TIRANE- Sali Berisha kërcënon qeverinë se e fshin nga faqja e dheut për 5 minuta. Në fjalën e tij që mbajti dje në foltoren e Kuvendit, Berisha i hodhi një lumë me akuza qeverisë dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta nga ku theksoi se me protestën e organizuar nga PD mund ta rrëzonte qeverinë. Krahas kësaj, në këtë deklaratë doli se edhe vetë Berisha, e kishte kuptuar gafën që kishte bërë me numrin e protestuesve, ku tha se numri i tyre ishte 5 mijë dhe jo 150 mijë, por që edhe këta individ ishin të mjaftueshëm për ta rrëzuar këtë qeveri. “Ai Sovran që është aty, ai që protestoi më 20 shkurt, ju bëjnë pluhur.

Edhe 5 mijë njerëz të jenë, nuk ka polici në botë që i përballon dot. Po shtoni urrejtjen qytetare ndaj një institucioni që duhet të jetë më i respektuari, Kuvendin e Shqipërisë. Ju bëj thirrje sot, zhbëni seancën, hiqni dorë nga marrja e pushteteve, të zbatoni ligjet të ndryshohen dhe reformohen sipas interesit të vendit dhe jo interesit të pushtetit personal”,- tha Berisha. Në vijim të fjalës së tij, kreu i PD-së, tha se kryeministri Rama po vepron njëlloj siç veproi Adlof Hitleri kur mori pushtetin në Gjermaninë naziste ku si argument kishte shkarkimin e Zana Xhukës.

“Adolf Hitleri çoi një ligj në Kuvend që autorizonte Qeverinë, të tejkalonte kompetencat e saj. Edvin Kristaq Rama, pa asnjë ndryshim ligjor, dhunoi një nga një nenet e kushtetutës së Shqipërisë. Duke nisur nga neni i simboleve, dhe vijoi me nenet që garantojnë privatësinë dhe sigurinë e banesës, ndarjen e pushteteve. Mendja e tij e sëmurë nuk njeh vendimet e Gjykatave. Ju i morët pushtetin Presidentit të Republikës, dhe kjo nuk ndodhi as në Gjermaninë naziste”, akuzoi Berisha.

Kërcënimi
Por duke vijuar fjalën e tij, Berisha pati një tejkalim nervash nga ku filloi që t’i ulërinte përfaqësuesve të qeverisë, sa që iu ngjir zëri. Në këto të bërtitura, ish-kryeministri doli në një kërcënim të hapur se ai ka përgatitur planin më të skajshëm që as socialistët nuk e kanë imagjinuar. Sipas tij, nëse mazhoranca nuk ndryshon qëndrim, ai do ta vejë në zbatim atë. “Në rast të kundërt, do na detyroni, ju a them këtu, të shkoni aty ku nuk kemi dashur.

E merrni thjesht por e keni gabim, kemi përgatitur kushtet për një destabilizim të tillë që mendja juaj nuk e dëshiron”,- kërcënoi Berisha. Por këto deklarata të Berishës, sollën edhe një acarim të deputetëve të mazhorancës të cilët filluan që të hidhnin akuza ndaj tij. Kjo gjë e detyroi kreun e Kuvendit Ilir Meta që ta ndërpriste seancën për një pauzë të shkurtër në mënyrë që situata të qetësohej. Por këto deklarata të bëra nga ish-kryeministri, duket se shkojnë si një kërcënim i drejtpërdrejtë për qeverinë, duke lënë të kuptohet se në tubimet e ardhshme të organizuara nga Partia Demokratike situata mund të degjenerojë në dhunë.

Shkrimi u publikua sot (28.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)