Berisha mashtron banorët e
Tropojës, rrugët jashtë përdorimi

Berisha mashtron banorët e<br />Tropojës, rrugët jashtë përdorimi
 
TIRANE - Edhe pse ka dy vjet që është ndërtuar, segmenti nga Kami në Qafë Luzhë, në rrugën midis qytetit të Krumës dhe atij të Bajram Currit – dy qendrat e rretheve të Hasit dhe Tropojës në qarkun verilindor të Kukësit, ndodhet në gjendje tepër të rënduar, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve të vogla. Çarjet e asfaltit dhe gropat e mëdha e të thella janë të pranishme në të gjithë gjatësinë e tij.

Por, banorët e kësaj zone nuk mund të harrojnë se rikonstruksioni i këtij segmenti, me gjatësi 20 kilometra, u bë nga firma ndërtuese “Gener 2”, në partneritet me dy kompani të tjera ndërtuese (Albavia dhe Karl Gega), me një fond prej 6 milionë dollarësh. Vetëm se, sipas specialistëve, rruga rezulton të jetë shtruar me materiale rrethanore, jashtë standardit të përcaktuar për rrugë të tilla, pa nënshtresa dhe pa stabilizant. Për pasojë, trashësia e rrugës është vetëm 4 centimetra, nga 10 centimetra, që duhej të ishte.

Sipas drejtuesve të automjeteve dhe banorëve të kësaj zone, qarkullimi në këtë pseudo-rrugë është tepër i vështirë. Ata ankohen se, për shkak të gjendjes së keqe të rrugës, po u prishen makinat.

Në vitin 2011, kur ky segment është inauguruar nga kryeministri Berisha, në prag të zgjedhjeve vendore, është hedhur vetëm një shtresë asfalti dhe askush nuk është marrë më me të. Pra, kemi të bëjmë me aspektin tipik të një rruge elektorale.

Ky aks ka një rëndësi të veçantë për rrethin e Tropojës, pasi është rruga e vetme lidhëse e këtij rrethi me autostradën e Kukësit. Por, vëmendja e kryeministrin për “patriotët” e tij, banorë të viseve ku ai ka lindur e është rritur dhe një gjë të tillë nuk rresht së përmenduri me krenari gjatë fushatës aktuale parlamentare, është qesharake.

PARAMETRAT
Nga pikëpamja e vështirësisë inxhinierike, rruga është pak a shumë e thjeshtë për t’u ndërtuar, aq më tepër po të krahasohet me vepra të tilla, si Rruga e Kombit, apo ajo e Arbërit, për të cilat qeveria nuk e ka vrarë gjatë mendjen të hedhë miliarda euro nga buxheti i shtetit, pra, nga taksat e shqiptarëve që i paguajnë këto taksa.

Fjala është për një segment me gjatësi vetëm 16 kilometra e 700 metra, i cili, në fakt, bën pjesë në një rrugë më të gjatë, prej 60 kilometrash, që lidh Tropojën me Kukësin, loti i parë. Segmenti fillon nga Qafa e Luzhës dhe përfundon në Kam të Tropojës.

Tenderi për sistemimin e tij është po aq modest në shifra: vlera është vetëm 600 milionë lekë të reja, që nuk janë asgjë, kundrejt 1 miliard eurove të Rrëshen-Kalimashit apo 200 milionë eurove të tunelit më të ri të Elbasanit. (Foto: Rruga e prishur Kam-Qafë Luzhë )
 
SITUATA

Megjithatë, pasi kanë përfunduar punimet për sistemimin e këtij segmenti, ankesat janë të shumta: në të nuk mund të qarkullosh me automjet normal veturë, por vetëm me fuoristradë apo mjete të rënda e të larta, që janë pak në numër dhe kërkojnë shumë karburant.

Në fakt, duket qartë për të gjithë se shtresa asfaltike ka qenë një “kartë cigari”, e cila është brejtur nga uji shumë shpejt dhe tani, dy vjet pasi Berisha është kujdesur të presë shiritin përkatës, del se edhe nënshtresat e duhura, që parashikoheshin në këtë segment, nuk kanë qenë hedhur.

Një pakujdesi kjo? Vështirë të besohet, në kushtet kur ligji kërkon edhe një shoqëri që të kryejë vazhdimisht mbikëqyrjen. Pra, mbetet fakti që fondet përkatëse janë vjedhur në mënyrën më të paskrupullt. Këtë mund ta konstatojë kushdo, që ka konsultuar parametrat e tenderit përkatës, të cilat kërkonin një shrresë prej 10 centimetrash, por kjo e fundit rezulton nga 2 deri në 4 centimetra.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 18.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Në krye të Champions League dhe asnjë gol i pësuar, Inzaghi: Jemi për në finale, krenar për Interin

Në krye të Champions League dhe asnjë gol i pësuar, Inzaghi: Jemi për në finale, krenar për Interin