TIRANE- Financimi dhe përfundimi i plotë i Rrugës së Arbrit do të mundësohet pas arritjes marrëveshjes me një kompani kineze ndërtimi. Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka njoftuar në rrjetin social “Facebook” ofërtën e bërë nga kompania CSCEC. Sipas Berishës, kompania ofertuese do bëjë vetë financimin e plotë (koncension) ose të pjesshëm të ndërtimit të rrugës me një kredi që qeveria kineze i akordon asaj për këtë vepër.
 
“Zgjidhet financimi dhe ndërtimi i plotë i Rrugës së Arbërit! Rrugës së dytë të Kombit! Të dashur miq, pas mbi një vit tratativash me autoritetet kineze, kompania e ndërtimit nr.1 në Kinë, por dhe në botë CSCEC paraqiti një ofertë për ndërtimin e plotë të 27 km të rrugës së Arbërit që kanë mbetur pa ndërtuar përfshirë ketu tunelin e Qaf Murrizit dhe Urën e Vashës. Kompania do bëjë vetë financimin e plotë (koncension) ose të pjesshëm të ndërtimit të rrugës me një kredi që qeveria kineze i akordon asaj për këtë vepër. Sipas një opsioni tjetër qeveria shqiptare mund të bëhet bashkëfinancuese me shumën 70 milionë euro. Në të dy rastet pala shqiptare duhet të marrë përsipër pagesën e përvitshme të fitimit të munguar nga trafiku për vitet e nxjerrjes së investimit nga kompania. Oferta, në çdo aspekt, është shumë e leverdisshme. Ajo nuk rrit borxhin publik. Mbi bazën e saj, sipas ligjit do hapet se shpejti tenderi ndërkombëtar”, shkruan Berisha.
 
Sipas Berishës, ndërtimi i kësaj rrugë shkurton distancën dhe kohën e përshkrimit të saj.
“Rruga e Arbërit është rruga e dytë e kombit. Me ndërtimin e tunelit të Murrizit distanca midis Shkupit dhe Tiranës shkurtohet me 103 km, kurse ajo midis Peshkopisë, Bulqizës dhe Tiranës bëhet përkatësisht 60 dhe 30 min”, shkruan Sali Berisha.

berisha fb

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)