BERISHA: JO BASHKIMIT KOSOVE- SHQIPERI, DO HUMBISNIM TERRITORET SHQIPTARE
Gjatë takimit me studentët Berisha përsëriti dy herë gjatë fjalës së tij se ishte kundër projektit të bashkimit Shqipëri- Kosovë, pasi një rivijëzim i ri i hartës, do kërcënonte humbjen e territoreve. Pyetjes së një studenteje se a mund të kemi një administratë të përbashkët Kosovë- Shqipëri, Berisha tha “Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura, dhe duhet të kenë dy administrata. Në projektin e Bashkimit kombëtar, sot mendoj unë se interesi më i mirë i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Ne jemi një komb, u ndamë në mënyrën më të padrejtë, por fatmirësisht u çlirua me çlirimin e Kosovës, dhe vendimin e Gjykatës së Hagës e cila defakto hodhi poshtë të gjitha traktatet që ndajnë shqiptarët. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE.
Ne jemi një komb që 130 vitet e fundit dhe më gjatë na kanë grabitur territore shumë të mëdha, dhe ato nuk janë më shqiptare. Toka u takon të gjallëve, dhe ata nuk janë shqiptarë, janë kombe të tjera. Ne nuk duhet të tentojmë asgjë që të cënojë territoret shqitpare. Ruajtja e territorit është interesi vital më i madh. Në një rivizatim të kufijve e sigurtë është që shqiptarët do të humbasin prapë territore dhe kjo do të ishte e pafalshme” – nënvizoi Berisha.
Më tej ai shtoi se “Interesi jetik i shqiptarëve për të ruajtur kufijtë ekzistues është se shqiptarët nuk duhet të pranojnë të humbasin qoftë dhe një metër tokë. Në një vizatim tjetër ju garantoj do shënonte humbje të pamerituar të territoreve shqiptare. Këto territore në një të shkuar absolutisht jo të largët janë shtrirë në kufi me Bullgarinë, në Novi Pazar etj, sot nuk janë më, ndaj në qëndrimin tonë duhet të jemi të durueshëm, duhet të jemi të lirë por nuk duhet të ndërmarrim asnjë lloj veprimi që kërcënon humbjen e territoreve .
BERISHA: LOBINGJE ANTISHQIPTARE KUNDER RRUGES SE KOMBIT
Nga kryeqyteti i Kosovës, ku po zhvillon një takim me studentët, Kryeministri Berisha deklaron se lobingje antishqiptare, brenda dhe jashtë vendit, kundërshtuan ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës- Morinë, pasi do të dëmtonte thellësisht portet e rajonit.
"Eksponentë me një formimin politik arkaik e konsideronin rrugën si një rrugë që do të bënte të mundur bashkimin e Shqipërisë dhe ky bashkim nuk duhet të ndodhte. Në rrafshin gjeopolitik në një vështrim historik ka ekzistuar një rivalitet mes portit të Durrësit e Selanikut. Dhe këto individë dhe grupe mendonin se rruga e Kombit do të dëmtonte thellësisht portet e rajonit. Por Shqipëria është shtet sovran, kështu që pas një beteje shumë të vendosur me këto grupe të vendosur në institucione të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, filluan ndërtimin."
Kryeministri akuzoi si pjesë e këtyre lobingjeve, kreun socialist Edi Rama dhe segmente të tjera në Kosovë. ”Kjo rrugë është një rrugë e kushtueshme, por atyre që u bien borive se ka një korrupsion prej qindra milionë euro, u them kostoja për kilometër është më pak se 10 milionë euro, kësaj rruge në një vend mik është ndërtuar një autostradë që kalon në një terren shumë më pak të vështirë me kosto 13 milionë euro për km. Të shpallësh shifra marramendëse që nuk kanë asnjë dokument tregon se u bëre pjesë e atyre lobeve që luftuan me të gjitha mjetet kundër ndërtimit të rrugës. Kreu i PS-së me disa segmente të tjera të këtushme e kryesuan këtë procesion, por nuk ia arritën. Rruga u ndërtua.” - theksoi kreu i qeverisë.
I pyetur nga studentët për deklaratën e Ramës në Kosovë se ai nuk ishte kundër rrugës së kombit, Berisha tha: “Rama ui ngrit qindra herë kundër rrugës së kombit”-theksoi Berisha duke shtuar se "Rama ka të drejtë të rishqyrtojë gabimet, por të deklarosh se nuk ke qenë kundër rrugës, akuzon veten tënde se shqiptarët kanë memorie të kthjellët, megjithatë Rama ka të drejtë rishqyrtojë qëndrimin për rrugën e kombit, sepse “Errare humanum est”
BERISHA: RAMA BLLOKOI INTEGRIMIN PER TE DEMTUAR QEVERINE POR DEMTOI PARTINE E TIJ
Berisha përsëriti akuzat ndaj Ramës se bllokoi integrimin në BE duke bojkotuar parlamentin dhe duke mos votuar ligjet me 3/ 5. “Zotëria i bllokoi ligjet. Me gjithë ofertat tona të përsëritura, zotëria nuk i pranoi duke besuar se me bllokimin e statusit do dëmtonte qeverinë por e vërta është se dëmtoi partinë e tij”- tha Berisha, ndërsa premtoi se do t'i qëndronte paktit për të votuar kandidatin e Avokatit të Popullit të propozuar nga PS.