Berisha: Ligji njeh vetëm
pjesëmarrjen në luftë, s’jep dekoratë 

Berisha: Ligji njeh vetëm<br />pjesëmarrjen në luftë, s’jep dekoratë 
TIRANE - Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi sot ndaj ndjesës së kryeministrit Edi Rama për dekorimin e Shyqyri Çokut, hetuesit të At Zef Pllumit me rastin e 70-vjetorit të çlirimit. Rama tha se Çoku u dekorua për shkak se ishte në ishte në listën e veteranëve, status që sipas tij ja ka dhënë Berisha si ish-president. 

Por Berisha i dha këtë përgjigje gjatë një bashkëisedimi me gazetarët:

“Statusi i veteranit njeh vetëm pjesëmarrjen në luftë, që në fakt u fry në mënyrën më monstruoze, saqë sot gjen me status veteran edhe qytetarë që kanë lindur në vitin ‘48 apo ‘50. Pra ka të bëjë me pjesëmarrësit në luftë. Ligji nuk jep asnjë dekoratë. Nuk njeh asnjë imunitet. Sali Berisha, në të njëjtin vit, do të ishte vendi i parë në Europën ish -komuniste që bëri ligjin e dënimit të genocidit komunist dhe krimeve kundër njerëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Asnjë vend tjetër nuk e kishte këtë. Presionit ndërkombëtar iu përgjigjëm me fakte. 73 persona janë dënuar për genocide, përfshirë Nexhmie Hoxha apo Aranit Çela, që i përmend Edi Rama. Sali Berisha bëri ligjin e lustracionit që përjashtoi të gjithë xhelatët e kalvarit komunist të viteve të diktaturës, i përjashtoi nga çdo funksion publik. Meqenëse ky ligj u amendua, ne përsëri e rikthyem këtë ligj, i cili ishte gjetur legjitim nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me të njëjtat pregorativa në funksion të largimit të xhelatëvë nga funksionet publike.
Kundërshtari më i egër i këtij ligji u bë Edi Rama dhe partia e tij, e cila e dërgoi ligjin në Gjykatë Kushtetuese, e cila bëri presionin më të jashtëzakonshëm në Gjykatën Kushtetuese, e cila me një akt të pashembullt në histori e në botë, në konflikt total interesi, me shumicë dërrmuese, hodhi poshtë ligjin dhe plotësoi kërkesën e Edi Ramës


Fjala e Berishes
Rama shkoi në Shkodër dhe ngjante i gjori si krimineli në vendin e krimit, ngjante ekzakt, e them këtë për faktin se Shkodra ka qenë qyteti me shkallën më të lartë, të pakrahasueshme, të persekutimit gjatë diktaturës komuniste. Tre kanë qenë armiqtë kryesor të Enver Hoxhës gjatë diktaturës; shkodranët, kosovarët dhe minoritarët. Këto të tre kanë qenë targeti, nishani absolut, natyrisht gjenocidi komunist nuk ka kursyer mbarë Shqipërinë. Por Rama shkoi atje i shoqëruar nga dy pinjollët e dy persekutorëve ndër me kryesorët e qytetit të Shkodrës; Beqajn dhe Bushatin. Shkoi në përçartjen e tij jo të denjë për një njeri normal dhe të qytetëruar. Ju them një gjë, që në dallimin më thelbësor mes njeriut të qytetëruar dhe jo të qytetëruar, i pari mban përgjegjësi për ato që bën, i dyti nuk mban përgjegjësi për ato që bën, dhe unë nuk mund të them se Edi Rama është në epokën e gurit. Jo. Por dallimi më thelbësor midis njeriut normal dhe njeriut psikik është pikërisht dhe kjo. Normali mban përgjegjësi, i sëmuri nuk ka asnjë përgjegjësi. Shkoi në Shkodër, dhe në një ligjëratë koprolalike të gjatë, gjithçka fajësoi dhe projektoi tek Sali Berisha.
 
Do të më falni se këtu dua të informoj shqiptarët me fakte.
 
Edi Rama deklaroi se gjithçka erdhi nga ligji i Sali Berishës dhe ligjet e Sali Berishës për statusin e veteranëve. Më duhet të them se kjo nuk ka asnjë lidhje. Statusi i veteranit nuk ka të bëjë me asnjë emër konkret. Ai njeh pjesëmarrjen në luftë të gjithë atij grupi të gjerë, që në fakt u fry dhe u stër fry në mënyrën më monstruoze dhe me mashtrim, saqë sot ju gjeni me status veterani edhe qytetarë që kanë lindur në ‘48 apo ’50. Pra ka të bëjë me pjesëmarrësit në luftë. Ligji rikonfirmon njohjen e statusit për pjesëmarrësit në luftë, ligji nuk jep asnjë dekoratë, nuk njeh asnjë imunitet. Sali Berisha, në të njëjtin vit, do të ishte vendi i parë në Europën ish komuniste që bëri ligjin e dënimit të gjenocidit komunist dhe krimeve kundër njerëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Asnjë vend tjetër nuk e kishte këtë ligj. Presionit të madh ndërkombëtar iu përgjigjëm me fakte. Se nëse bazuar në konventa, në Shqipëri është kryer genocid, ne nuk kemi rrugë tjetër vetëm dënimit të këtij akti që është i pafalshëm, i paparashkrueshëm sipas këtyre konventave. Mbi bazën e këtij ligji u dënuan 73 ish funksionarë dhe zyrtarë të niveleve më të larta. Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia dhe të tjerë që i citoi dje Edi Rama se unë i paskam dekoruar, janë dekoruar me dënim për genocid , Aranit Çela dhe të tjerë, 73 persona. Përveç kësaj, Sali Berisha në vitet 93 ose 94 bëri ligjin e lustracionit me të cilin përjashtoi nga të gjitha funksionet publike të gjithë ish xhelatët e kalvarit komunist të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri. I përjashtoi nga çdo funksion publik.
 
Në vazhdim, meqenëse ky ligj u amendua dhe pati jetë vetëm në vitin ’96 që u zbatua, përsëri e rikthyem këtë ligj, i cili ishte adaptuar dhe gjetur legjitim, kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me të njëjta prerogativa të largimit nga çdo funksion publik të xhelatëve të regjimit komunist. Kundërshtari më i egër i këtij ligji u bë Edi Rama dhe partia e tij, e cila e dërgoi ligjin në Gjykatë Kushtetuese, e cila bëri presionin më të jashtëzakonshëm në Gjykatën Kushtetuese, e cila në një akt të pashembullt në historinë e të drejtës në Europës dhe në Botë, në konflikt total interesi, me shumicë dërrmuese hodhi poshtë ligjin dhe plotësoi kërkesën e Edi Ramës.
 
Sali Berisha, miratoi rezolutën dhe ligjin me të cilin dënon Enver Hoxhën dhe e zhvesh atë nga çdo atribut.  Edi Rama, në mbështetje të xhelatëve të regjimit komunist miratoi ligjin e hapjes së dosjeve, në të cilin asnjërit prej këtyre kriminaleve nuk ju ndalohet ushtrimi i funksioneve më të larta të shtetit përfshirë atë të kryeministrit apo Presidentit të Republikës. Nuk isha unë që ia shkrova ligjin dhe ky ligj nuk ka disa muaj që është votuar në Parlament. Edi Rama, në 24 vite pluralizëm, është i vetmi kryeministër, i cili do të përkujtonte 70 vjetorin e Clirimit të vendit në Varrezat e Dëshmorëve i rrethuar nga portretet e Enver Hoxhës dhe do ti shpërndante këto portrete në mbarë botën në Facebook-un e tij. Nuk ia bëri Sali Berisha, atë e bëri Edi Rama për krenarinë e tij që ndjen ndaj atit të tij shpirtëror. Do të kthehemi pak pse këto qëndrime? Edi Rama është i biri i një xhelati të vërtetë të regjimit diktatorial dhe nipi, në kuptimin xhaxhai i nënës ka qenë i Spiro Kolekës, i persekutonit numër një të inteligjencës teknike nga Këneta e Maliqit deri në ditët e fundit të jetës së tij. Njeriu që do të kërkonte në vitin ’90, pasi e çoi për strehim Edi Ramën në Korfuz tek kushërinjtë e tij, e siguroi atje mirë, i kërkonte në plenium për pluralizmin që u zhvillua, i kërkonte Ramiz Alisë të fusim tanket e të përdorim forcën. Edi Rama nuk e ka rastësore këtë. Nderimin e xhelatëve e bën në rradhë të parë si nderim për të atin. Unë e kam ngritur gjithnjë këtë problem. 
 
Do t’ju them dhe diçka, 25 vjet më parë, është momenti i një ngjarje, është takimi me intelektualët e Tiranës organizuar nga Partia Demokratike në Pallatin e  Kulturës, një takim i hapur kanë qenë ato 90% intelektualë që nuk ishin anëtarë të PD pasi nuk kishim arritur ende anëtarësimin, por ishin mbështetës të ndryshimit dhe ata iu përgjigjën thirrjes dhe u mbush salla. Midis tyre erdhi Edi Rama. E dini se çfarë ndodhi me të. Pasi shtroi tezat e tij, të cilat ia fishkëllyen, filloi dhe po fliste, por intelektual të ndershëm të cilëve ju kishte bërë gjëmën i ati i Edi Ramës, ai burri i gjatë me kollare dhe i hijshëm u ngrit dhe ia përplasi në fytyrë Edi Ramës. Ti nuk mund të flasësh dhe nuk mund të na japësh neve leksione demokracie, dëno njëherë veprimet e babait tënd kundër nesh, i tha,  dhe Edi Rama ia mbathi në panik. Iku nga salla. Kanë qenë të paktën 350-300 pjesëmarrës, kam qenë në panel me Arben Imamin dhe nuk ishim ne për të folur, ne i thirrëm për ti dëgjuar. Ka pasur një traditë të shkëlqyer ato vite, ajo ishte tradita më e bukur, e quanim “foltore" dhe aty merrnin fjalën më shumë pjesëmarrësit se sa panelistët. Panelistët më shumë dëgjonin ose jepnin ndonjë përgjigje po të pyeteshin, kurse pjesëmarrësit shprehnin lirshëm mendimet e tyre. Më shkruan një pjesëmarrës, një gazetar që diskutoi aty, dhe më thotë që ajo që memorizohej si i mrekullueshëm nga ai takim ishte se ata që kundërshtonin nuk ishin as badiguardë as militantë, ata ishin njerëz të lirë siç ishin mbledhur në atë takim. 
 
Pra, Edi Rama arriti deri aty se atë dekorojë xhelatët, sepse ka këtë origjinë. Edi Rama arriti deri aty sa të bllokojë çdo përpjekje për ti nxjerrë nga funksionet publike. Edi Rama arriti deri aty sa të shpërndarë në Facebook-un e tij foto të Hitlerit shqiptar të Pasluftës, Enver Hoxhës. Këto janë dallimet thelbësore të qëndrimeve të tij. Asgjë nuk ka të diktuar nga unë. Gjithçka e ka më vullnetin e tij të lirë. 
 
Dy persona të persekutuar, intelektualë, personalitete,  At Zef Pllumi dhe profesor Sami Repishti, që përjetuan kalvarin e egër komunist të burgimit, persekutimit, hetimit, torturave qenë me fat se i shpëtuan, mbeten gjallë dhe At Zef Pllumi pas dekadash burg arriti të shohë veten edhe njëherë në misionin e prelatit dhe të intelektualit të madh. Sami Repishti arrin të shpëtojë dhe të ushtrojë veprimtarinë në botën e lirë, por mijëra e mijëra të tjerë a nuk meritojnë dhe ata ndjesë, a nuk meritojnë dhe ata falje, a nuk meritojnë dhe ata që xhelatët e tyre të dalin nga jeta politike.  A nuk meritojnë dhe ata që krimet kundër njerëzit të dënohen, se krimet kurrë nuk parashkruhen, që gjenocidi kurrë nuk parashkruhet. A nuk meriton e shoqja e Havzi Nelës një ndjesë nga Edi Rama, a nuk meriton familja e një fshatari nga Vithkuqi që unë kam dosjen e kam treguar gjitha herë. Sihat Tozaj, raporton në Presidiumin e Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë, kishte në krah nënkryetarin e Frontit dhe anëtarin e  presidiumit Kristaq Ramën, rastin e fshatarit.  Firma e Kristaqit nuk mungon asnjëherë, edhe për Havzi Nelën, i cili kishte një strofë për OSBE. Ne e dënonim në atë kohë e quanim instrument imperializmi dhe ne ishim i vetmi vend që nuk kishim firmosur kartën e OSBE, i vetmi vend, atëherë quhej KSBE jo OSBE. E vërteta është se ajo ishte iniciativë e Brezhnievit  sepse Brezhnievi donte të ngurtësonte kufijtë ekzistues mirëpo perëndimi futi aty, krahas paprekshmërisë së kufijve, të drejtat e njeriut dhe kjo pikë e marrëveshjes do të bëhej një lak në fyt për Brezhnievin dhe të gjitha diktaturat. Perëndimi nuk kishte ambicie pushtuese për paprekshmërinë e kufijve por kishte vullnet të hekurt për liritë dhe të drejtat  dhe Havzi Nela thotë se “era e OSBE do të fryjë edhe tek ne, nuk besoj se do ta ndalin", kjo ishte idea. Ky varet dhe varet 18 vjet pas varjes së fundit në Shqipëri. Në gusht të 1998, në agun e rënies së Murit të Berlinit. Apo edhe për këtë fajin e ka Saliu??
 
Dy fjalë. Në udhëtimin e tij në Sarandë, Rama ndërmorri një sulm të paprecedent ndaj Veriut. Sulm, që në memorien time dhe leximet e mia nuk i ka bërë në shkallë të tillë asnjë politikan. E vërteta është se Enver Hoxha ka larë me gjak Veriun, se Veriu nuk u mashtrua, përveç ndonjë zone të caktuar, Veriu nuk u pajtua as gjatë Luftës me Enver Hoxhën. Nuk them se pati organizime të fuqishme nacionaliste, dhe kjo ishte një nga defektet mendoj unë, por në tërësi Veriu nuk u inkuadrua në njësitë partizane.  Enver Hoxha i dërgoi divizionet, lau në gjak Veriun, dhe njeriu që ka larë në gjak Veriun si komandat, përveç Shefqet Peçit, i cili në Kukës, në Bicaj ka ekzekutuar njerëz sipas rregullit romak; i pari, i treti, i trembëdhjeti, dhe kjo është absolutisht e vërtetë. Më barbari ka qenë Ndrek Korini dhe Ndrek Korinit, Edi Rama, kur ishte kryetar bashkie i vuri emrin e një rrugë në Tiranë. 
 
Po Ndrek Korino nuk është i vetmi. Edi Rama e nderoi edhe për të nderuar të atin si xhelat por e nderoi edhe për urrejtjen që ka Edi Rama për Veriun. Të nderosh një xhelat, se në librin e At Zef Pllumit shkruhet më shumë për Ndrek Korinon se sa për Shyqyriun. Pra, racizmi i tij ndaj Veriut është një racizëm primitiv, i pa shfaqur ndonjëherë nga ndonjë politikan. As Enveri në këtë mënyrë nuk e shfaqte. Së fundi, ky zotëri, pasi mbushi parlamentin me kriminel nga Veriu, që përfaqësojnë krimin dhe vetëm krimin, natyrisht nuk janë më pak të mëdhenj disa nga Jugu por këta ishin me akte konkrete të dënuar, u thotë shqiptarëve se këta i futa në parlament se përfaqësojnë vlerat e krahinave të tyre. 
 
Unë ju them shqiptarëve se Mark Frroku nuk përfaqëson kurë Pukën, përfaqëson horrat dhe kriminelët, vrasësit e Pukës. Pukianët janë burra dhe gra fisnik, të cilët për hir të së vërtetës e kanë dëshmuar fisnikërinë e tyre në të gjitha kohët. Unë ju them se asnjë nga trafikantët e parlamentit nuk kanë asgjë të përbashkët me normat dhe standardet morale të Veriut. Ke parë det apo s’ke parë det kjo sot s’ka asnjë lidhje, sepse ka vende që kanë nivelet më të larta të zhvillimit dhe nuk kanë një pëllëmbë sipërfaqe deti dhe ndoshta më të shumtat janë pa det se sa me det. Se çfarë donte të thoshte ai, që kanë parë Jonin për herë të parë, e di Rama. Por i them një gjë. Shpërthimi i këtij racizmi është sindromë i falimentimit  të tij dhe i plagosjes së tij të pashpresë nga revolta popullore e datës 8.
 
Duke përfunduar, u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë nga Jugu dhe nga Veriu e Tirana të ngrihen dhe të ndahemi nga ky njëri, që po bën gjithçka me pushtetin e tij të krimit, që është kopje identike në raport me krimin me Emiliano Shullazin, por që ka një trashëgimi më kriminale shumë herë më të madhe se Shullazi. Para pak ditësh Shullazi i kërkon me hanxharët e krimit, biznesin e terë të një biznesmeni. Ky biznesmen arrin dhe takon Ramën dhe i thotë se kështu ka ndodhur. Cila ishte përgjigja e Ramës, përgjigja ishte se Shullazi vendos për ty. Në kuptim- ‘e mo se ka pas ca shqetësime në këtë kohë por mos u shqetëso shumë’, por as nuk i thotë që denoncoje, as nuk i thotë se do ti përgjigjemi, por i thotë sa ka pasur ca shqetësime vetëm sa nuk i tha se e ka tërbuar ambasadori LU, nuk ia tha këtë por unë nuk e kuptova se çfarë ishte ajo punë, d.m.th e la në mëshirë të xhelatëve si Shullazi. Pra të shpëtojmë nga ky njeri një ditë e më parë. 
 
Do ta mbyll me një thirrje për qytetarët shqiptar. Vendimin tonë për të shpëtuar veten nga kjo klikë, nga ky njëri që ka shndërruar qeverinë e vendit në organizatë kriminale, duhet ta realizojmë me mjete të qëndrueshme paqësore. Ukrainasit përmbysën mëkëmbsin e Putinit me të gjithë forcën e tij sepse sakrifikuan tre javë natë e ditë, në -15 apo -20 gradë në sheshin e qytetit, maqedonasit, me një protestë të përditshme e konstante realizuan qëllimet e tyre, por nuk janë më pak të mëdha, motivet tona janë jetike. Kurrë ndonjëherë shqiptarët, nga viti 92 deri në ditët e sotme, nuk janë larguar nga Shqipëria siç janë larguar tani nga ky kryeministër, sepse janë të pashpresë, ky po vret shpresën. Ky njëri përdor ekzekutivin, por ekzekutivi është forca e shtetit, me ligësinë më të madhe kundër qytetarëve, me urrejtje patologjike kundër qytetarëve, ky njëri mbjell vrer, dëshpërim, zhgënjim çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë. Ky është një mision i madh, të ngrihemi siç u ngritëm më datën 8, në një protestë të qëndrueshme, të fuqishme të shpëtojmë vendin prej tij dhe të ecim dhe ne në rrugën që meritojmë.



 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare