TIRANE - Prokurori i Përgjithshëm do të hapë një kapitull të ri dhe cilësor në luftën kundër korrupsionit nga organi i prokurorisë. Kështu është shprehur kryeministri Berisha gjatë takimit që pati sot me Drejtorin për Çështjet e Evropës Qendrore të Departamentit të Shtetit në SHBA Jonathan Moore, i cili shoqërohej në takim nga Ambasadori i SHBA zoti Aleksandër Arvizu.

“Kryeministri çmoi cilësitë profesionale dhe integritetin e kandidaturës së dekretuar nga Presidenti i Republikës për këtë post si një kandidaturë e cila do t’i japë tonin e duhur këtij organi për një luftë pa kompromis dhe në mënyrë të paanshme dhe të pavarur ndaj korrupsionit dhe krimit. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit është themelore për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe suksesin e reformave të qeverisë. Ai ilustroi reformat e qeverisë në këtë drejtim si dhe theksoi se lufta dhe dënimi i veprave korruptive është e një rëndësie themelore”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

Gjithashtu kryeministri u shpreh se zgjedhjet e 23 qershorit 2013 “do të jenë të lira e të ndershme dhe shprehu besimin se si qeveria edhe opozita kanë interes të përbashkët në arritjen e standardeve më të larta ndërkombëtare dhe ftoi që SHBA të dërgojnë numrin më të madh të vëzhguesve.”

Nga ana e tij, Moore shprehu keqardhjen që miratimi i tre ligjeve nuk pati mbështetjen e nevojshme në Parlamentin e Shqipërisë dhe inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Mendim që u vijua edhe nga kryeministri, i cili gjithashtu shprehu keqardhjen për vendimin e liderit të opozitës për bllokimin e paarsyeshëm të tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian.

Ndërkohë,Moore falenderoi kryeministrin Berisha për kontributin e Shqipërisë në kuadrin e NATO-s dhe përkrah SHBA-ve si një aleat besnik dhe i angazhuar për kauzën e lirisë, demokracisë dhe luftën kundër terrorizmit në botë.

MOORE PERSHENDET VOTEN E SHQIPERISE NDAJ PALESTINES

Ai gjithashtu përcolli vlerësimet për votimin e Shqipërisë mbi rezolutën për Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së si dhe qëndrimin dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Kryeministri Berisha e siguroi zotin Moore se Shqipëria do të vazhdojë të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ai theksoi se progresi dhe forcimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon është veçse në të mirën e stabilitetit dhe paqes së tij.

MOORE PERCJELL KENAQESINE PER MIKPRITJEN E CLINTON
Kryeministri Berisha i shprehu zotit Moore kënaqësinë e veçantë për suksesin e vizitës së Sekretares Clinton në Shqipëri. Kryeministri e cilësoi këtë vizitë si një vizitë historike dhe më të rëndësishmen në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Zoti Moore i shprehu kryeministrit urimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe e falenderoi për mikpritjen. Zoti Moore përcolli kënaqësinë e veçantë të Sekretares Clinton për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe takimet shumë të suksesshme me autoritetet më të larta në Shqipëri. Të dy bashkëbiseduesit çmuan mesazhet e vlerësimit dhe të mbështetjes për demokracinë dhe konsolidimin e saj të vazhdueshëm në Shqipëri që Sekretarja Clinton dha gjatë vizitës së saj.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)