Berisha me "pastrues parash"
Biznesmeni i lidhur me trafiqe

Berisha me Biznesmeni i lidhur me trafiqe">
Mbrëmjen e parë të mbërritjes në Azerbajxhan, për nder të vizitës së kryeministrit Berisha, autoritet azere dhe komuniteti i biznesit organizuan një darkë, ku merrte pjesa elita e vendit aziatik. Kryeministri u shpreh se Shqipëria dhe Azerbajxhani janë dy vende me potenciale të jashtëzakonshme për të punuar së bashku si në turizëm, energji, etj. Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare nga ana e saj do të bëjë gjithçka për të përmirësuar në vazhdimësi klimën ndaj biznesit, në mënyrë që investimet azere, por edhe të gjitha investimet e huaja në tërësi të jenë një histori e vërtetë suksesi. Në krahun e tij të djathtë, ishte Ali Evsen, shtetasi turk, me pasaportë shqiptare, i cili në qershor 2011 u arrestua në Spanjë për pastrim parash dhe mashtrime financiare dhe që u lirua, pas garancisë pasurore prej 18 milionë eurosh. Evsen është prej vitesh në Shqipëri dhe bën shumë biznese, që sipas policisë, janë fictive, për të mbuluar transfertat financiare.

Ai u u arrestua në Spanjë në 15 qershor 2011, me akuzën pastrim parash, dhënie ryshfeti dhe korrupsion. 50-vjeçari turk u prangos në Madrid bashkë me biznesmenin egjiptian Hussein Salem, një nga njerëzit më të afërt të ish-Presidentit Egjiptian Hosni Mubarak dhe djalin i tij Khaled Salem. Salemët hetoheshin prej kohësh dhe mbaheshin nën vëzhgim për abuzime me çmimin e gazit që i shitën Izraelit, duke depozituar fitimet në Spanjë dhe nga hetimet rezultoi se Evsen kishte hyrë garant me anë të kompanisë së tij për të nisur paratë në drejtim të familjes Salem në Egjipt. Gjykata e Lartë spanjolle kërkon për lirimin e Evsen garancinë prej 18 milionë euro, ndërsa për biznesmenin Salem dhe djalin e tij 30 milione euro.

Dje, ndërsa Evsen shoqëronte kryeministrin Berisha në Baku, mediat e huaja vijonin të bënin "autopsinë" e bizneseve ku ishte përfshirë Ali Evsen. Sipas sajtit (reportingproject.net), për gazetarinë investigative në disa vende të Ballkanit dhe të ish-republikave sovjetike, Ali Evsen akuzohet se pastroi para për llogari të shtetasit egjiptian Hussein Salem. Në maj 2011, Mahmoud Abdel-Meguid, një prokuror egjiptian lajmëroi se qeveria egjiptiane po ngrinte akuza kundër ish-presidentit Mubarak, djemve të tij si dhe biznesmenit Hussein Salem, mik dhe ndihmës i Mubarakut. Tre ditë më vonë, në Panama, dy fëmijët e Salem, Khaled dhe Magda u shkarkuan nga drejtimi i një kompanie nafte dhe u zëvendësuan me dy shtetas nga Azerbajxhani. Tre javë më vonë, Salem, ish-zyrtar spiunazhi në Egjipt, djali i tij Khaled dhe biznesmeni turk me pasaportë shqiptare, Ali Evsen, u arrestuan në Spanjë, sipas kërkesës së prokurorëve egjiptianë, me akuzën për pastrim parash. Më pas Evsen u lirua dhe po pret vendimin e gjykatës ndaj tij. Shteti egjiptian e akuzon Hussein Salem, që njihet edhe si "babai" i Sharm El Sheik, resortit të famshëm egjiptian, ku ai ka shumë hotele, se kishte përfituar nga marrëveshjet korruptive me Mubarakun dhe qeverinë e tij. Në tetor 2011, Salem, djali Khaled dhe vajza Magda, u dënuan në mungesë nga një gjykatë egjiptiane me nga 7 vite burg dhe me gjobë mëse 4 miliardë dollarë, me akuzën për pastrim parash dhe përfitime të paligjshme.

Njeriu nga Panamaja
Marrëveshja për Panamanë mund të ketë qenë pjesë e një plani të kurdisur prej Salem për të shkëputur lidhjet e tij me këto biznese. Nga marrëveshja e majit 2011 fëmijët e tij Magda dhe Khaled ua dorëzuan drejtimin e kompanisë "Clelia Assets Corp." me qendër në Panama dy shtetasve azerë Firidun Goyushov and Sadik Ercan. Që të dy ata janë zëvendëspresidentë të "Evsen Group", që drejtohet nga Ali Evsen. Biznesi është aktiv në Europën Lindore dhe ka prani më të fortë në Shqipëri dhe Azerbajxhan. Autoritetet spanjolle e arrestuan Evsen në qershor 2011 sepse ai transferoi më shumë se 17 milionë euro në llogaritë e familjes Salem në bankën spanjolle "Bankinter". Sipas dokumenteve bankare paratë ishin dhënë si kredi pa interes, me afat kthimi 12-vjeçar mes Evsen dhe Salemëve. Autoritetet spanjolle e konsideruan transfertën të dyshimtë dhe arrestuan Evsenin me akuzën për pastrim parash. Sipas spanjollëve, Evsen, mbajtës i pasaportës shqiptare, ishte aksioner në kompaninë detare të Salem, "Mediterranean Sea Gas Co", e cila I shiti gaz Izraelit duke përfituar nga rritja e çmimit dhe kjo marrëveshje I bëri Salemët miliarderë.

"Evsen Group"
Evsen Group i mori pjesën e aksioneve në biznesin e gazit natyral në 2008, në shkëmbim të shpërndarjes dhe shitjes së tij në zonat urbane në Azerbajxhan. Firidun Goyushov, që u bë drejtor në "Clelia Assets Corp" në Panama, është zv.presidenti "Evsen Group". Ai ka disa kompani në Baku, kryeqyteti I Azerbajxhanit, përfshirë edhe një supermarket dhe një kompani të shërbimit taksi, të grupit, që drejtohet prej kunatit të Ali Evsen. Ai thotë në faqen e tij të internetit se është I pastruar nga akuzat, por sërish çështja ndaj tij është pezull, ndërsa autoritetet spanjolle nuk japin sqarime.Ndaj Evsen është në fuqi ndalimi për të dalë jashtë territorit, pra Shqipërisë.

Kompania e Evsen, Albanian Airlines, pronë e princit

Në 11 nëntor 2011, tre avionë të kompanisë së fluturimeve "Albanian Airlines" të Ali Evsen u bllokuan nga Aviacionit Civil. Administratori i kompanisë, Firidun Goyushov, e konsideroi vendimin të padrejtë dhe se do ta ankimonte vendimin e Ministrisë së Transporteve. "Albanian" zotëronte disa linja me Italinë, ndërsa në ditë regjistronte deri në gjashtë fluturime. Evsen posedonte 93 për qind të kësaj kompanie që kryente udhëtime në 12 destinacione nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës "Nënë Tereza". Në vjeshtën 2009, kryeministri Berisha e kishte pritur Ali Evsenin ndërsa shoqëronte Princin e Arabisë Saudite H.R.H. Mansour Bin Mogrin Bin Abdulaziz Al Saud. Princi saudit ishte shprehur se ishte nder për grupin që ata përfaqësonin të ngrenë lartë emrin e kompanisë ajrore Albanian Airlines, që ata kanë blerë nga Grupi "Al Kharaf". Ndërsa presidenti i Grupit të kompanive EVSEN, Dr. Ali Evsen, tha se blerja e linjës ajrore Albanian Airlines është hapi i parë në programin e madh investues që ata kanë bërë si kompani, për Shqipërinë. Ai i prezantoi Kryeministrit portofolin e aktiviteteve që ata mbulonin në vende të ndryshme. Krahas biznesit në transportin ajror, grupi operon në sektorin industrial të prodhimit, si kondicionerë, televizorë, montim automjetesh, edhe në fushën e ndërtimit, si dhe në atë të fibrave optike.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024