TIRANË – Kryeministri Berisha paralajmëroi këtë të djelë se Pallati i Kulturës në qendër të Tiranës nuk do të jetë për shumë kohë.
“E theksoj përsëri ai Pallat Kulture ndodhet vetëm në Lambador , dhe atje mund të përshtatej me stepat, por këtu s’kemi stepa, këtu kemi male ndër më të bukurat, kemi detin në anën tjetër dhe pastaj 11 vitet e humbura të Tiranës. Në rrafshin Europian dua të them”, tha kryeministri.
Gjatë vizitës boceteve për monumentin që do të përzgjidhet si simbol i 100 vjetorit të Pavarësisë, kryeministri akuzoi ish kryebashkiakun Rama se i shuajti të gjitha vlerat artistike të kryeqytetit.
“11 vite, të cilat vizitori dhe qytetari nuk mund të gjejë një vlerë artistike europiane të derdhur diku, përveç kumbullave të kuqe, që nuk bënë kumbulla kurrë. Absolutisht. Po çfarë pengese kishte, që të shihnim vlera artistike edhe këtu dhe një seri prej këtyre veprave të mrekullueshme të pasqyroheshin për vizitorët? Veprat artistike kanë lexime shumë tërheqëse në shumë raste dhe aty kanë mëritën e tyre, por bëheshin beteja për të mbrojtur një trashëgimi , nga e cila uroj dhe dëshiroj, që Bashkia e Tiranës ta çlirojë këtë qytet dhe e garantoj se do të ketë mbështetje të plotë duke filluar me Pallatin e Kulturës, që përben një shëmtirë të pamerituar për kryeqytetin, një problem madhor për qytetarët e Tiranë”, tha kryeministri.

MONUMENTI
Kryeministri ka vlerësuar si projektin më të përshtatshëm atë të flamurit me shqiponjën dykrenare, e cila stilizohet në dhjetra forma.
“Përzgjedhja e vështirë. Sepse në këtë seri kaq të bukur veprash të artistëve shqiptarë dhe mbarë Europa të përzgjedhësh. Çdo vendim që të marrë bashkia e Tiranës për ta rivendosur kryeqytetin në platformën europiane në të cilën lindi. Do mbështes vendimet e këshillit bashkiak për ta ndarë qytetin nga periudha e cila e vërviti Tiranën në një epokë të egër ballkanike”, tha kreu i qeverisë.

JURIA
Ndërkaq kryeministri duke vlerësuar jurinë, e cila do të përzgjedhë maketin fitues, tha se kryebashkiaku ka një shans të madh të përzgjedhjes së këtyre veprave për të pasuruar Tiranën me vlera artistike, që i mungojnë dhe një avantazh të madh për kryeqytetin
“Juria është e përbërë nga artistë me reputacion botëror të huaj dhe të vendit dhe Tirana do të ketë një monument për 100 vjetorin e Pavarësisë. Kryetari i bashkisë ka një shans të madh të përzgjedhjes së këtyre veprave për të pasuruar Tiranën me vlera artistike, që i mungojnë, ndaj dhe vlerësoj se ky proces përbën një avantazh të madh për kryeqytetin”, deklaroi kryeministri.
Juria, e përbërë nga 9 personalitete të shquara kombëtare dhe ndërkombëtare të artit, kulturës dhe arkitekturës, nis punën sot ndersa në 21 mars do të vlerësojë 5 bocetet më të mira me sistem pikësh, të cilat do t’i paraqiten Komisionit Shtetëror të Festimeve pranë Kryeministrit. Nga data 22 mars deri në 25 mars, në GKA të gjitha bocetet pjesëmarrëse do të mund të vizitohen falas nga publiku.

(aq/shqiptarja.com)