Berisha me gazetarët: Liria
e fjalës, e pacenueshme 

Berisha me gazetarët: Liria<br />e fjalës, e pacenueshme 
Kryeministri Berisha dha sot, një pritje koktej për gazetarët, botuesit e drejtuesit e medias në vend, për t’i shprehur vlerësimet për kontributin e tyre gjatë vitit të kaluar dhe për t’ju uruar fillimin e vitit 2012. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

“Ju përshëndes shumë përzemërsisht për praninë tuaj këtu, ju uroj juve, të gjithë gazetarëve, botuesve, drejtuesve, opinionistëve, punonjësve të shtypit urimet e mia më të përzemërta për këtë vit të ri, uroj që në këtë vend të konsolidohet gjithnjë e më shumë respekti e vlerësimi për ju dhe rolin tuaj përcaktues për një shoqëri e vend të lirë.

Shoh këtu, midis nesh, Ardit Gjebrenë dhe menjëherë fjala në mendje më ndryshon. Fjala e lirë mund të krahasohet vetëm me një gjë, me dashurinë. Më frymëzoi Arditi për këtë, çka do të thotë përkujdesje, përkushtim i madh dhe luajalitet ndaj saj, sepse, ndër të gjitha vlerat e lirisë, asgjë më të rëndësishme nuk ka, kjo është e para. Njeriu mund të jetë në rrethana nga më të ndryshmet, mund të jetë i mëkëmbur, i pasur, i varfër, mund të jetë i pushtetshëm, i pa pushtetshëm, por individi që flet lirshëm, që shprehet lirisht, është individi me dinjitet. Në dallim nga ky, ai tjetri, mund të ketë çdo gjë, por nuk shpreh dot mendimin e tij, nuk flet dot lirshëm dhe ai ka një cen, një problem, e mangësi jashtëzakonisht të rëndë, ka një deficit në atë që përbën dhe thelbin e lirisë e të njeriut, që është dinjiteti njerëzor. Në këtë kontekst, roli juaj si kalorës të fjalës së lirë, roli i mediave në këtë vend, që, me gjithë vështirësitë që njohin, kanë nxjerrë Shqipërinë nga censura, - uroj një herë e përgjithmonë - është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Duke ju garantuar se do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që fjala juaj, me peshën e saj e në interesin publik, të dëgjohet gjithnjë e më shumë nga autoritetet e këtij vendi, do të bëjmë gjithçka që liria e fjalës të mund të konsolidohet si liri e pacenueshme në këtë vend.

Edhe një herë ju siguroj për respektin tim më të madh ndaj jush, ju siguroj se do të bëhen përpjekje, uroj që ky vit të jetë viti i dekriminalizimit të shpifjes, si një akt e vendosmëri e politikanëve shqiptarë, për të zgjeruar më tej jo hapësirën e shpifjes, në asnjë mënyrë nuk është qëllimi aty, por hapësirën e fjalës së lirë e të mendimit të lirë dhe për të mos përdorur më askush manipulime, të cilat, në fund të fundit, sjellin cenimin e saj. Shpreh kënaqësinë se - në memorien time ndofta jam gabim - viti që kaloi nuk ka pasur procese ndaj mediave nga administrata shtetërore dhe ju garantoj se nuk do të ketë sa të jetë kjo administratë nën drejtimin e kësaj qeverie. Ajo nuk do të mund të ngrejë as edhe një proces të vetëm penal apo civil ndaj fjalës së lirë, ndaj jush. Ky është një rregull që ne do t’i përmbahemi me vendosmëri.

Edhe një herë një urim shumë të përzemërt dhe një nderim të madh për kontributin tuaj. Ardit jam i sigurt se kishte të tjerë përreth teje që do donin t’u referohesha, por nuk e bëra atë. Gëzuar!”

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë