ministren e ardhshme të Arsimit, Lindita Nikolli.
 
“Vjen për meritë të pasionit politik. Kurrë në histori nuk ka pasur në krye të këtij dikasteri, një person siç vjen këtë herë”, tha Berisha.

Ai bëri një bilanc për arsimin në 8 vitet e qeverisjes së tij.
 
“Arsimi pësoi transformime të thella. Kam dëgjuar ziliqarë të flasin për analfabetizëm, por në këtë renditje Shqipëria ka pozicion të mirë. Tendenca për të sharë vendin tënd është një primitivizëm i diktuar nga albanofobia. Arsimi në Shqipëri nuk është kurrë ai që ishte 8 vite më parë. U katërfishuan studentët”, vlerësoi Berisha

BERISHA SULMON MINISTRIN E SHËNDETËSISË
Sipas Berishës Ilir Beqja do të falimentojë sistemin e shëndetësisë.
 
Lidhur me sistemin e Shëndetësisë Berisha vlerësoi se janë investuar mbi 300 milionë euro.
"Të vendosësh në krye të këtij sistemi që ka të bëjë me jetën e fëmijëve e grave e të moshuarve, një njeri që s’ka nocionet më elementare dhe që përpunon së bashku me piktorin platformën e sistemit shëndetësor falas për të gjithë do të thotë të tallesh me të gjithë. Të premtosh një sistem falas pa kontribute do të thotë të premtosh falimentimin e këtij sistemi. Njerëzit do të ishin të lumtur po të ishte e vërtetë, por janë të pavërteta e mban përgjegjësi shumë të rëndë”, u shpreh kryeministri ne ikje.

BERISHA: RAMA PREMTIME ALLA PAPANDREU, KRIZA JO PER FAJIN TONE
Berisha kërkoi të bënte të qartë se nuk ishin politikat e qeverisë shkaku në të cilën ndodhet aktualisht Shqipëria dhe për të cilën qytetarët e dënuan me votë në zgjedhjet e 23 qershorit.
”Unë i kuptoj dhimbjen e tyre por ju them nuk janë politikat e kësaj qeverie shkaku. Rënia e remitancave nga Greqia e Italia. Ne patëm në dorë dhe rritëm pagat e pensionet por nuk kishim fluksin e remitancave. Bëmë gjithcka që shqitparët të mos shpunësohen dhe e realizuam.  Ne nuk mund t’i premtonim kurrë ato që premtoi piktori, premtime alla-Papandreu që u thoshte grekëve që paratë janë këtu por s’jemi ne dhe tani ia ka mbathur dhe rokullisi vendin në krizën më të thellë.

Shqipëria, ju personalisht do të keni problemet më serioze. Po t’u thuash që do iu bësh shqiptarë legalizime falas pa kontribute, dhe do u premntosh të përmdjekurve se do i dëmshpërblesh në dy vite, janë premtime të ëmbla, por nuk po e dëgjoni më të shqipërojë, asgjë prej tyre, nuk flet për ata që mori votën.”- tha Berisha.

Sipas tij shanset e qeverisë së re për të dështuar janë “95%“ pasi mohojnë çdo gjë.”

MIRATOHET DOREHEQJA E ZV/MINISTRAVE
Qeveria miraton dorëheqjen e zv/ministrave. Janë më shumë se 30 poste zëvendësministrash që do të ngelin bosh që pas vendimit të sotëm, ndërkohë që vetë ministrat kanë bërë gati dosjet e punës për pasardhësit. Vendimi për largimin e zëvendësministrave ka ardhur nga kryeministri në detyrë Sali Berisha, pas dhënies së dorëheqjes së pjesëtarëve të stafit, nga këshilltarët e tij e deri tek stafi i ngushtë që do të largohen së bashku me kryeministrin. Po kështu pritet të miratohen dhe vendimi për shpronësimin e truallit për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës.
 
MANDATI 2009-2013 MANDAT FATI
“Ky mandat ishte mandati if atit i 100 vjetroit. Patëm nderin të jemi në një ngjarje që përsëritet një herë në 100 vjet dhe bëmë gjithçka që ta festonim në mënyrë më dinjitoze dhe shqiptarët të njohin historinë. vetë ishin  më zemër thyer, minstiri që nuk zbriti nga avioni se unë përmenda Prevezën. Miku im tjetër i cili u mërzit se thashë që Shkupi ka qenë qendër e shqiptarëve dhe  i treti Piktori që s’e shqipëroi një vit rresht fjalën 100 vjet, e përmendi 10 ditë më parë kur u mor me vilën e atit shpirtëror dhe piramidën “- tha Berisha.

BJESHKET E NAMUNA TANI BJESHKE TE BEKUARA
Berisha e mbylli mbledhjen e qeverisë me vendimin për ndryshimin e emrit të Bjeshkëve të Namura të Tropojës,  në Bjeshkë të Bekuara.
“Do i jap një këshillë të gjithë komuniteteve, aty ku ka emra që nuk janë euforikë janë kakofonikë bashkarisht të vendosim për të përshtatur një emër që i shkon më shumë. Nuk e ka nga nami, (se po më shkruan një në facebook). Janë mrekulli natyre. Ftoj dhe qeverinë e Malit të Zi e Kosovës të marrin vendime të tilla”

berisha iken, kabineti i qeverise 2009-2013
 
(Ne foto:  Berisha dhe ministrat ne mbledhjen e fundit te qeverise, 5 shtator 2013) 

Redaksia online
(ac/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim

112-vjetori i Pavarësisë/ Basha: Urime datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar! Nderim atyre që luftuan për liri dhe bashkim