TIRANE - Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Sali Berisha hapi dje zyrtarisht fushatën për zgjedhjen e liderit të ri të partisë përmes parimit “një anëtar një votë”. “E thirra këtë mbledhje Kryesie me qëllimin që të hapet sot e në vazhdim gara për zgjedhjen e lidershipit të ri të PD. PD ka pësuar një humbje në garë e ajo ka jetike një rikthim të ri të fuqishëm.

Në detyrimin tonë më madhor ti japim asaj mbështetjen totale për fillimin e saj të ri”, deklaroi Berisha. Duke ftuar të gjithë për një fillim të ri në këtë parti, e cila sipas tij ka bërë shumë për vendin dhe zhvillimet demokratike. Por menjëherë pas mbylljes së derës për gazetarët Berisha kërkoi nga gjithë anëtarët e kryesisë të flasin në lidhje me elementin e ri që futet në zgjedhjet për kreut të ri të PD, ai i parimit “një anëtar një votë”.

Berisha mësohet të jetë shprehur se kandidimi sipas parimit “një anëtar një votë” jo vetëm që është demokratik, por ka dhe elementin tjetër tepër të rëndësishëm që “kryetari i ri i merr të gjitha. Pra ai krijon ekipin apo stafin e tij dhe për pasojë do ketë dhe shumicën e forumeve drejtuese pasi do e mbështesin në punën e tij për ringritjen e PD”.

Çka do të thotë sipas Berishës se zgjedhja e liderit të ri do ndikojë dhe në formatimin e Këshillit Kombëtar në Kuvendin e ri, kryesisë së re në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar e të sekretariatit e nënkryetarëve, që përbëjnë ekipin e ngushtë e përfaqësues për të drejtuar partinë, përballuar fushata elektorale.

Por, mban përgjegjësi për të gjitha. Pra jo vetëm që i merr të gjitha, por dhe i humb të gjitha në rast dështimi. Në kryesi kanë diskutuar nënkryetarët Topalli e Patozi, sekretari i përgjithshëm Bode, sekretari i organizimit Noka dhe anëtarë të tjerë të forumit të lartë, ku kanë kërkuar e shpjeguar mënyrën e funksionimit sa më mirë të statutit të PD.

Ndërkohë dy anëtarët e kryesisë Albana Vokshi e Gerti Bogdani janë interesuar të marrin shpjegime në lidhje “me përfaqësimin e forumeve që drejtojnë”. Ndërsa para mediave Berisha tha se PD vërtetë ka humbur betejën por ka me vete qindra, mijëra, ka forcat më të kualifikuara të këtij vendi të cilët kanë një kontribut, janë pjesë qenësore e të gjitha arritjeve në këto 8 vite.

“Një fillim i ri i fuqishëm do të bëhet e mundur, në Grupin Parlamentar të PD. Ky është grupi më i kualifikuar që kjo forcë politike ka patur në historinë e saj opozitare. Ky grup nuk ka numrat më të mëdhenj, por ka njerëzit që njohin më mirë se kushdo tjetër qeverinë dhe qeverisjen. Këta janë njerëzit të cilët mund të bëjnë avokatinë më të fuqishme të alternativës sonë në Parlament, pasi ata janë njohësit më të thellë të procesit të qeverisjes dhe qeverisë.

Është një grup lartësish i kualifikuar për opozitën”, tha Berisha. Deklaratë e cila ka bërë që anëtarët e kryesisë, sidomos ata që nuk kanë kandiduar të ulin kokën, pasi nuk imagjinojnë që Islami të bëjë fuqishëm avokatinë e PD në Kuvend. Gjë që e shprehën në rrethe të ngushta, madje duke e cilësuar atë si një nga faktorët e humbjes.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)