TIRANE - Kryetari i PD-së Sali Berisha pas takimit në Bushat të Shkodrës u nis drejt  Bërzhitës ku i dorëzoi 500 të rinjëve të anëtarësuar, tesërën e Partisë Demokratike. Berisha u tha të rinjve se përballë kanë alternativën e bllokimit.

”Alternativa tjetër, tha Kryeministri, është alternative e shpifjes, mashtrimit dhe bllokimit. Alternativa tjetër është alternative, e cila ka kundërshtuar çdo akt dhe përpjekje të qytetarëve shqiptarë për anëtarësim në NATO dhe BE. Ju ftoj, që me dy gishtërinjë të shënoni fitoren, krenar sepse 20 vite më parë me këta dy gishtërinj dhe me qëndrimin pas tyre, ne përmbysëm dikaturën më të egër në Europë, regjimin e etërve të Edi Ramës. Ne shndërruam shqiptarët në pronarë, rrritëm ekonominë shqiptare 12 herë”, deklaroi shefi i qeverisë.

     Duke e krahasuar kryesocialistin Rama me ish-presidentin e Shqipërisë gjatë regjimit komunist, Ramiz Alia, Berisha tha se, “Rama është njëlloj si Ramiz Alia, dy gishtat i duken si bajonetë. Ramës gishtrinjtë tuaj i duken bajoneta, trikoja ime i duket pazmore, ndërsa nesër stilografi im do ti duket shpatë”. 

     Prandaj, tha Kryeministri, ju bëj thirrje që në 23 qershor të votoni për punësimin dhe integrimin tuaj”.

Kreu i ekzekutivit e konsideroi anëtarësimin e të rinjëve një inkurajim dhe frymëzim të madh për PD dhe projektin e saj. "Projekti i PD-së është projekti i Shqipërisë Europiane dhe i të ardhmes tuaj evropiane”, u shpreh ai.   

     Duke ftuar që të votojnë PD dhe numrin 44, më 23 qershor, Berisha tha, "le të ecim përpara, për shkollimin dhe punësimin tuaj. Ju jap fjalën, se qeveria 4 vitet që vijnë do të 3-fishojë grantet për të gjithë fermerët e komunave tuaja, do të ndërtojmë sistemin më të shkëlqyer të vaditjes për fermerët e këtyre komunave".

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)