Berisha në 1994: Zogu dhe
Serbia rrëzuan Fan Nolin

Berisha në 1994: Zogu dhe <br />Serbia rrëzuan Fan Nolin
Kur ishte president i Republikës, Sali Berisha ishte një fanolist i thekur dhe kundër ish-mbretit Zog, që përmbysi qeverinë e Fan Nolit, të ardhur në fuqi me revolucionin e qershorit. Që kur u bë kryeministër, u bë zogist i thekur dhe fanolistët tashmë janë puçistë që erdhën në pushtet me grusht shteti. Në 16 korrik 2009, Berisha do të deklaronte nga Burreli, ku vihej shtatorja e ish mbretit se "Ahmet Zogu ishte burrështetasi më i madh i kombit". Berisha vlerësonte se me atë shtatore "vendoset në piedestalin që e meriton, njëri prej burrave të shquar të kombit shqiptar, arkitekti dhe themeluesi i shtetit modern të shqiptarëve, Mbreti Zogu i Parë". Sepse sipas tij "Ahmet Zogu, me një mençuri të jashtëzakonshme, me kurajo dhe trimëri legjendare, me një vizion të pashoq, ia doli që, në trojet shqiptare të copëtuara, në një komb që numëronte vetëm pak vite nga themelimi i alfabetit të tij dhe që sapo kishte dalë nga sundimi shumëshekullor otoman, të ndërtonte shtetin e ri shqiptar, të standardeve monarkike të avancuara evropiane". Ndërsa duke iu drejtuar djalit të ish-mbretit Zog me cilësimin "Madhëria Juaj, Leka Zogu i parë" ai shprehej se qeveria e tij do të ushqente respektin dhe nderimin më të madh për veprën e pavdekshme të Ahmet Zogut". Por nuk ka qenë qen gjithnjë kështu, ose ka qenë si në fjalën e popullit "Ktheje pllakën". Në 1994, në kohën kur ishte president fuqiplotë, Berisha dënonte Ahmet Zogun, ardhjen e tij në pushtet me ndihmën e Serbisë dhe rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Fan Noli. Në 16 qershor 1994, në pritjen e organizuar me rastin e 70-vjetorit të revolucionit të qershorit, Sali Berisha përpara një auditori të gjerë në Pallatin e Brigadave, ku, mes ambasadorëve të shumtë dhe të ftuarve të tjerë, merrte pjesë edhe ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, Berisha do t'I cilësonte drejtuesit e revolucionit të qershorit 1924, si "Viganë liberatorë që rilindën kombin", ndërsa rrëzimin e qeverisë së Nolit, nga Ahmet Zogu si "një prej ngjarjeve më tragjike të historisë sonë kombëtare". Më poshtë po japim disa paragrafë nga fjala e tij, që është botuar me titull të madh në gazetën "RD" në 17 qershor 1994: "Jemi mbledhur këtu sot nga të katër anët e Shqipërisë, Kosova, viset e tjera shqiptare dhe nga diaspora për të nderuar së bashku 70 vjetorin e revolucionit të Qershorit, ngjarjes që hapi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar epokën e ndritur të demokracisë… Revolucioni u realizua nga një lëvizje popullore e drejtuar nga atdhetarë të flaktë jashtë çdo aleance të dyshimtë apo marrëveshje kompromentuese që kishin nënshkruar dhe do të nënshkruanin me Beogradin sundimtarët e mëvonshëm shqiptarë për të siguruar dhe ruajtur fronet etyre… Revolucioni i Qershorit është dhe do të mbetet njëra nga ngjarjet më rrezatuese për shqiptarët në të gjithë kohërat. Dy janë dimensionet e tij më madhore: dimensioni demokratik dhe dimensioni patriotik kombëtar. Sot na duhet të pranojmë se këto dy dimensione të revolucionit të Qershorit duket se ishin tejet të mëdha për hapësirën e ngushtë, kohërat e zymta që kalonte gadishulli ynë i ballkanizuar. Ndaj dhe ngricat e mëdha të dhjetorit të '24 ngrinë ëndrrën e madhe të demokracisë shqiptare. Dhjetori i vitit 1924 ishte një dhjetor i zi për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Rrëzimi i qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu me mbështetjen e Serbisë përbën njërën prej ngjarjeve më tragjike të histories sonë kombëtare. Shqipëria e idealeve të mëdha demokratike për 68 vjet me rradhë njohu vetëm pushtime dhe mynxyra, tiranira dhe dikatura nga më të egrat dhe më çnjerëzoret". Në fund të fjalës së tij fanoliste, ish-presidenti Berisha u bënte thirrje të gjithëve të ndërtonin Shqipërinë e Frashërlinjve, Ismail Qemalit, Fan Nolit etj, Shqipërinë e viteve 2000.

DEKLARIMET
Berisha, si "haxhi pishmani" Sali Berisha është shquar për deklarat kontradiktore në jetën e tij politike. P.sh., kur ishte njëri prej intelektualëve që mblidhte Ramiz Alia në gusht 1990 për të diskutuar reformat demokratizuese, shprehej kundër pluralizmit, ndërsa më pas tha se e pengoi Alia. Kur vajti te studentët tha se ishte kundër rregjimit, por atje në 9 dhjetor 1990 lavdëroi shokun Ramiz. Sot quan lider Azem Hajdarin, por në 1996 i hoqi imunitetin dhe e demaskonte politikisht. Tha se Nano ishte vrasës i hajdarit, tani e ka mik për kokë etj.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Pogradec, një i plagosur me armë zjarri në fshatin Stropckë, nuk dihen shkaqet

Pogradec, një i plagosur me armë zjarri në fshatin Stropckë, nuk dihen shkaqet